Profesori amerikan: Bllokada e Serbisë s’është e limituar vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB

21:29 | 5 Dhjetor 2023
E.G

Profesori amerikan dhe njohësi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Edward P. Joseph  ka thënë se deklaratat e fundit të Ministrit të Punëve të Jashtme trë Serbisë, Ivica Daçiq, po e përforcojnë kërkesën e Kosovës që Beogradi t’i nënshkruajë të tri marrëveshjet e mbështetura nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Me anë të një postimi në “X”, ai tha se dje Daçiq nënvizoi deklaratën e Vuçiqit ku thotë se nuk ka nënshkruar propozimin Franko-Gjerman.

“Më 4 dhjetor, Daçiq nënvizoi deklaratën e presidentit Vuçiq që ai nuk e ka nënshkruar planin franko-gjerman. Daçiq tha “kjo nënkupton që ne nuk pranojmë ndonjë interpretim që implikon njohjen e Kosovës dhe që nuk ka hyrje të Kosovës në OKB”, ka shkruar Jopseh.

Tutje, profesori amerikan theksoi se bllokada e Serbisë s’është e limituar vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB.

Joseph përmend një tjetër deklaratë  të Dacic ku thotë se “çfarë është mirë rreth OSBE-së, është që Kosova s’mund të bëhet kurrë anëtare e organizatës sepse kërkohet konsensus për këtë dhe Serbia kurrë s’do të pajtohet për këtë”.

Këto qëndrime të Daçiqit, profesori amerikan thotë se janë në kundërshtim me Nenin 4 të Marrëveshjes së muajit shkurt që njihet si “Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Deklarimet e Dacic në takimin ministerial të OSBE-së në Shkup javën e kaluar shkojnë përtej retorikës elektorale. Ato janë qëndrime të një politike afatgjate të Serbisë. SHBA dhe BE, mbani shënim”, përfundoi ai./Arbresh.info/

 

Të ngjashme