Procesi i vetting-ut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, mund të jetë kundër-produktiv për Gjyqësorin, sipas kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci.
Në anën tjetër, Florent Spahija, kryesues i Grupit të ekspertëve të pavarur për modalitetet, llogaridhënie dhe vetting, thotë se ky proces mund të ndihmojë në përmirësimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Institucionet e Kosovës, për disa vite me radhë, janë duke punuar për fillimin e procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo vetëm, por deri më tash ky proces nuk ka nisur ende.
Ministria e Drejtësisë, aktualisht ka angazhuar një grup të ri të ekspertëve të pavarur, të cilët janë duke hartuar strategji për këtë proces, i cili më pas do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës deri në fund të muaji tetor.
Kryesuesi i grupit, Florent Spahija, i cili vjen nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se draftet të cilat po shkruhen, kanë të bëjnë me atë se ku duhet të intervenohet që sistemi i drejtësisë të ketë përmirësime.
Procesi i vetting-ut apo reformës në drejtësi, pritet të bëhet së bashku me aktorë të huaj [ndërkombëtarë]që kanë kontribuuar në sistemin e drejtësisë, thotë Spahija.
“Është diçka që do të na ndihmonte për shkak të ekspertizës që ata kanë qoftë në hetimin e rasteve të gjyqtarëve e prokurorëve, po qoftë edhe në hetimin e realizimin e vetting-ut në vendet e tyre”, thotë ai.
Grupi i ri nisi punë në muajin gusht pasi më parë ishte një grup tjetër i formuar nga qeveria e kaluar (e Albin Kurtit) e që kishte dhënë dorëheqje. Grupi i kaluar dha dorëheqje pasi qeveria e re kërkoi që grupi të zgjerohet me ekspertë të tjerë.
Spahija thotë, po ashtu, se pjesë e grupit punues, veç Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial janë edhe zyrtarë të tjerë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia e Kosovës, po ashtu aty bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit nga Ambasada Amerikane, ajo britanike, EULEX-i, OSBE-ja, dhe Zyra e Bashkimit Evropian.
“Unë mendoj se kjo pjesë tashmë varet komplet nga qeveria, pasi ta marrë dokumentin se si do të veprojë. Pra, a do të shkojë tutje me atë dokument apo do të ndalet dhe do ta ketë një dokument më tepër në sirtarët e saj”, thotë Spahija.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, konsideron se në sistemin gjyqësor ka përmirësime, por ka nevojë edhe për punë të mëtutjeshme.
“Në këtë drejtim ka nevojë të forcohen mekanizmat e brendshëm të sistemit gjyqësor të llogaridhënies dhe të vlerësimit të performances. Dhe, në këtë mënyrë po besoj, ndoshta ai vetting-u klasik siç po quhet në këtë moment, për mendimin tim, është më kontra-produktiv sesa nëse shkojmë në forcimin e mekanizmave të brendshëm”, shprehet Peci.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Coçaj, thotë se në sistemin gjyqësor, ka rritje të efikasitet, transparencës, por, sipas tij, ka edhe rritje të rasteve të ndëshkimit.
Ai nuk deshi të flasë shumë për punën e Grupit të ekspertëve të pavarur që është duke punuar për modalitete, llogaridhënie dhe vetting në sistemin gjyqësor.
“Sa i përket vetting-ut, ne në grupet punuese i kemi dërguar gjyqtarët, [përfaqësuesit] ju e dini është një grup i madh dhe besoj se këta anëtarë që janë në ato komisione, do ta thonë fjalën e tyre”, thotë shkurt Çoçaj.
Grupi i ekspertëve të pavarur për modalitete, llogaridhënie dhe vetting konsideron se procesi i vetting-ut duhet të zbatohet edhe në Policinë e Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i vetting-ut në Policinë e Kosovës është i mirëseardhur.
“[Vettingu] unë mendoj se është shumë i nevojshëm, mendoj se do të rritet, edhe besimi edhe imazhi i policisë. Ky proces ka nevojë që të ndodhë edhe në sistemin e drejtësisë dhe të Policisë së Kosovës”, thekson Qalaj.
Nevojën për procesin e vetting-ut në sistemin e drejtësisë, polici e kanë shtruar shpesh organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e këtij sektori.
Madje, sipas organizatës Instituti i Kosovës për Drejtësi “gjendja në sistemin e drejtësisë nuk mund të ndryshojë pa ndodhur një proces i vetting-ut”.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë është kritikuar vazhdimisht për mosefikasitet të duhur. Organizata vendore dhe ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen sa i takon luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Grupi për Studime Juridike e Politike ka deklaruar se ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, janë duke pamundësuar luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit të publikuar më 20 mars, raporti për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2019, thuhet se në Kosovë qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar. /Rel/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...