Projektligji për FSK-në do të plotësohet me 46 amendamente

09:32 | 27 Nëntor 2018
Arbresh.info

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të plotësohet me 46 amendamente.

Në amendamentet e siguruara nga arbresh.info kanë pësuar ndryshime më të mëdha amendamenti 1, 6 , 7, 12, 17, 31, 28, 39.

“Në Amendamentin e 1 në nenin 3 të këtij amendamenti në tekstin në gjuhen serbe fjala ‘Koordinator’ do të zëvendësohet me fjalën ‘Komandant’. Pastaj tek Amendamenti i 6 tek neni 3 është shtuar një paragraf i ri i cili thuhet se ‘Koncepti i nënoficerëve të FSK-së është dokument bazik që përcakton zhvillimin e nënoficerëve në FSK. Në Amendamentin e 7 në nenin 4 është riformuluar paragrafi ku thuhet se ‘Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës””, shkruan arbresh.info.

Po ashtu në këtë projektligj janë ndryshuar edhe disa amendamente që kanë të bëjnë me stemën e FSK-së, dhe buxhetin e saj.

Në Amendamentin e 12 në nenin e 5 fjala ‘sila’ në variantin në gjuhën serbë është zëvendësuar me fjalën ‘snaga’. Në Amendamentin e 17 në nenin 9 riformulohet fjalia se ‘Askush nuk ka të drejt të përdor stemën e FSK-së dhe emblemat e njësive të saj, pa autorizim me shkrim të ministrit’. Në Amendamentin 21 në nenin 15 fjala ‘buxhet’ zëvendësohet me fjalën ‘projektbuxhet’”, raporton arbresh.info.

Ndërsa ndryshimet më të mëdha në këtë projektligj duket se janë bërë tek kompetencat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me FSK-në.
Në Amendamentin 28, neni 17 ku bëhet fjalë për kompetencat e Kryeministrit, është riformuluar ku thuhet se:

Kryeministri ka kompetencë të mbikëqyrë dhe të ushtrojë kontroll mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës; Sipas propozimit të Ministrit, t’i rekomandoj Presidentit emërimin, gradimin, shkarkimin dhe lirimin nga detyra të Komandantit të FSK-së; Të përcaktojë dhe të modifikojë strukturën e FSK-së, sipas rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, në konsultim me Presidentin dhe e cila i nënshtrohet konfirmimit nga ana e Kuvendit; Të përcaktoj minimumin e përfaqësimit të të gjitha komuniteteve brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë”, thuhet në këtë projektligj.

Ndërsa sipas ligjit të vjetër i cili është ende në fuqi, Kryeministri ka këto kompetenca.

Në nenin 6 të Projektligjit të tanishëm të FSK-së, Kryeministri ka kompetencë që në mënyrë efektive ta mbikëqyrë dhe të ushtroj kontroll mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes Ministrit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës; Në zbatim të autoritetit nga Kuvendi i Kosovës, Kryeministri ka kompetencë që: a) të autorizoj Ministrin për Forcën e Sigurisë së Kosovës që të urdhërojë angazhimin dhe dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës; b) të angazhoj Forcën e Sigurisë së Kosovës për t’i ndihmuar autoritetet civile në përgjigje të fatkeqësive apo aksidenteve natyrore dhe fatkeqësive apo aksidenteve tjera; c) të përcaktoj dhe të modifikoj strukturën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (shih nenin 14 të këtij ligji) sipas nevojës, në konsultim me Presidentin dhe t’i nënshtrohet konfirmimit nga ana e Kuvendit, d) të përcaktoj minimumin e përfaqësimit të të gjitha komuniteteve brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë”, thuhet në ligjin e tanishëm të FSK-së.

Nga projektligji i ri i cili pritet të miratohet, duket se kryeministri do të ketë kompetencë më të plotë të mbikëqyrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Një ndryshim i rëndësishëm që është bërë është edhe në amendamentin e 39 të këtij projektligji.

Në Amendamentin 39 në nenin 21 thuhet se ‘Komandanti’ i FSK-së është autoritet për emërime, gradime dhe shkarkime të të gjitha gradave, sipas propozimeve të bordeve përkatëse, përveç gradës së gjeneralëve”, shkruan në projektligj.

Neni që nuk ka pësuar ndryshime është lidhur me kompetencat e Presidentit mbi FSK-në.

Sipas ligjit aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës në nenin 5 flitet për kompetencat e Presidentit.

Presidenti është Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenti ka pushtet të autorizoj dërgimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veprime gjatë gjendjes emergjente ose gjatë veprimeve në mbështetje të paqes jashtë vendit, pas aprovimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera përkatëse, Presidenti ka kompetencë që:
a) të emërojë Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës pas rekomandimit nga Qeveria;
b) t’i miratoj të gjitha promovimet në gradën e Gjeneralit mbi rekomandimin e përbashkët të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
c) t’i miratojë të gjitha ndryshimet e emërimit të Gjeneralëve sipas rekomandimit të përbashkët të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
d) të ndajë dekorata, medalje, çmime dhe shpërblime”, thuhet në ligjin aktual.

Projektligjet transformuese të FSK-së, para se të shqyrtohen në lexim të dytë duhet të marrin miratimin edhe në katër komisione të tjera si tek Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për Integrim dhe tek Komisioni për Komunitete. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme