Google ADS

Prodhimi i energjisë bie, konsumi rritet

11:24 | 26 Nëntor 2023
E.H

Dimrat e fundit në Kosovë janë përcjellë me furnizim të çrregullt të energjisë elektrike, shtrenjtim të rrymës dhe thirrje nga Qeveria e Kosovës për kursim.

Teksa muajt e dimrit po afrohen, të dhënat e publikuara më 22 nëntor nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se prodhimi i energjisë elektrike gjatë muajit shtator të këtij viti ka rënë në krahasim me rrymën e prodhuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak.

Bie prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë

Gjatë muajit shtator të vitit 2023 u prodhua më pak energji elektrike në vend, në krahasim me energjinë e prodhuar gjatë muajit shtator të vitit paraprak.

Në prill të këtij viti, Korporata Energjetike e Kosovës dhe kompania amerikane, General Electric, kishin nënshkruar një marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B.

Ky projekt – që kushton rreth 50 milionë euro dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2026 – pritet të rrisë kapacitetet prodhuese me energji elektrike.

Viteve të fundit, sasia e energjisë së prodhuar ka ndryshuar nga muaji në muaj. Të dhënat më të reja tregojnë se, gjatë shtatorit të sivjetmë, prodhimi i energjisë nga termocentralet ka rënë në shifrën më të ulët në të paktën dy vjet.

Për muajin tetor nuk janë publikuar ende të dhënat.

Energjia e prodhuar nga termocentralet, hidrocentralet, era dhe dielli

Në Kosovë, përqindja më e madhe e energjisë elektrike të prodhuar në vend vjen nga termocentralet. Megjithatë, sasia e prodhuar ka ndryshuar nga muaji në muaj.

Për dallim nga sasia e energjisë së prodhuar, konsumi i energjisë elektrike është rritur. Të dhënat e ASK-së tregojnë se gjatë muajit shtator të vitit 2023 u konsumua më shumë energji elektrike sesa gjatë shtatorit të vitit 2022.

Rritet konsumi i energjisë elektrike në Kosovë

Gjatë muajit shtator të vitit 2023 është konsumuar më shumë energji elektrike sesa gjatë të njëjtit muaj të vitit paraprak.

Sipas të dhënave, rritja e konsumit është shkaktuar nga sektori i industrisë dhe nga përdorimi komercial i rrymës.

Kush konsumon më shumë energji elektrike?

Në shtator të vitit 2023, energjia elektrike e konsumuar për përdorim komercial dhe për industri u rrit dukshëm në krahasim me energjinë e konsumuar gjatë shtatorit të vitit paraprak.

Trendi i konsumit ka ndryshuar vazhdimisht në Kosovë, ndërsa arriti në vlerat më të larta gjatë janarit të këtij viti dhe atij vitit të kaluar.

Trendi i konsumit të energjisë elektrike

Sasia e energjisë elektrike të konsumuar, gjatë periudhës nga janari i vitit 2022 e deri më shtator të vitit 2023, ka ndryshuar vazhdimisht. Mirëpo, asnjëherë nuk ka kapërcyer 561 megavate në orë, sa ishin konsumuar gjatë janarit të të dyja viteve.

Për t’i mbuluar kërkesat për energji elektrike, Kosova ka importuar vazhdimisht rrymë. Sasia e energjisë elektrike të importuar e ka tejkaluar shifrën e rrymës së eksportuar.

Importi dhe eksporti i energjisë elektrike në Kosovë

Që nga janari i vitit 2022, Kosova ka importuar më shumë energji elektrike sesa që ka prodhuar çdo muaj, përveç gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2022./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme