Profesori i Kurtit i reagon Abdixhikut: Mos ia nënçmoni diplomën…

00:24 | 30 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Ish-profesori i Albin Kurtit, Agni Dika, ka reaguar pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i kërkoi kryeministrit që ta kthejë diplomën universitare.

Dika shkroi për mençurinë e shprehur nga Kurti në universitet, duke thënë se nuk mund të mos reagonte, sipas tij, kur dëgjon të tillë që e nënçmojnë diplomën e Kurtit, njofton Klankosova.tv.

Shkrimi i tij i plotë:

Të nderuar miq,

Nuk mundem të mos reagoj kur dëgjoj të tillë që e nënçmojnë diplomën e z. Albin Kurti, kur e di se ka qenë absolutisht njëri ndër studentët më të mirë, të cilëve u kam mbajtur mësim, gjatë punës time mbi 45-vjeçare në universitet.

Albin Kurti është inxhinier i diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ku e ka mbrojtur punimin e diplomës në Departamentin e Kompjuteristikës, në të cilin niveli i studimeve është i krahasueshëm me ato të universiteteve evropiane, gjë që dëshmohet edhe me punësimin e të gjithë të diplomuarve, kryesisht jashtë vendit.

Meqë gjatë studimeve, z. Albin Kurti i kam dhënë mësim në tri lëndë, shumë mirë më kujtohen provimet e tij me shkrim, të shkruar me stilograf dhe ngjyrë të zezë, si dhe notat maksimale 10, me të cilat janë vlerësuar, pa pasur qoftë edhe një gabim të vetëm. Gjithashtu, kam qenë anëtar i komisionit për mbrojtjen e punimit të tij të diplomës, i cili ndërlidhej me një tip të veçantë të memorieve kompjuterike. Materiali i përfshirë në diplomë i ngjante një punimi të vërtetë shkencor. Duke e pasur parasysh përmbajtjen e punimit, përgjigjet në të gjitha pyetjet e shtruara, mbrojtja e diplomës njëzëri është vlerësuar me notën maksimale 10.

Të gjithë atyre që mundohen ta nënçmojnë z. Albin Kurti, për ta krahasuar nivelin e tyre, do të ishte mirë ta ndjekin intervistën e tij në BBC (HARDtalk), duke klikuar në linkun vijues, për të parë se si përgjigjet në pyetjet, të cilat kryesisht u përngjajnë atyre të gazetarëve dhe politikanëve serbë”.

Të ngjashme