Prokurori special dhe Shefqet Krasniqi sot pritet të japin fjalët e tyre të fundit në gjykatë

13:25 | 20 Mars 2018
Arbresh.info

Sot, në gjykimin në të cilin ish-imami Shefqet Krasniqi, po akuzohet për tri vepra penale, është paraparë që prokurori special Elez Blakaj dhe i akuzuari si dhe mbrojtja e tij, të japin fjalët e tyre përfundimtare.

Seanca e së martës, ku kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Beqir Kalludra, pritet të fillojë nga ora 15:00.

Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohet për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”.

Ndryshe, Krasniqi, në vazhdimësi është deklaruar se është i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet.

Gjatë mbrojtës së tij Krasniqi kishte deklaruar se ai ka qenë i pari që i ka apeluar që të rinjtë të mos e marrin rrugën në zonën e konfliktit në Siri.

Në seancën e kaluar të 23 marsit 2018, inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Xhemë Shala, ka deklaruar se gjatë inspektimit në vitin 2016, biznesi “Portat”, pronë e ish-imamit Shefqet Krasniqi, ka rezultuar me obligime tatimore të pakryera, në shumën mbi 20 mijë eurosh, por, sipas tij, pas kontrollit nga inspektorët e ATK-së dhe pas bashkëpunimit me përfaqësuesin e këtij biznesi, subjekti në fjalë më pas i ka kryer këto obligime tatimore.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, sipas prokurorit Blakaj, Krasniqi ka nxitur të rinjtë që të marrin rrugën drejtë Sirisë, për tu bërë pjesë e organizatave terroriste ISIS dhe Al Nusra dhe se ka përdor gjuhë të urrejtjes në ligjëratat e tij.

Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohet për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të xhamisë së madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.

Prokuroria pretendon se Krasniqi, ka shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta me anë të ligjëratave dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame. Prokuroria, në këtë kontest përmend ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, nga ligjëratat e Krasniqit janë ndikuar shumë persona që të bëhen pjesë e organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, e ku përmenden Venera Ademi, Ilir Mustafa e Blerim Heta. Sipas prokurorisë, Blerim Heta, më 25 mars 2014, kishte kryer një veprim terrorist vetëvrasës, në të cilin rast kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.

Ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”, sipas prokurorisë janë inkriminuese që Krasniqi ka kryer edhe veprën penale “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”, pasi pretendohet se ai përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame, ndër të tjera thuhej se “sllavët rusë dhe budistët e komunistët kinez, kanë bërë dhe po bëjnë krime të mëdha kundër vëllezërve tanë myslimanë, se janë duke vrarë vëllezërit tanë myslimanë në Siri”.

Krasniqi në bazë të aktakuzës, ngarkohet edhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”, pasi pretendohet se si pronar I.N.T “Pronat”, në periudhën kohore 2011 deri më 2016, më qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose të tërësishme të tatimit, me dashje ka dhënë të dhëna të pavërteta duke mos i kryer obligimet që parashihen me Ligjin për Administratën Tatimore. Krasniqi pretendohet se nuk i ka kryer obligimet tatimore, në vlerë të përgjithshme prej 20.208.57 euro.

Kundër aktakuzës së prokurorisë, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Sevdali Zejnullahu kishte paraqitur kundërshtimet për hedhjen e aktakuzës, por që ishte refuzuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar nga gjykatësi Kalludra./Betimiperdrejtesi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme