Google ADS

Prokurori dhe mbrojtësi i viktimave kërkojnë dënimin e të akuzuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq

22:38 | 19 Prill 2018
Arbresh.info

Është dhënë fjala përfundimtare nga ana e prokurorit Paul Flynn dhe e mbrojtësit të viktimave Eron Prekazi, të enjten në gjykimin për krime lufte, ku i akuzuar është Zoran Vukotiq.

Në këtë rast, Zoran Vukotiq po akuzohet për vrasjet brutale dhe keqtrajtimet çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë në kolonën e Studimes më 2 dhe 3 maj të vitit 1999 dhe vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve në burgun e Smrekonicës në maj deri në qershor të vitit 1999.Në fjalën përfundimtare të prokurorit Paul Flynn, e cila për publikun në sallë u lexua nga përkthyesi për gjuhën shqipe, thuhej se prokuroria beson që tërësia e provave lidhur me identifikimin e të akuzuarit si dhe pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e cekura në aktakuzë, dëshmon përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari Vukotiq në kolonën e Studimes dhe më vonë në burgun e Smrekonicës, i ka kryer krimet, siç pretendohet në aktakuzë.

Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënim vetëm në bazë të mënyrave të ndryshme të sjelljes që janë provuar, synuar dhe ekzekutuar nga ana e të akuzuarit.

Në fjalën përfundimtare të prokurorit Paul Flynn, thuhej se ky rast ka të bëj me vepra penale të pafalshme të të akuzuarit të kryera nga ai, apo në bashkëkryerje me të tjerët.

Sipas prokurorisë, koha e kaluar midis kryerjes së këtyre mizorive dhe këtij gjykimi, nuk e ka zvogëluar dhimbjen dhe vuajtjet e viktimave dhe as kujtimet e tyre, duke shtuar se gjatë gjykimit është parë se si dëshmitarët ende janë emocional në tregimin e historive të tyre të dhimbshme.

“Gjatë rrjedhës së gjykimit dëshmitarët e kanë parë të akuzuarit dhe në mënyrë bindëse e njohën si njëri nga ata që i kishte kryer këto mizori të tmerrshme në datat kritike, përkundër faktit se kanë kaluar shumë vite, duke u përmendur se në disa raste, disa prej dëshmitarëve pa ndonjë dëshirë hakmarrëse flisnin mirë për të akuzuarin kur i referoheshin viteve të para luftës, në kohën kur ai ka punuar si civil”, thuhej në fjalën përfundimtare.

Në vazhdim thuhej se prokuroria në mënyrë të qartë e pranon ekzistimin e disa mospërputhjeve në disa pjesë të disa dëshmive, si për shembull nëse uniforma e të akuzuarit ishte e kaltër ose e gjelbër, apo nëse i akuzuari ka përdorur pistoletë apo pushkë për të vrarë dikë, ose nëse dikush ishte rrahur me shkop druri apo gome në burg, duke e arsyetuar këtë me fjalët se sipas prokurorisë, në këtë rast veprat bazë janë kryer para 18 viteve dhe shumica e dëshmitarëve është dashur t’i japin dëshmitë e tyre në rrethana të vështira apo tronditëse.

Lidhur me këtë, në fjalën përfundimtare të prokurorisë, thuhej se është e justifikueshme që të priten pasaktësi, shtrembërim të kronologjisë apo ngatërrim të elementeve të ngjarjeve të ndryshme, duke cekur se prokuroria nuk di si t’i shpjegojë mospërputhjet përveç të sugjerojë që viktima ishte aq e dërrmuar nga ngjarja  në të cilën ai pothuajse e humbi jetën saqë nuk ka një kujtim të saktë apo të plotë të disa pjesëve të ngjarjes, duke theksuar se pavarësisht kësaj, prokuroria deklaratat e dëshmitarëve i konsideron plotësisht të besueshme.

Tutje, thuhej se i akuzuari me qëllim të ikjes nga konstatimet për fajësinë e tij, sipas prokurorisë i njëjti do të përpiqet të bindë se ka pasur një komplot të dëshmitarëve për ta akuzuar padrejtësisht, se dëshmitë e identifikimit nuk janë të besueshme dhe se dëshmitarët janë ndikuar në dëshmitë e tyre nga shumë raporte dhe fotografi të të akuzuarit që janë shfaqur në media pas arrestimit të tij. Bazuar në fjalën përfundimtare, këtë prokuroria e konsideron argument të thjeshtë dhe të paqëndrueshëm, sidomos nëse merret parasysh se gjatë këtij rasti, sipas prokurorisë, dëshmitarët kanë qenë përgjithësisht konsistent kur i janë referuar përgjegjësisë së të akuzuarit.

Po ashtu, përmes fjalës përfundimtare, prokuroria i është drejtuar trupit gjykues, se beson që kur të tërhiqen për tu këshilluar, përfundimisht do të konkludohet se aktakuza e prokurorisë nuk përbën asgjë tjetër veçse synon të kërkojë llogari nga të akuzuarit, veprimet e provuara të të cilëve, sipas prokurorisë, kanë qenë të pafalshme, dhe se është në përputhje të plotë  me peshën e veprave për të cilat akuzohen.

Po ashtu, thuhej se vetëm me një përkushtim i vazhdueshëm ndaj llogaridhënies, mund të evitohen krimet si këto dhe të forcohet besimi në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se beson plotësisht se trupi gjykues nuk do të dështoj në detyrë dhe se drejtësia do të vendoset.

Gjithashtu, fjala përfundimtare e prokurorit Flynn, ka përfshirë dëshmitë kryesore të dëshmitarëve në këtë gjykim, të cilëve përballë syve të tyre u janë vrarë të afërmit apo persona të tjerë në kolonën e Studimes më 2 dhe 3 maj 1999, si dhe dëshmitë e dëshmitarëve të cilët gjatë gjykimit kanë pohuar se janë rrahur, torturuar dhe keqtrajtuar nga ana e të akuzuarit Zoran Vukotiq në burgun e Smrekonicës.

Përveç prokurorit Paul Flynn, edhe mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që i akuzuari Zoran Vukotiq, të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar sipas ligjit.

Në fjalën përfundimtare të Prekazit, thuhej se aktakuza e prokurorisë është e qëndrueshme dhe se gjatë gjykimit, nga shkresat e lëndës, provat materiale , deklaratat e dëshmitarëve dhe palëve të dëmtuara vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Po ashtu, shpalljen fajtor të të akuzuarit Vukotiq, e ka kërkuar edhe Lumnije Mulaku, e cila në këtë rast është palë e dëmtuar.

“Unë jam motra e viktimës Xhavit Mulaku dhe djalit të axhës Ekrem Mulaku, e falënderoj gjykatën dhe e mbështes fjalën përfundimtare të prokurorit, pajtohem edhe me fjalën përfundimtare të përfaqësuesit të viktimave, i lutem gjykatës që t’i jap dënimin e merituar këtij që i ka kryer këto krime, le të dënohet sipas ligjit edhe pse nuk ka dënim që se kish meritu me iu shqiptu”, u shpreh Mulaku.

Pas përfundimit të dhënies së fjalës përfundimtare nga ana e prokurorit Paul Flynn dhe mbrojtësit të viktimave Eron Prekazi, seanca e radhës u caktua më 23 maj nga ora 9:30, ku pritet të japë fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokati Nebojsha Vlajiq.

Lidhur me këtë rast, i akuzuari Vukotiq e ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje dhe nuk është deklaruar fare.

Përveç këtij rasti, i akuzuari Zoran Vukotiq është duke u gjykuar edhe për dy aktakuza të tjera, njëra për vrasjen e një 13 vjeçarit në Vushtrri dhe për vrasjen e katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, më 5 maj 1999 në Vushtrri.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Zoran Vukotiq në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor reservist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga rradhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale  dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Bazuar në aktakuzë  në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica,Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeqar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu,  Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxjaliu dhe Avdi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu akuzohet se në periudhën maj deri në fillim të qershorit 1999, si një rezervist në stacionin policor në Vushtrri, si një roje burgu, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në paraburgimin e paligjshëm të një numri të madh të civilëve shqiptarë në burgun e Smrekonicës në rajonin e Mitrovicës, gjatë së cilës periudhë këta civilë i’u ekspozuan qëllimisht trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve për të cilat i akuzuari Zoran Vukotiq, mban përgjegjësi personalisht./betimiperdrejtesi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme