Transporti konsiderohet si një nga shkaqet kryesore për rritjen e gazrave serrë në atmosferë, duke ndikuar në ngrohjen globale. Ngasja e një biçiklete konsiderohet zgjidhje ideale për të ndihmuar mjedisin. Këtë po tenton ta bëjë edhe Komuna e Prishtinës, përmes projektit ‘Biçikletat e qytetit’.
Shumë shpejt do të nis fushata informuese për qytetarët rreth përdorimit të sigurt të biçikletave, që pritet të jenë gati në fund të muajit qershor. 100 biçikleta do të jenë në dispozicion për qytetarët e Prishtinës, në 10 stacione të ndryshme.
Lokacionet ku do të vendosen biçikletat janë në Rrugn B, Sheshin “Zahir Pajaziti”, Lagjen e Konvikteve, Bulevardin “Bill Clinton”, Stacionin e Autobusëve, Parkun e Taukbahçes, lagjen Ulpiana dhe në afërsi të shkollës së mjekësisë “Ali Sokoli”.
Alban Zogaj, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, tha se biçikletat do të mund shfrytëzohen gjatë ditës sipas nevojës dhe më pas të kthehen në njërin nga stacionet.
“Qytetarët duhet të regjistrohen në sistem, sepse nuk mund t’i shfrytëzojnë biçikletat pa u regjistruar. Pas regjistrimit në sistem, ata bëjnë pagesën dhe shfrytëzojnë biçikletat. Pagesa do të jetë simbolike, do të jetë për orë dhe do të paguhet online përmes sistemit digjital që do ta komunikojmë shumë shpejt”, u shpreh Zogaj.
Ai thotë se përdoruesit e rregullt të biçikletave do të mund të përfitojnë orë falas. Gjithashtu përmend edhe planet për të ardhmen në lidhje me këtë projekt.
“Për momentin, kemi vetëm biçikleta standarde, më vonë po mendojmë të hyjmë edhe në projekte për fëmijë”, u shpreh nënkryetari i Prishtinës.
Në lidhje me këtë projekt, Prishtina Parking do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e komplet sistemit dhe mirëmbajtjen e parkingjeve të biçikletave.
Berat Rakovica, kryetar i komunitetit të çiklistëve ” Marakli t’Biçiklave”, thotë se janë skeptikë për suksesin e këtij projekti, për shkak të faktorëve të ndryshëm që duhej të ishin adresuar paraprakisht, si infrastruktura dhe koordinimi i duhur.
“Iniciativa për vendosjen në përdorim të 100 biçikletave mund të konsiderohet si një fazë testuese për të vlerësuar funksionalitetin e sistemit të ‘bikeshare’. Duke marrë parasysh nevojat për një projekt të tillë, e shohim këtë iniciativë si të vonuar, por të domosdoshme”, u shpreh Rakovica.
Ai shtoi se Prishtinës i ka munguar një projekt i tillë, pasi është e ngulfatur nga makinat dhe uzurpimi i hapësirave publike. Sipas Rakovicës, ky projekt është i domosdoshëm për të lehtësuar trafikun dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytet.
“Aktualisht, nuk ka shtigje të mjaftueshme për biçiklistët dhe ato që ekzistojnë nuk mbulojnë të gjitha 10 lokacionet e parashikuara për ‘bikeshare’. Mendojmë se lokacionet nuk janë përcaktuar në koordinim të plotë me komunitetin dhe nuk janë pika strategjike për një sistem efektiv të ‘bikeshare’”, tha Rakovica.
Sipas tij, ku projekti pritet të nxisë përdorimin e biçikletave, por praktikisht mund të ketë sfida të mëdha, si rritja e rrezikut në komunikacion për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur, edukimit dhe informimit. Kjo, sipas tij, mund të çojë në vetëaksidente apo aksidente mes çiklistëve dhe makinave, çiklistëve dhe këmbësorëve, si dhe mes vetë çiklistëve.
Agron Bektashi, ekspert i çështjeve mjedisore, u shpreh se komuna duhet të bëjë një kampanjë vetëdijësuese, që të i nxisë qytetarët të përdorin biçikletat në mënyrë që të bëhet një kulturë e përgjithshme qytetare dhe të fitohet bindja se përdorimi i tyre është në të mirën e qytetarëve.
“Është një projekt dhe ide e qëlluar, pikë së pari se e shkarkon trafikun e qytetit, pasi siç dihet Prishtina ka një trafik mjaft të ngarkuar. Si pikë e dytë me rëndësi është se kontribuon në shkarkimin e gazrave të cilat lirohen nga makinat dhe e treta bën një kulturë qytetare që të përdorin sa më shumë mjete alternative përveç makinave”, tha Bektashi.
Vesel Veseli, qytetar i Prishtinës, tha se ky projekt është një ide e mirë, në mënyrë që të pastrohet ajri duke mos u endur me vetura që ndotin ajrin.
“Derisa kam mundësi e forcë fizike do të lëviz, pasi edhe nga ana mjekësore është e preferuar. Unë nuk do ta përdori për veti, por të lirë janë qytetarët që dëshirojnë ta përdorin”, tha Veseli.
Ndërtimi i shtigjeve të çiklizmit nëpër qytet është pjesë e planit 12 vjeçar të mobilitetit. Komuna e Prishtinës ndan çdo vit buxhet të veçantë për implementim për ndërtimin e shtigjeve të çiklizmit, blerjen e biçikletave, si dhe ndërtimin e stacioneve për parkim./rtk
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës