Prokuroria Speciale ka shkatërruar provat në një rast të vrasjes së dyfishtë ende pa u kryer hetimet dhe pa u ngritur aktakuza.
Prokurori Amdurrahim Islami ka urdhëruar Policinë që t’i asgjësojë provat – armët e përdorura, ani se një gjë e tillë nuk lejohet pa u kryer procesi gjyqësor. Ai e pranon se armët e përdorura në raste të vrasjeve nuk është dashur të shkatërrohen, por arsyetohet se mund të ketë gabuar.
Prokurori Islami aktualisht po ndjek penalisht katër aktivistë të VV-së, për terrorizëm. Mes të dyshuarve ishte edhe i ndjeri Astrit Dehari.
Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Habibe Salihu ishte në fazën e hetimeve për një rast të vrasjes së dyfishtë kur prokurori Special, Abdurrahim Islami kishte urdhëruar shkatërrimin e armëve të përdorura në këtë krim.
Islami kishte urdhëruar shkatërrimin e armëve të sekuestruara në 15 raste penale, mes të cilave edhe armët e përdorura në incidentin e armatosur në restorantin “Shega” në Milloshevë.
Rasti ishte ende në fazën e hetimeve.
Incidenti i armatosur kishte ndodhur më 2 maj 2014. Pesë muaj më vonë – më 20 nëntor 2014 prokurori Special, Abdurrahim Islami kishte urdhëruar shkatërrimin e armëve – provave. Një vit e një muaj pas vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së rëndë të njërit prej të akuzuarve, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë.
Aktakuza ishte dorëzuar në Gjykatë më 10 mars 2015.
Besim Istrefi, pronar i restorantit “Shega” akuzohet për vrasje të rëndë të Naim Gërvallës nga fshati Raskovë i Obiliqit dhe Lutfi Saraçi nga fshati Bivolak i komunës së Vushtrrisë. I biri i tij, Besarti akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, Jeton Saraqin Prokuroria e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë si dhe për armëmbajtje pa leje, e falsifikim i dokumenteve.
I akuzuari Besim Istrefi ka mbetur në karrocë si pasojë e plagëve që kishte marrë nga sulmuesit në restorantin e tij. Me gjithë gjendjen e rëndë, ai po mbahet në paraburgim.
Dokumenti i shkatërrimit të provave është zbuluar javë në parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Kopje të këtyre dokumenteve ka siguruar Insajderi.
Në një bisedë telefonike për Insajderin, prokurori Islami ka thënë se Prokuroria ka marrë qëndrim që armët e përdorura në vrasje mos të shkatërrohen. Shkatërrimin e armëve të përdorura në këtë rast, ai e ka interpretuar si gabim teknik.
“Edhe mund të kem gabuar”, ka thënë ai.
Islami ka thënë se armët janë ekzaminuar dhe dokumentet janë në gjykatë. Ka shtuar se armët nuk janë më të nevojshme, ani se Kodi i Procedurës Penale parasheh që provat duhet të shkatërrohen vetëm pasi proceset gjyqësore të kenë marrë formën e prerë.
Abdurrahim Islami aktualisht është duke ndjekur penalisht katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata po i akuzon për sulm terrorist në Kuvendin e Kosovës.
Mes të dyshuarve ishte edhe Astrit Dehari, i cili kishte vdekur në Burgun e Prizrenit. Hetimet e deritashme kanë treguar se Dehari ka kryer vetëvrasje. Por, këtë version nuk e ka besuar Lëvizja Vetëvendosje dhe familja e tij. Ata, akuzojnë shtetin për vrasjen e tij.
Shkatërrimi i armëve është urdhëruar nga prokurori Islami, pas kërkesës së Policisë.
“Pas shqyrtimit të kërkesës së Njësisë së Hetimeve të përgjithshme DRP në Prishtinë, të datës 28.10.2014, të parashtruar kësaj Prokurorie për shkatërrimin e armëve dhe dëshmive, prokurori Abdurrahim Islami në pajtim të nenit 282 paragrafin 3 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafin 2.1 lidhur me nenin 116, paragrafi 5 të Kodit të Procedurës Penale 06.11.2014, lëshon këtë urdhër”, shkruan në vendim:
Islami kishte urdhëruar Njësinë e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë që më 20.11.2014, të dorëzojë për shkatërrim të gjitha armët e shkurta dhe të gjata të sekuestruara-konfiskuara nga Polica, Prokuroria si dhe Gjykata e të cilat janë përdorur për kryerjen e veprave penale nga nenet 372 deri 377 të Kodit penal të Republikës së Kosovës, armë të cilat janë ekzaminuar dhe nuk është zbuluar ndonjë përputhshmëri me raste të tjera nga Libraria e rasteve të Hapura në Laboratorin (Divizioni i Balistikës) për armë të zjarrit.
“Prokuroria urdhëron që para shkatërrimit të armëve më parë duhet siguruar që këto prova më parë të fotografohen të plota dhe të mbesin si prova, të bëhen testet laboratorike, respektivisht ekspertiza laboratorike”, shkruan në vendim.
Në këtë urdhër përmendet si rast i veçantë incidenti i Milloshevës.
“Urdhëroheni që Laboratorit të Balistikës në Prishtinë t’ia dorëzoni pistoletën e llojit Crvena Zastava, e kalibrit 7.62 x 25 mm, me numër Serik C-210424, me pjesën metalike që është gjetur në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në restorantin ‘Shega’ në Milloshevë”, shkruan në vendim.
Laboratori i Balistikës në Prishtinë urdhërohej ta përpilonte një raport shtesë për pjesën metalike të pistoletës së lartë cekur që konsiderohet se është pjesë e kësaj pistolete e cila është gjetur në vendin e ngjarjes në restorantin “Shega” në Milloshevë më darën 2 maj 2014, ku ka ndodhur vrasje e dyfishtë dhe tentim vrasje.
Ndonëse, një pjesë metalike e një arme ishte gjetur disa ditë më vonë në vendin e ngjarjes, prokurori kishte urdhëruar shkatërrimin e armëve.
“Me datën 29 maj 2014 është përpiluar raporti nga ana e ekspertëve balistikë në Prishtinë, por nuk është vërtetuar se kjo pjesë metalike që është gjendur në vendin e ngjarjes a i përket pistoletës së lartë cekur apo jo”, shkruan më tej.
Veprimin e Prokurorisë, mbrojtja e ka cilësuar skandaloz dhe të dyshimtë. Ali Beka, avokat në këtë rast ka thënë se provat nuk është dashur të shkatërrohen pa përfunduar procesi gjyqësor. Këto prova sipas tij është dashur t’i dorëzohen gjykatës për administrim.
Në sqarimet me shkrim për Insajderi, prokurori Abdurrahim Islami ka thënë se gjatë viteve 2014-2015 ka lëshuar disa urdhëresa për shkatërrimin e armëve bazuar në nenin 115 paragrafi 5, në pajtim me nenin 282 paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale.
“Kam kërkuar nga gjithë zyrtarët përgjegjës në dhomat e dëshmive për armë, në të gjitha stacionet e regjionit të Prishtinës, që të dorëzojnë ekzaminimet-ekspertizat e kryera nga Laboratori për Ekspertimin e Armëve dhe pa marrë parasysh a është përfunduar procedura apo jo, është urdhëruar që armët të shkatërrohen, por me kusht që për ato armë të sigurohen fotografitë, testet laboratorike ose ekspertizat të cilat kanë shërbyer si prova të pranueshme për ekzistimin, identitetin dhe përbërjen e mjetit qenësisht të rrezikshëm”, ka thënë ai.
Islami e ka pranuar se armët e përdorura në rastet e vrasjeve nuk është dashur të shkatërrohen.
“Përjashtime nga kjo Urdhëresë ka qenë që në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me raste të vrasjes, armët nuk do të shkatërrohen derisa Aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”, ka thënë ai./Insajderi.com
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...