Mungesa e Ligjit për Qeverinë ka bërë që Kosova në çdo mandat të ketë qeveri gjithnjë e më të madhe. Aktualisht janë 21 ministri, e trefish më shumë zëvendësministra.
Opozita thotë se Ligji për Qeverinë u ka konvenuar pushteteve të deritashme që të mos nxirret, në mënyrë që me pozitat ministrore të bëhet pazare për të formuar koalicionin qeverisës. Në Komisionin Parlamentar për Administratë Publike presin që ky ligj të shkojë në Kuvend deri në fund të vitit.
Projektligji për Qeverinë e Kosovës ishte iniciuar në maj të vitit 2009, por në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës ka mbetur ende si projektligj i patrajtuar. Arsyet e kësaj ngecjeje, sipas deputetes së Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, kanë qenë politike, pasi që, siç thotë ajo, liderët e subjekteve politike që kanë qenë deri më tani në qeveri kanë dashur t’i kenë duart e lira, në mënyrë që të bëjnë pazare me postet ministrore për formimin e qeverisë. Pantina thotë se pa mbështetjen e të gjitha subjekteve politike, çdo iniciativë për hartimin e këtij ligji do të dështonte.
“Prandaj unë mendoj se iniciativa do duhej të vinte nga Qeveria dhe pastaj subjektet politike, gjegjësisht deputetët mund të japin kontributin e tyre në plotësimin e atij ligji. Duhet të jetë një ligj që nuk është vetëm në bazë të kërkesave, nevojave apo dëshirave të një subjekti politik, por një ligj që mbi të gjitha i plotëson nevojat e qeverisë në radhë të parë, por edhe të shtetit të Kosovës”, tha Pantina.
Një Projektligj i ri për Qeverinë është punuar dhe është i përfshirë në agjendën legjislative të qeverisë. Ai është paraparë të aprovohet në qeveri më së largu deri më 28 dhjetor dhe t’i dërgohet Kuvendit. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Nait Hasani, është në pritje të këtij projektligji.
“Nëse nuk e sjellin deri për vitin e ri, e shohim më tutje”, tha Hasani për Radio Kosovën.
Qeveria e Kosovës aktualisht përbëhet nga 21 ministri, i ka 5 zëvendëskryeministra e shumë zëvendësministra. Deri tani janë emëruar 50 por, pritet të emërohen edhe të tjerë. Hasani thotë se kjo praktikë do të vazhdojë derisa nuk ka Ligj për Qeverinë.
“Përderisa nuk vjen ligji që të stabilizohet, nuk ka mundësi njëherë për njëherë të rregullohet kjo çështje”, tha Hasani.
Nevojën e Ligjit për Qeverinë e kanë përmendur edhe njohësit e çështjeve politike dhe administrative, sipas të cilëve, do të ishte e mjaftueshme që Qeveria e Kosovës t’i kishte më së shumti 12 ministri. Numrin e madh të ministrave e zëvendësministrave, Qeveria nuk e sheh si diçka negative, ngase konsideron se Qeveria e re e Kosovës ka një dinamikë të re qeverisëse, dhe një vëllim më të madh të punëve nëpër dikastere të ndryshme.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...