Janë bërë tre vjet që Kadri Rahimaj po ushtron pozitën e kryetarit të Komunës së Kamenicës.
Rahimaj në një intervistë për Arbresh.info, flet për sfidat, projektet e parealizuara, kryeministrin Kurti, si dhe ka shpalosur detaje rreth projekteve, investimeve të reja në komunë dhe planet e tij për një mandat të dytë.
Intervista e plotë:
-Cilat janë problemet me të cilat përballet komuna e Kamenicës në përgjithësi?
Rahimaj: Faleminderit juve për kohën që keni nda për ne dhe Kamenicën. Kamenica ka disa sfida të cilat pothuajse janë të ngjashme edhe me komunat e tjera ku mund të dallohen për nga niveli i vëllimit të tyre. Ajo që na shqetëson më shumë është lëvizja e popullsisë, por jemi duke ndërmarr hapat e nevojshëm që sadopak kjo ngjarje të ketë një nivel shumë më të ulët se sa që e ka pas në 10 vitet e fundit. Ne e kuptojmë që njerëzit kërkojnë një jetë më të mirë dhe një mirëqenie më të mirë, prandaj jemi fokusuar në problemet e infrastrukturës publike që përfshinë trajtimin e rrugëve, ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin dhe trotuaret. Por edhe projektet e tjera zhvillimore duke mos përjashtuar edhe projektet në fushën e arsimit dhe shëndetësisë që kanë një rol të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve që ata ta shohin si mundësi të mirë për me jetu në vendin e tyre.
-Çka cilësoni si sukses tuajin gjatë këtyre tre vjet mandat në Komunën e Kamenicës?
Rahimaj: Ne kemi pasur një qeverisje jashtëzakonisht të shkëlqyeshme dhe transparente që bënë një dallim substancial në raport me 20 vitet e qeverisjes, sidomos në atë të përformancës financiare Komuna e Kamenicës ka përmbyllë në dy vitet e para të qeverisjes mbi 20 milionë euro marrëveshje të projekteve të nënshkruara, ndërsa këtë vit vetëm një marrëveshje që kemi nënshkruar me ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës ka vlerën mbi 13 milionë euro. Është një buxhet shumë i madh që ne po e gëzojmë edhe nga niveli qendrorë edhe nga donatorët e ndryshëm. Kemi donator edhe nga USAID-i edhe nga ambasada amerikane edhe nga UNDP edhe nga Bashkimi Evropian, ka një laramani të donatorëve që më herët nuk kanë qenë në Kamenicë dhe po bëjmë punë të përbashkët me të gjithë ata për ti trajtuar disa nga problemet që i kanë qytetarët këtu. Si sukses ne e konsiderojmë bashkëpunimin dhe koordinimin që e kemi me qytetarët dhe trajtimin e punëve së bashku me qytetarët.
-A ka ndonjë projekt që ka mbetur pa u realizuar?
Rahimaj: Projektet që në i kemi parë në 20 vitet e fundit më pak se 200 mijë euro e poshtë. Me ardhjen tonë në pushtet ne kemi projekte me vlera të larta mbi 3.5 milionë euro. Ndërtimi i stadiumit të atletikës është një projekt që ne mburremi me të që është një stadium i rangut botëror me standarde ndërkombëtare që bënë të mundur realizimin e garave tre vjeçare, është projekt tre vjeçar se kosto e ndërtimit dhe periudha për me u ndërtua ai stadium nevojitet kohë. Gjithashtu ndërtimi i shkollës “Fan Noli” është në vlerë prej 1.7 milionë euro dhe kjo merr kohë gjatë ndërtimit. Pra ka projekte kapitale shumë më të mëdha se sa në 20 vitet e fundit që ne vetëm se ishim mësuar me projekte shumë më të vogla ato sikurse mbi 300 mijë euro projekti më i madh ka qenë Bulevardi 971 mijë euro ndërsa gjithmonë mbi marrëveshjet tona janë mbi 1 milionë euro nënshkruajmë.
-A jeni të kënaqur me buxhetin që ka ndarë Qeveria e Kosovës për komuna?
Rahimaj: Jashtëzakonisht jemi ndarë të kënaqur. Më në fund Kamenica po e merr një pjesë të humbur të nevojës për trajtimin e problemeve. Unë personalisht e kam bërë një analizë financiare kur komunat e tjera kanë marr nga 13 milionë 15 milionë, Komuna e Kamenicës i është ndarë vetëm 1 milionë edhe përbrenda buxhetit vetëm si këste asnjëherë nuk i është dhënë e drejta për me shfrytëzu atë , prandaj ne jemi të vonuar në raport me komunat e tjera me ndarjet buxhetore. Sidoqoftë ne jemi jashtëzakonisht shumë të kënaqur që tash po trajtohen disa nevoja të qytetit tonë, për shkak se edhe si komunë jemi specifike jemi komunë kufitare dhe ne duhet dhe është në interes që banorët ti mirëmbajmë dhe të ua sigurojmë mirëqenien për këtë pjesë.
-Pako të ndihmave për prindërit dhe fëmijët. Nga erdhi kjo ide?
Rahimaj: Ndoshta për dy çështje jam shumë i lumtur në raport me nivelin e Qeverisjes. E para është që Komuna e Kamenicës është komuna e parë që në çerdhet publike ofron ushqim të shëndetshëm për fëmijët. Kjo nënkupton që ne dëshirojmë të rrisim fëmije të shëndoshë por nënkupton edhe një barazi edhe sociale përbrenda vet fëmijëve dhe familjeve. Sepse jo çdo familje ka mundësinë që të konsumoj ose ti ofroj një vaktë me ushqime të shëndosha fëmijës së tij. Prandaj gjatë kohës që qëndron në çerdhe një fëmijë gjatë gjithë kohës do të ushqehet me ushqim të shëndetshëm është njëra prej politikave që më gëzon më së shumti, ndërsa politika e dytë është edhe subvencionimi i nënave lehone që e para ka qenë me mjete financiare, për fëmijën e parë ka qenë 200 euro për fëmijën e dytë 250 euro për fëmijën e tretë 300, ndërsa kësaj i është bashkangjitur së fundmi edhe njëra nga politikat më të reja në Kosovë e që uroj të replikohet edhe në komunat e tjera. Është edhe ‘Kamenica Babybox’ që përfshinë një pako me rroba nga mosha 0 deri në moshën 1 vjeçare për të gjitha stinët dhe një kujdesie shëndetësore për fëmijën dhe për nënën. Vet pako është e dizajnuar në atë formë që mund të shfrytëzohet edhe si shtrati i parë i bebes. Kemi dashur që të jetë në funksion të plotë për fëmijët dhe për nënat dhe kjo pako ka një vlerë prej 300 euro dhe kemi marr jashtëzakonisht shumë komente dhe mezi presin që ta gëzojnë të gjithë prindërit e rijnë që sjellin në jetë një foshnje. Por kjo nuk është e vetmja, ne prapë do të sjellim risi në aspektin e kujdesit ndaj çifteve të reja dhe prindërve që sjellin në jetë një foshnje. Uroj që procedura të na shkoj mbarë dhe më pas edhe të flasim më gjerësisht.
-A është shqetësuese për ju ikja e të rinjve nga Kosova drejt BE-së?
Rahimaj: Sigurisht që është shqetësuese ne i kuptojmë trendët e lëvizjeve. Kamenica gjithashtu ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme në aspektin e diasporës dhe kjo ka bërë që të përshpejtoj ritmin e lëvizjes qoftë tek të rinjtë por edhe te moshat e mesme. Ndërsa ne po përkujdesemi që të ofrojmë infrastrukturën e nevojshme. Së shpejti do të inaugurojmë edhe qendrën teknologjike ku të rinjtë do të kenë mundës të trajnohet në shumë fusha të programimit dhe kështu çdo i ri që aftësohet në fusha të programimit, dizajn ose animacione do të jetë një kuadër i kualifikuar dhe një kuadër me vlerë edhe për shtetin që dëshiron të jetojë. Por mos të harrojmë që sot fusha e teknologjisë po ofron mundësi edhe të eksportit shumë të madh të shërbimeve prandaj nuk është shumë e nevojshme që të rinjtë të rejat dhe çdo kush që dëshiron të trajnohet brenda kësaj qendre të largohet nga vendi i tyre, sepse kostot e pagesës sigurisht që janë më të larta kurse kostot e jetesës dhe ja vlen.
-A ka vendosur Komuna e Kamenicës të fal tatimin në pronë dhe si e shihni këtë ligj?
Rahimaj: Po ne e kemi ndërmarr përmes kuvendit komunal vendimin për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 euro. Ne besojmë se ka qenë një veprim i duhur për arsyet që tashmë i dimë për shkak qe u përballëm jashtëzakonisht shumë njëherë me pandeminë pastaj me inflacionin që çrregulloi tregun global dhe besojmë që ka qenë një influencë pozitive në raport me tatim paguesit këtu në Kamenicë
-A do të kandidoni edhe për një mandat të dytë dhe a besoni që do të fitoni përsëri votat e qytetarëve të Kamenicës?
Rahimaj: Realisht tash jemi jashtëzakonisht shumë të fokusuar në projekte, në sjellje të investimeve të reja për Kamenicën, në sjelljen e investitorëve siç e kemi sjell një investitor nga Zvicra, do të ketë së shpejti edhe investitor të tjerë që do të vijnë në Kamenicë. Kjo është më me rëndësi për neve. Por sigurisht që edhe projektet tona politike por edhe projektet tona kapitale tash për tash janë që ne të jemi këtu për më shumë se sa një mandat dhe sigurisht që do të kandidojmë dhe po besoj fuqishëm që ne po gëzojmë një mbështetje më të madhe se asnjëherë më parë.
-Karaçeva është njohur si vend ku është ushtruar bixhozi, a e keni nën kontroll këtë vend?
Rahimaj: Sigurisht që Karaçeva është një vendbanim në komunën e Kamenicës në aspektin e shërbimeve të sigurisë dhe kompetencave të nivelit lokal është nën kompetencën tonë dhe e kemi nën mbikëqyrje. Nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen të ndodh ndonjë problem por ajo pjesë është nën mbikëqyrjen tonë dhe menaxhohet jashtëzakonisht mirë. Me të marr detyrën në përfundim të vitit 2021 ne jemi interesuar jashtëzakonisht shumë që ta pastrojmë pjesën e kazinove dhe këtë hap e kemi bërë bashkë me Policinë e Kosovës ku i kemi rrënuar të gjitha kazinotë që kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës, brenda territorit administrativ të Komunës së Kamenicës. Ndërsa tash nuk ka asnjë kazino brenda këtij territori. Kazinotë fatkeqësisht janë zhvendosur në territorin e Serbisë aktualisht dhe po veprojnë në atë pjesë. Ndërsa në territorin e Komunës së Kamenicës nuk do të lejojmë asgjë jashtëligjore.
-Sa është e sigurt komuna e Kamenicës, marrë parasysh që është në kufi me Serbinë?
Rahimaj: Unë nëse ndihem diçka krenar ndihem në aspektin shoqëror ku toleranca dhe bashkëjetesa në Kamenicë tash është vlerë e këtij qyteti, vlerë e kësaj shoqërie ku ne jetojmë dhe punojmë së bashku me të gjitha komunitetet kemi fshatra që janë shumë specifik p.sh. fshati Berivojcë, janë komiteti serb, komuniteti rom dhe janë banorët tanë shqiptar që jetojnë gjithë kohën së bashku dhe asnjëherë nuk ka asnjë problem. Është edhe shembull shumë i mirë i bashkëveprimit socio ekonomik, po ashtu tregu i gjelbërit ku qytetarët nga të gjitha etnitë shesin dhe blejnë në të njëjtin vend çdo të premte. Ne në aspektin e sigurisë nacionale jemi të kufizuar me qasjen në informacione por besoj se ne jemi të sigurt dhe janë institucionet e tjera të sigurisë që janë kompetencë e nivelit qendrorë që janë të obliguar të sigurojnë secilin qytetarë.
-Si i shihni kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës?
Rahimaj: Unë po besoj që tashmë është bërë e ditur që shteti i Serbisë dëshiron të krijoj vatra të krizës ose të destabilizoj pjesë të ndryshme të Kosovës. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur edhe me përformacën edhe të Policisë së Kosovës dhe të gjithë akterëve edhe në rastin e fundit po ndihemi shumë të sigurt edhe në institucionet tona, qysh nga Policia, Forcat e Sigurisë së Kosovës por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar që është KFOR-i, që është garantues i paqes dhe të lirisë së këtij vendi. Unë po besoj që këto institucione i kanë të gjitha parametrat dhe informacionet e nevojshme që qytetarët pa përjashtim etnie të ndihen të sigurt dhe të jenë të sigurt në raport me një Serbi e cila ka qëllime tashmë të ditura në raport me shtetin e Kosovës.
-Si e vlerësoni punën e qeverisë aktuale në përgjithësi?
Rahimaj: Unë nuk mund të kem vlerësim tjetër përveç një veprim eksellent në raport edhe me përkrahjen e komunës së Kamenicës por edhe në raport edhe me politika nacionale. Është shumë e rëndësishme të theksohet që tashmë në atë që diskutohet në arenën ndërkombëtare por edhe në raport me Serbinë janë tema që i hap tashmë Kosova. Se kjo disi edhe po anashkalohet dhe nuk po diskutohet. Më parë është diskutuar për çështje të brendshme të Kosovës të cilat janë inicu dhe sponzorizu nga vet Serbia që kanë pasur synim destabilizimin, ndarjen e gjithçka tjetër. Sot këto çështje të brendshme që i ka futur për brenda Serbia përmes shumë mekanizmave të tjerë siç është çështja e dinarit, tash bëhet temë e diskutimit në arenën ndërkombëtare dhe në Bruksel. Pra nuk flitet më për Mitrovicën ose për personalitetin e Kosovës po flitet se si të largohet një mekanizëm shantazues për brenda një shteti siç është Kosova e që është një rezultat i jashtëzakonshëm në raport me nivelin e Qeverisjes.
-Po përmenden zgjedhjet të reja parlamentare, a besoni se LVV do të arrijë të marr sërish 50 përqindëshin e votave?
Rahimaj: Unë besoj që qytetarët duhet me i besu shumë Lëvizjes Vetëvendosje që të ketë edhe një mandat të dytë dhe këtë mund ta ndjejmë në shumë politika që janë shtrirë gjithandej Kosovës por edhe në aspektin e sigurisë dhe shtrirjen e sovranitetit. Por edhe në politika zhvillimore që tashmë janë rezultate të prekshme si në punësim, si në politikat fiskale si në politikat sociale. Unë besoj që kjo qeverisje që po përfundon mandatin e plotë për herë të parë pas shumë qeverisje që zakonisht zgjasnin jo më shumë se dy vite duhet të ketë dhe do ta ketë mandatin e dytë që ti qoj deri në fund reformat të cilat edhe po i kërkojnë qytetarët sikur reformat në sistemin e drejtësisë që e kompletojnë procesin e reformës në zhvillimin ekonomik dhe atë të punësimit.
-Përshkruaje kryeministrin Albin Kurti me tri fjalë?
Rahimaj: Po më doket pak me përshkru me tri fjalë. Po besoj që është njëri prej kryeministrave më të denjë që ka pasur republika e Kosovës bagazhi i tij politik është shumë i madh, njohuritë e tij në raport edhe me sfidat që i ka shteti i Kosovës janë shumë të thella dhe ka një vizion shumë të qartë edhe politik edhe ekonomik se si duhet të ecën më tutje Kosova./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...