Google ADS

Profil: Kush është Shpejtim Bulliqi?

23:55 | 29 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Shpejtim Bulliqi do të jetë kryetarii ri i Komunës së Podujevës. Sipas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Bulliqi, që i takon Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë besimin e 51.64 për qind të qytetarëve.

Por kush është Shpejtim Bulliqi?

Shpejtim Bulliqi dikur kishte qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai në vitin 2014 ishte zgjedhur deputet në listën e LDK-së duke arritur të grumbullojë 8 mijë e 859 vota.

Shpejtim Bulliqi ishte caktuar Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Ai atëbotë kishte kundërshtuar demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke e quajtur mashtrim, i parregullt dhe i dëmshëm për Kosovën.

“Ne ju sigurojmë që Mali i Zi, nuk ka dëshmi kadastrale përgjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën dhe se nuk është e kuptueshme përcaktimi i një vije kufitare të ndryshme nga ajo e kushtetutës se vitit 1974. Në momentin e duhur, grupi i ekspertëve të pavarur, do të thërras konferencë për media dhe do të dëshmojë që ky demarkacion është totalisht jo i rregullt, i pa argumentuar dhe i dëmshëm për Kosovën”, kishte thënë ndër të tjera Bulliqi.

Kundërshtitë e tij me të parin e LDK-së, Isa Mustafën, lidhur me demarkacionin, e çuan në ndarje rrugësh. Bulliqi në gusht të 2019-ës, kishte bërë me dije largimin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan KOHA.

Pak ditë pas kësaj, Shpejtim Bulliqi i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e kishte njoftuar lideri i VV-së, Albin Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

“Me Prof. Bulliqin në Vetëvendosje dhe me Lëvizjen në qeverisjen e ardhshme, kufijtë e shtetit tonë do të jenë të paprekshëm”, kishte shkruar ndër të tjera Kurti.

Me aderimin e tij në VV, Bulliqi ishte futur në listë për deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai në zgjedhjet e 6 tetorit kishte siguruar ulësen e deputetit duke siguruar mbi 10 mijë vota.

Me futjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeverisje, në shkurt të 2020-ës, nënkryetari i kësaj të fundit dhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu, kishte marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Me këtë rast, Veliu dha dorëheqje nga menaxhimi i Podujevës dhe kjo komunë mbeti pa kryetar.

Shpejtim Bulliqi, i lindur në fshatin Llugë të Podujevës, më 16 shkurt të këtij viti, ishte kandiduar nga VV-ja për kryetar të komunës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme