Në Kosovë aktualisht janë mbi 500 ndërmarrje prodhuese-përpunuese.
Industria përpunuese-prodhuese në vend merr pjesë me 12.9 për qind në Bruto Produktin Vendor (BPV).
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës (MINT), raporton “Arbresh.info”.
“Ekzistojnë gjithsej 5.984 ndërmarrje në kuadër të Industrisë prodhuese-përpunuese me nga 23 nën sektorë që e përbëjnë nomenklaturën e Sektorit-C. Sektori-C (industria përpunuese-prodhuese) është aktiviteti ekonomik i cili renditet në vendin e dytë me 12.9 për qind të pjesëmarrjes në Bruto Produktin Vendor (BPV) , ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, radhitet në vendin e parë me kontribut në BPV prej 13.6 për qind, sektori i tret me rreth 8.5 për qind është sektori i ndërtimtarisë”, bënë të ditur MINT.
Sipas kësaj ministrie, në ekonominë e Kosovë, ndërmarrjet mikro dhe të mesme përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë, me rreth 99 për qind.
Sektori i prodhimeve në vend mbetet i qëndrueshëm me rreth 13 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) në vendin e tretë pas shërbimeve, ndërtimtarisë dhe minierave.
“Regjioni i Prishtinës prinë me numrin më të lartë të ndërmarrjeve me 27.77 për qind, numrin më të lartë të të punësuarve me 27.37 për qind si dhe në qarkullim me 31.15 për qind. Në vendin e dytë radhitet qyteti i Prizrenit me 16.34 ndërmarrje, pastaj vjen regjioni i Gjakovës, Pejës, Gjilanit dhe i Mitrovicës”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Numri i ndërmarrjeve, të punësuarve dhe qarkullimi
Nga vitet 2019, 2020 dhe 2021, sipas kësaj ministrie është shënuar rritje në punësim, në qarkullim si dhe në numrin e ndërmarrjeve.
“Krahas vitit 2019, punësimi në industrinë përpunuese – Sektori C – ka shënuar rritje për 23.11 për qind në vitin 2020 ndërsa në vitin 2021, rreth 14 për qind. Po ashtu në vitin 2021, Sektori-C ka shënuar rritje të lartë në qarkullim për 44 për qind si dhe për 8.36 për qind në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019”, bënë të ditur MINT në raportin e saj.
Përveç që është shënuar rritje në punësim dhe në qarkullim, në vitin 2021, rritje është shënuar edhe të numri i ndërmarrjeve, për 6 për qind krahasuar me vitin 2020.
“Në vendin e parë, për punësim më të larë është nën sektori “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 25 për qind në vitin 2021 duke shënuar rritje për 22.5 për qind krahasuar me vitin 2020. Po ashtu, ky sektor ka shënuar rritje në qarkullim për 47.6 për qind dhe numër të ndërmarrjeve për 7 për qind më i lart”, thuhet në të dhënat e MIN-it.
Ndërsa në vendin e dytë është “Prodhimi i produkteve materiale jo metalike” me 7.6 për qind me rritjen e të punësuarve, 6.6 për qind rritje në numrin e ndërmarrjeve si dhe 15 për qind rritje në qarkullim si dhe në vendin e tretë është nën sektori “Prodhimi i mobileve” i cili ka shënuar rritje në punësim për vitin 2021 për 28 për qind, rritje në qarkullim mbi 101 për qind si dhe numër të ndërmarrjeve për 7 për qind krahasuar me vitin 2020.
“Në vendin e katërt është nën sektori “Prodhimet e produkteve të gomës dhe plastikës” i cili gjatë vitit 2021 ka shënuar rritje në punësim për 4 për qind, numër të ndërmarrjeve 1.2 për qind si dhe qarkullim vjetor 41 për qind. Sektori i pestë me radhë sipas punësimit është ”Prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike” me pjesëmarrje prej 8 për qind edhe pse në vitin 2021 ka shënuar rënie për 1.5 për qind. Ndërsa ky sektor ka shënuar rritje në numrin e ndërmarrjeve për 4.62 për qind dhe rritje në qarkullim për 38 për qind krahasuar me vitin 2020”, thekson kjo ministri.
Nën sektori i gjashtë është “Prodhimi i pijeve” rritje në punësim për 4 për qind për vitin 2021, rritje të numrit të ndërmarrjeve për 31 për qind dhe qarkullim 103 për qind krahasuar me vitin 2020.
Investimet e huaja në Kosovë
Sipas Ministrisë së Industrisë, investimet e Huaja Direkte në Kosovë, për vitin 2021 krahasuar me vitin 2020 kanë shënuar rritje më të lartë në sektorin “Informacioni dhe Komunikimi”, ku nga vlera 1.6 milion euro ka kaluar në vlerën 17.3 milionë euro.
“Ndër vendet më investime më të larta të IHD-së për vitin 2021, është Gjermania me 123.8 milion euro investime, pastaj e dyta radhitet Zvicra me 99.2 milion euro investime dhe e treta Shqipëria me 51.2 milion euro investime”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Shahini: Tregjet botërore nuk i mirëpresin prodhimet e Kosovës
Por, me çfarë problemesh ballafaqohen prodhuesit vendor, tregon analisti ekonomisë, Agim Shahini.
Shahini për “Arbresh.info” potencoi se fuqia konsumuese në Kosovë është e dobët dhe tregjet botërore nuk i mirëpresin prodhimet e Kosovës.
“Prodhuesit vendor, të cilët janë të pakt në krahasim me tregtarët, dhe konkurrenca e jashtme ballafaqimin kryesor e kanë me fuqinë konsumuese në Kosovë, e cila është e dobët dhe gjetjen e tregjeve të reja nëpër vende të ndryshme jashtë Kosovës të cilët nuk i mirëpresin prodhimet e Kosovës”, thotë Shahini.
Kjo sipas tij, ndodh për shkak të nacionalizmit ekonomik, shtetet agresive, mungesa e vizave për kosovarët etj.
“Për arsyeje të ndryshme qofte agresiv që kanë shtetet e tjera, qoftë për shkak të nacionalizmit ekonomik që kanë konsumatorët e vendeve të reja, qoftë edhe për shkak të mos lëvizjes dhe kufizimit të lirë të bizneseve të Kosovës në Bashkimin Evropian në mungesë të vizave. Por edhe politikat fiskale të cilat në Kosovë janë ende më të shtrenjta sa i përket për të qenë prodhues, përpunues dhe për të qenë investitorë në krahasim me vendet e tjera”, pohon Shahini.
Ndryshe, sipas madhësisë së ndërmarrjeve në Kosovë 86.9 për qind janë ndërmarrje mikro, pastaj janë 11.86 për qind ndërmarrje të vogla, 1.67 për qind ndërmarrje të mesme si dhe 0.17 për qind ndërmarrje të mëdha.
Në kuadër të Sektorit-C, vetëm pesë nën sektorë bëjnë pjesë në kategorinë e ndërmarrjeve të mëdha.
Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit ka shënuar norma pozitive të rritjes ekonomike, përkundër sfidave të shkaktuara nga luhatja në ekonominë globale, sidomos në atë evropiane dhe është rritur vazhdimisht mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Aktivitetet kryesore të cilat kanë kontribuar në rritjen e Bruto Produktit Vendor (BVP) në periudhën 2020-2021 ishin, tregtia me shumicë si dhe aktivitetin e ndërtimtarisë./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Xuxi: Nuk është marre me humb prej dikujt që është më i mirë...
FFK-ja del me njoftim për tifozët dardanë për ndeshjen Ruman...
Lansohen katër shërbime nga ministria e Arsimit në platformë...
“Tani është personale”/ Tysoni godet me shuplakë Paulin, gja...
Anëtarët e Komisionit hetimor dorëzojnë dosje për MPJD-në në...
Gjesti-Xhenetës: Ose po e përkrahim njëri-tjetrin, ose po e ...