Qasja në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është shumë e kufizuar dhe mundësia për të marrë informacione shtesë në lidhje me proceset gjyqësore është e limituar, duke u bazuar në ligjet dhe rregulloret mbi të cilat vepron kjo gjykatë.
Sidoqoftë, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, shpjegoi se fjalët fillestare të prokurorisë dhe mbrojtjes janë për t’u dhënë mundësi palëve që të prezantojnë pasqyrën e përgjithshme të procedurave.
“Procesi fillon në rastin ‘Thaçi e të tjerët’, fillon me 11 prill dhe fjalën do ta ketë prokuroria”, tha Griep.
Ajo u shpreh se sa i përket masës së paraburgimit dhe kohëzgjatjes, gjykata vepron brenda një afati të arsyeshëm, dhe sipas saj edhe pse kanë kaluar rreth dy vjet e gjysmë nga paraburgimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, gjyqtari ka konkluduar se është brenda një afati të pranueshëm.
“Edhe pse varet për secilin rast specifik, por rasti ‘Thaçi e të tjerët’, është kompleks, pasi kemi krime të shumta të supozuara, shumë pika të shumta të aktakuzës dhe për këtë gjyqtarët kanë thënë se koha e mbajtjes në paraburgim është ende e arsyeshme”, tha Griep për RTK-në.
Ajo më tej tha se gjyqtari ka inkurajuar mbrojtjen dhe prokurorinë që t’i organizojnë argumentet e tyre në atë mënyrë që të jenë sa më efikase e ekspeditive që është e mundshme.
Sa u përket dëshmitarëve, Griep tha se mund të aplikohen masa mbrojtëse ndaj tyre, dhe për këtë vendosin gjyqtarët, por vetëm nëse është e nevojshme për sigurinë e tyre dhe familjarëve të tyre.
Bazuar në nivelin e mbrojtjes që gjyqtarët i japin secilit dëshmitar, mund të ketë të tillë që kjo masë u hiqet për mbrojtjen vetëm 30 ditë para dhënies së dëshmisë.
“Kur dalin në seancë, prokuroria e merr në pyetje e pastaj mbrojtja, secilin dëshmitar e merr në pyetje të tërthortë”, tha Griep, duke shtuar se -“ka rregull të caktuar në mbrojtjen e identitetit të tyre, por ka ende dëshmitarë të tillë që nuk mund t’i tregohen mbrojtjes”.
Ajo tha se nuk mund të japë hollësi se sa do të jetë numri i dëshmitarëve të mbrojtur.
“Por, kur ka dëshmitarë të tillë, mund t’i zbulohet identiteti i tij mbrojtjes, megjithatë, fare pak kohë para fillimit të procesit të marrjes në pyetje”.
Griep u shpreh se 11 dëshmitarët e parë janë thirrur për dhënien e dëshmisë.
“Lista e dëshmitarëve është ndarë midis palëve, por nuk e dimë ende përmbajtjen sepse janë ende konfidenciale”, tha ajo.
“Nuk e dimë se në çfarë mase është përcaktuar orari mes palëve. Por gjyqtari sot tha se ka një lloj orari dhe kërkoi prokurorisë t’i përmbahet atij orari, e pastaj mbrojtjes t’i ofrojë mundësinë për marrjen në pyetje të tyre”.
E pyetur për arsyen e transmetimit në publik të seancës me 45 minuta vonesë, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara tha se kjo ka të bëjë me çështje konfidenciale të brendshme sepse ndoshta ndonjë palë gabimisht zbulon një informatë konfidenciale gjatë procedurës.
“Gjyqtarët i kujtojnë galerisë që këto informata nuk mund të zbulohen dhe ato hiqen nga transmetimi para se të dalin në publik”, tha ajo.
Griep tha se skenari mund të jetë që gabimisht mund të shpaloset diçka gjatë procedurës, dhe ajo është që këto informata nuk mund t’i shpalosen askujt dhe çdo lloj burimi që mund ta ketë atë informatë, duhet të mbyllet për publikun.
“Nëse dikush qëllimisht zbulon ose përpiqet të shpërndajë informata konfidenciale me qëllim për të penguar procesin ose frikësuar dëshmitarët, kjo është vepër penale”.
Ajo rikujtoi se për arsye të tillë, tashmë janë dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Sa për media, ajo tha se nuk ka rregulla të tjera vetëm se ligji duhet zbatuar.
“Por, kam kënaqësinë të them se mediat në Kosovë kanë qenë shumë të kujdesshme dhe shumë të përmbajtura dhe nuk kam parë ndonjë përpjekje për thyerje të qëllimshme të këtij rregulli”.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...