Google ADS

Projektligji për pagat alarmon krijuesit dhe performuesit e institucioneve kulturore

10:32 | 31 Janar 2019
Arbresh.info

Përfshirja e performuesve të kulturës që janë pjesë e institucioneve kulturore-publike në projektligjin për paga dhe koeficientet e propozuara për ta në këtë projektligj kanë alarmuar punëtorët e këtyre institucioneve.

Përmes një komunikate për media sindikalistë të këtyre institucioneve kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth caktimit të koeficienteve për performuesit kulturorë duke konsideruar se pagat e tyre aktuale duhet të garantohen me Rregulloren (Qrk) Nr. 15/2018 për Gradat dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesëve të Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore.

“Ne përfaqësuesit e Sindikatave të Bashkuara të Krijuesve dhe Përformuesve të Kulturës me shqetësim e kemi pranuar informacionin lidhur me përcaktimin e koeficienteve dhe gradave të krijuesve dhe përformuesve të kulturës me Projekt Ligjin për Pagat, në të cilin jemi komuniteti i vetëm që pagat aktuale të të cilëve nuk janë marr për bazë në vendosjen e koeficienteve në ligj”, thuhet në njoftimin e përfaqësuesve të SBKPK-së.

Më tej sipas kësaj komunikate me këtë projekt ligj, krijuesit dhe performuesit e kulturës dëmtohen shumë rëndë, duke pësuar ulje të pagave aktuale për rreth 50%, paga këto të cilat edhe ashtu shumë janë të vogla në raport me kategoritë tjera si dhe me përgjegjësitë në punë.

Sipas komunikatës në mungesë të Ligjit për performuesit dhe punonjësit e kulturës, pagat e këtij komuniteti janë të Rregulluara me Rregulloren (Qrk) Nr. 15/2018, e cila është miratuar në mbledhjen e 65-të Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendimin 13/65 me datë 13.09.2018, dhe e cila është akti i vetëm juridik që rregullon gradat dhe pagat e punëtorëve të kësaj fushe.

“Kërkojmë nga vendimmarrësit që në mënyrë urgjente të ndërmerren masat e nevojshme për të parandaluar këtë padrejtësi, e cila i është bërë këtij komuniteti i cili edhe ashtu nuk ka gëzuar paga dhe trajtim meritor”, thuhet në komunikatën e Sindikatave të Bashkuara të Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës.

MKSR nuk është deklaruar deri më tani rreth shqetësimeve të komuniteti rreth koeficientëve që përmban projektligji për pagat.

Sipas projektligjit për pagat, krijuesit dhe performuesit kulturore janë të ranguar në pesë grupe, dhe koeficient variojnë nga 1.65 deri në 2.75, që i bije që rrogat bazë mund të arrijnë, nga mbi 394 deri rreth 657 euro

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme