Dje partitë politikë kanë dorëzuar listat për kryetarë të komunave për zgjedhjet të cilat do të mbahen me 22 tetor, shkruan arbresh.info
Kandidatë për të parin e kryeqytetit janë Shpend Ahmeti (Lëvizja Vetëvendosje) i cili ka marrë besimin e partisë që të rikandidojë edhe për një mandat. Arban Abrashi (LDK), Lirak Çelja (PDK), Shyqyri Bytyqi (Nisma për Kosovën) dhe Arbër Vllahiu (AAK).
Gara për të parin e Prishtinës shihet si mjaft e vështirë pasi që në këtë komunë pas sa vitesh Lëvizja Vetëvendosje arriti ta marrë kryeqytetin që konsiderohej bastioni më i madh i LDK-së.
Këto janë profilet e kandidatëve për kryetarë të Prishtinës:
SHPEND AHMETI, LËVIZJA VETËVENDOSJE
Shpend Ahmeti ka lindur më 18 prill 1978 në Prishtinë.
Studimet universitare i ka përfunduar në Ekonomi dhe Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari, gjatë viteve 1996 – 2000, duke specializuar në Ekonomi të Aplikuar dhe Administrim Biznesi.
Gjatë kohës së studimeve 1999-2002, Shpendi ishte senator dhe më pas Kryetar i Qeverisë Studentore në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, si dhe udhëheqës i komuniteteve të ndryshme (nga më shumë se dhjetë vende) përgjatë një periudhe të reformave në universitet. Në universitetet amerikane, angazhimi në Qeveri studentore është eksperienca që ndërthur dijen, organizimin, përballjen për mbrojtjen e të drejtave dhe përgjegjësinë e besimin nga shokët dhe kolegët.
Ka përfunduar studimet master në Politika Publike në Universitetin e Harvardit, SH.B.A, gjatë viteve 2002 – 2004, duke specializuar në Zhvillimin Politik dhe Ekonomik.
Prej vitit 2005 Shpendi ka qenë ligjërues i Politikave Publike dhe Politikave Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan këtu në Kosovë (AUK).
Përveç gjuhës amtare shqipe, Shpendi flet atë angleze, serbo-kroate, maqedone, bullgare dhe ka njohuri të gjuhës gjermane.
Është fitues i disa çmimeve e shpërblimeve si World Bank Spot Award dhe i atij në European Debating Championships.
Shpendi jeton në Prishtinë me bashkëshorten, Ardianën, dhe dy fëmijët, Tean dhe Anrin. Ai ka mbajtur edhe pozitën e nënkryetarit nën Lëvizjen Vetëvendosje!
ARBAN ABRASHI, LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS
Abrashi Arban ka lindur më 16 shkurt 1979 në Mitrovicë.
Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Filozofik të Hasan Prishtinës, Departamenti i Shkencave Politike në vitin 2004.
Në vitin 2006 ka diplomuar në Universitetin e Sussex në Mbretërinë e Bashkuar, në fushën e Integrimit Evropian.
Abrashi është përfitues i disa bursave prestigjioze dhe programeve të trajnimit për qeverisje, ka fituar bursën nga Komisioni Evropian, përvojë praktike në Parlamentin Evropian në Bruksel, dhe ka përfunduar Programin e Arsimit Ekzekutiv nga Universiteti i Harvardit në Shteteve të Bashkuara.
Arban Abrashi është i martuar dhe ka një fëmijë dhe jeton në Prishtinë.
2014-2017 Ministër i punës dhe mirëqenies sociale
2010 – Zëvendësministër në Ministrinë e Integrimit të Kosovës.
2010 – Këshilltar i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
2008-2010 – Këshilltar i Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.
Angazhimet në organizata të ndryshme si OKB, OSBE dhe Banka Botërore etj.
Funksionet politike
Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drejtor i Administratës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
SHYQYRI BYTYQI, NISMA PËR KOSOVËN
Shyqyri Bytyqi ka lindur në Drenas por jeton në Prishtinë.
Bytyqi është anëtar i kryesisë qendrore të Nisma për Kosovën. Para se të rreshtohet në NISMA në vitin 2014 ai nuk ka qenë pjesë e asnjë subjekti politik.
Ai ishte ndër themeluesit e parë të Administratës Tatimore të Kosovës nga viti 2000-2005. Përveç përvojës së fituar duke punuar me ATK, ai mbikëqyri një ndër firmat më të besueshme ndërkombëtare të auditimit në Kosovë, KPMG.
Nga viti 2010 dhe deri më tani Bytyqi është drejtor i VALA Consulting e cila është zyrë këshilluese e politikave fiskale, e kontabilitetit dhe e auditimit.
Nga viti 2004 është ligjërues në Shoqatën e kontabilistëve dhe auditorëve të Kosovës SCAAK.
Përveç tjerash ai ka edhe disa funksione si anëtar i këshillit të auditimit në Bankën Ekonomike, këshilltar i Bankës botërore për ‘’ Doing Business “, anëtar i bordit të kompanisë Zero Positive dhe pjesëmarrës në komisione për politikat fiskale si përfaqësues i Odës Amerikane.
Bytyqi është i martuar dhe ka dy fëmijë.
LIRAK ÇELAJ, PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS
Lirak Çelja ka diplomuar në Fakultetin e Arteve, Universitetin e Prishtinës.
Çelja ishte drejtor i Teatrit Kombëtar, dhe së bashku me Florent Mehmetin ka themeluar Teatrin ODA. Si aktor ai luajti në më shumë se tridhjetë shfaqje teatrale dhe në shumë filma. Lirak Çelja ka shkruar edhe disa shfaqje, skenar filmash etj. Përveç karrierës së tij artistike, ai është gjithashtu i përfshirë në politikë si këshilltar politik i këvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.
Nga viti 2001 deri në 2004 ai ishte nënkryetar i Komisionit për Kulturë, Rini Sport në Parlamentin e Kosovës. Çelja është anëtar në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Gjatë viteve 2015-2016 Çelja ishte zëvendës ministër në Ministrinë e Drejtësisë dhe nga viti 2013 është asamblist në komunën e Prishtinës.
ARBËR VLLAHIU, ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS
Arbër Vllahiu është kandidat i AAK-së për kryetar të komunës së Prishtinës,.
Ai ka punuar si shef i departamentit të Arteve Mediale – Akademia Evolucion, shef i stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, shef i Redaksisë për Kosovën – Radio Evropa e Lirë, korrespondent dhe producent i BBC-së, seksionit shqiptar, Ish korrespondent dhe producent i Radio Suedisë, Ish korrespondent i Radios Deutsche Welle, seksionit shqiptar, Ish redaktor përgjegjës i Radio Koha, ish redaktor i agjencisë së lajmeve ARTA.
Arbëri është i martuar me Miradije Vllahiun dhe ka dy vajza, Andinën dhe Anitën./arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...