Projekti për tregun e Prishtinës përfundon pas 4 vjetëve, tregtarët të mllefosur për mos fillimin e investimeve

14:01 | 10 Shkurt 2024
K.B

Kanë kaluar tash e disa muaj kur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për procedurat e realizimit të projektit për Tregun e Gjelbër, por punimet ende nuk kanë nisur.

Krejt kjo pasi tregtarët nuk janë zhvendosur ende në hapësirat e ish-objektit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ku Komuna ua ka ndarë deri në finalizimin e tregut.

Ndërkohë, tregtarët po vazhdojnë të punojnë në kushte të pafavorshme, derisa shumë konsumatorë ankohen për kushte të dobëta higjienike.

Bajram Ramadani nga Prishtina punën e tregtarit e zoton tash e 34 vjet. Edhe pse në pension, ai detyrohet të punojë ende për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare.

Ky tregtar i vjetër, për Arbresh.info tregon se që nga koha e tij nuk ka pasur shumë investime në këtë treg.

“Unë punoj këtu që nga vitet e 90-ta që jam larguar nga puna e shtetit, tash jam në pension po duhet të punoj diçka sepse pensioni nga shteti është shumë i vogël”, pohon Ramadani.

Ramadani mirëpret projektin për restaurimin e këtij tregu, duke shtuar do t’ua lehtësojë punën të gjithë tregtarëve këtu.

“Çdo gjë që bëhet për të mirën tonë ne i gëzohemi, në qoftë se kryhen, a në qoftë se vetëm fillojnë e mbesin ashtu dhe nuk punohet, nuk kemi pse të gëzohemi kur është pa rezultat”, shpreh Ramadani.

Deri tek ndërtimi i tregut të ri do të duhen tre deri në katër vjet. Të paktën kështu thotë për Arbresh.info, drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi.

Sipas tij, këto projekte të mëdha duan kohë deri tek finalizimi i tyre në mënyrë që të jenë komode dhe me një hapësirë standarde.

“Projektet e mëdha zakonisht vonohen nuk janë projekte të cilat mund të bëhen brenda ditës, për këtë arsye ne e kemi bërë këtë ide që ta zhvendosim pjesën e tregut, ku pjesa që do të ndërtohet tregu i ri të ketë standarde ku do një kohë deri sa të funksionalizohet ku mund të shkoj deri në 3-4 vite, por do të jenë komod në jetë hapësirën që jemi duke e projektuar.”, tha Xhaferi.

Xhaferi thotë se janë bërë disa investime të vogla vitin e kaluar në hapësirën e AKP-së, ku është ndarë një buxhet prej 450 mijë euro.

“Ne kemi filluar vitin e kaluar sa i përket pjesës së projektit të tregut fillimisht ideja ka qenë që në hapësirën e AKP-së t’i rrënojmë të gjitha objektet që kanë qenë nga AKP-ja, ku e kemi pastruar komplet, ku i kemi bërë disa investime të vogla. Projekti është final, normalisht e kemi ndarë buxhetin, në vitin 2024 janë diku 450 mijë euro të cilat do të tenderohen vetëm pjesa e dizajnit, ndërsa pjesa tjetër do të trajtohet në kuadër të ndërmarrjes banesore”, tha Xhaferi.

Ai shton se tregu do të zhvendoset përkohësisht në hapësirën e AKP-së deri në përfundimin e ndërtimit të tregut të ri.

“Ne komplet tregun do ta zhvendosim në hapësirën e AKP-së, ndërsa te pjesa e tregut e kemi projektin tjetër të cilin e kemi prezantuar në konferencën e investitorëve, ku tregu do të jetë prapë në hapësirën që është tash por do të zhvendoset përkohësisht. Në atë hapësirën do të fillojë ndërtimi i tregut ku do të jetë model për pjesën e Prishtinës, por pa i zhvendosur tregtarët prej asaj hapësirë nuk mund ta planifikosh pjesën e ndërtimit të tregut”, pohon Xhaferi./Arbresh.info/ Edona Krasniqi/

Të ngjashme