Prokurimi publik ende mbetet mangësi kryesore e komunave

13:19 | 22 Mars 2017
Arbresh.info

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike ka shqyrtuar sot raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave për vitin 2015.

Disa nga kryetarët e komunave që ishin ftuar në këtë raportim janë ankuar për problemet që kanë komunat në raport me Qeverinë dhe Kuvendin, por me të cilët nuk është pajtuar Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani.

Sipas tij ka keq klasifikime të kodeve në planifikim të buxhetit dhe se ai nuk do të ketë pardon pa marrë parasysh që sivjet është vit zgjedhor.

Osmani përmendi tri çështje që e shqetësojnë Auditorin e që janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe pagesat e palëve të treta.

“Për shkak të fajit të planifikimit të buxhetit kemi më shumë se 3 milionë euro që janë bërë me vendime të kryetarëve të komunave për të përdor kode jo adekuate. Unë besoj që do të adresohen dhe këto janë në raporte të kryetarëve të komunave dhe unë kisha dashur që ata t’i shohin këto raste. Sepse ky nuk është faji i Qeverisë dhe faji i Parlamentit. Mirëpo është veprim i qëllimshëm i kryetarit të komunës, mund të jetë legjitim mirëpo është jo ligjor edhe nuk mbështetet me legjislacion. Do ta kualifikojmë buxhetin e komunave na vjen shumë keq që mund të hupin kredi, donatorë. E dimë që është vit zgjedhor e tjera në nivelin komunal, mirëpo besoj që këtu nuk do të kemi nevojë për asnjë pardon. Secila prej komunave e di se ku i ka marrë kodet ku i ka përdor në mënyrë jo adekuate dhe e dijnë saktë sa është vlera e këtyre kodeve”, tha Osmani.

Sipas tij që nga java e ardhshme do të fillohet me publikimin e raporteve të para të komunave.

Me këtë rast kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka adresuar çështjen e pasurisë të paluajtshme, sipas tij cilit kjo është një nga sfidat kryesore që ka komuna.

Ahmeti po ashtu ka përmendur edhe ndarjen buxhetore duke treguar se ndarja e buxhetit bëhet nga Ministria e Financave dhe se ai i vjen i gatshëm ky dikaster.

 

“Veç Komuna e Prishtinës ka 2 miliardë e gjysmë euro ,pasuri të paluajtshme të pasurisë kapitale të cilën e kemi dhe ka qenë një problem i madh sepse nuk kemi pasur mundësi me regjistruar në Thesar në ‘Free Balanc’ për një kohë të gjatë , derisa në fund të vitit të kaluar na u është lejuar që të regjistrojmë. Po them tepër e rëndësishme për shkak se duke e ditur dhe marrë parasysh gjendjen e kadastrit të cilin e kemi në Republikën e Kosovës aq shumë ka probleme pronësore në Kkmuna që edhe regjistrimi i pasurisë nënkupton edhe një evidentim të asaj se çka ke, kush të ka uzurpuar, ku kanë mund me u bërë dallavere me pronësi që ka të kontestuar që është problematike. Nëse nuk e kemi paraqitjen e pasurisë nuk kemi paraqitje reale të gjendjes në secilën prej organizatave buxhetore….Në raportet e auditorit zakonisht ne gati secila komunë e marrin nga një koment i cili thotë komuna kakeq planifikuar dhe thotë që të hyrat janë më të vogla se sa që ka planifikuar komuna dhe i bënë thirrje komunës që të bëjë planifikim më të mirë. Në fakte në planifikimin e të hyrave ne bash as që pyetemi në asnjë mënyrë . Sepse neve na dërgon Ministria e Financave qarkoren buxhetore dhe na thotë këto janë të hyrat e juaja kaq janë nga grantet qeveritare”, tha Ahmeti.

Ndërsa kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, i ka numëruar një varg problemesh me të cilat ka komuna që ajo e drejton në raport me nivelin qendror.

Si problem ajo e ka paraqitur kur thesari ekzekuton pagesa për kompani, të cilat në qeverisjen e kaluar kanë marrë punë pa tender tani thesari sipas saj i ekzekuton pagesën e që sipas ligjit kjo është shkelje ligjore.

 

“Niveli i komunikimit të komunave me Ministrinë apo nivelin qendror është i vështirë. Sidomos me Thesarin. Duhet të them se zyrtarët në këtë departament nuk i përgjigjen me kohë kërkesave të komunave. kemi vështirësi të mëdha në nxjerrjen e raporteve nga sistemi SIMF , përkundër që jemi të obliguar të raportojmë në Kuvend. Shpesh ndodh që zyrtarët e Auditorit nuk i përgjigjen fare kërkesave të komunave. Komuna nuk mund të paguaj për kontrata të cilat nuk ka procedurë të tenderit të tenderit të shpallur nëse ne e bëjmë atëherë ne bëjmë shkelje ligjore. Funksionimi i sistemit të prokurimit elektronik është skandal. Ka ditë të tëra që zyrtarët nuk mund të hynë në sistem edhe me i realizuar kërkesat…Kjo neve ka me reflektua secilës komunë negativisht. Ligji tjetër i cili përcakton e fondet e garantit qeveritarë nuk mund të transferohen në vitin tjetër. Si mundemi ne strategjiket me i zhvilli Komunat nëse parashihet në secilin dhe gjitha grantet qeveritarë me u shpenzua atë vit. Ndodh që të shpallen me procedurë të përshpejtuar gjitha projekte që janë me grante qeveritë e mund të kenë edhe mangësi ”, tha Kusari-Lila.

Me disa aspekte që kanë deklaruar Ahmeti dhe Kusari-Lila është pajtuar edhe zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, i cili ka pranuar se për shkak të marrëveshjes me FMN-në duhet të kenë disiplina më të madhe financiare.

 

“Kryetarët kanë plotësisht të drejtë edhe arsye këta e kanë gjet komunën me plot probleme. Duke filluar prej borxheve që kanë qenë më herët ato janë përcjell tek disa komuna , kështu që kanë pasur problem edhe menaxhim të drejtë kisha me thënë edhe në krejt procesin buxhetor. Raportet me FMN-në kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe më tutje një disiplinë edhe më të madhe fiskale përkundër që kryetarët i shprehen brengat e tyre që këta ballafaqohen me probleme të përditshme ne ballafaqohemi me problem të përgjithshme që janë kufizimet buxhetore që janë në nivel edhe të Qeverisë qendrore dhe asaj komunale”, tha Krasniqi.

Ai beson se Ligji për Paga do të rregullojë disa çështje që do të jenë të harmonizuara për të gjitha komunat.

Tri shqetësimet kryesore te cilat janë gjetur në raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të komunave për vitin 2015 janë prokurimi publik, menaxhimi i pasurive financiare dhe subvencionet.

Në këtë shqyrtim në Komision janë ftuar kryetari i komunës së Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajit, Gjilanit, Mitrovicës dhe Graçanicës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme