Google ADS

Prokurori në gjykimin për kalim ilegal të kufirit: “Nuk e lexoj këtë aktakuzë kurrë, u bam horë, s’kom fytyrë me lexu

17:05 | 15 Qershor 2020
L G

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpllaur aktgjykim refuzues ndaj Rasim Shehollit, i cili po akuzohet për veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Një vendim të tillë e ka marrë gjykatësi i çështjes Gazmend Bahtiri, pasi prokurori Rexhep Maqedonci ka hequr dorë nga ndjekja penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E gjithë kjo ka ndodhur, pasi i akuzuari Sheholli ka deklaruar se jeton afër zonës kufitare dhe se nuk e di saktë se ku është kufiri, duke shtuar se çdo ditë kujdeset për bagëtinë e tij në atë zonë.“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem, ngase unë nuk e di saktësisht ku është kufiri.

Unë kam pronë, paluajtshmëri, në pikë kufitare dhe në territor të Serbisë, ku kemi jetuar brez pas brezi dhe rastisë për të mos thënë çdo ditë të kalojmë pikën kufitare të cilën nuk e dimë se ku është”, ka deklaruar i akuzuari Sheholli.

“Lopët nuk e dinë se ku është kufiri”, ka thënë tutje i akuzuari Sheholli, duke shtuar se të njëjtat çdo ditë ushqehen në kullosat e tij pranë zonës kufitare, aty ku edhe jeton vet ai.

Pas këtyre deklarimeve të të akuzuarit dhe ankesave të tij se i duhet të jetoj dhe të punoj çdo ditë në atë zonë, prokurori që ka përfaqësuar aktakuzën në këtë seancë, Maqedonci, ka thënë se heq dorë nga ndjekja penale.Sipas tij, nuk është në rregull të ngritët aktakuzë në këtë mënyrë, pasi që personi i akuzuar jeton aty dhe se edhe policia është dashur ta kenë parasysh këtë fakt, e për më tepër ai u shpreh i revoltuar me vet prokurorinë.

“Nuk e lexoj këtë aktakuzë kurrë, u bam horë, s’kom fytyrë me lexu këtë aktakuzë”, ka thënë prokurori Maqedonci për aktakuzën në fjalë.

“Tërhiqem nga ndjekja penale, për këtë çështje penale, për shkak se i njëjti ka deklaruar edhe para zyrtarëve të policisë se jeton në vijë të kufirit dhe ka pronë paluajtshmërie rreth 6 hektar, rreth tre hektarë gjenden  në territorin e Serbisë, andaj në kuptim të nenit 52 të KPPRK-së, tërhiqem nga ndjekja penale ndaj të pandehurit”, ka përfunduar prokurori.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar nga prokurori Fatmir Behrami, i pandehuri akuzohet se me 17 janar 2020, rreth orës 17:15, në fshatin Herticë, Komuna e Podujevës, në lagjen e Bislimave, tek vendi i quajtur “Te varri i turkut”, nga patrulla e policisë kufitare për mbikëqyrjen e kufinjëve, i pandehuri ishte takuar duke kaluar vijën kufitare nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës.Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, nga neni 140 par.1 të KPRK-së.

 

 

 

Të ngjashme