Paralajmërimi i kryeministrit, Isa Mustafa dhe ministres për Dialog, Edita Tahiri se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet në dialogun e Brukselit, po shihet si cështje e rrezikshme nga opozita dhe ekspertë. Kjo për faktin se mund të ketë koncesione sikurse ka pasur edhe me marrëveshjet tjera që janë nënshkruar deri me tani mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit.
Ministrja për Dialog Edita Tahiri në muajin shkurt kishte thënë se në fazën e fundit të dialogut do të jetë procesi i shënimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë.
“Në fazën finale temat janë njohja reciproke e pavarësisë së dy shteteve, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve”, kishte thënë Tahiri në një raportim para Komisionit për Punë të Jashtme në muajin shkurt.
Të njëjtën gjë, para paka jave e ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, ndër temat e fundit në dialog do të jetë edhe çështja e demarkacionit mes dy vendeve. Mirëpo, kundër diskutimit për demarkacionin mes Kosovës e Serbisë në Bruksel janë partitë opozitare.
Sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, në asnjë mënyrë nuk duhet që kufiri mes dy vendeve të përcaktohet në Bruksel, pasi serbët kërkojnë vijën elektorale kah janë serbët të kërkohet edhe vija kufitare.
“Nëse i analizojmë të gjitha marrëveshjet, asgjë nuk ka përfituar Kosova dhe po ashtu në Bruksel çdoherë qel diskutime që nuk shkojnë në favor të Kosovës, mirëpo nuk i debaton temat siç janë pensionet, siç janë të zhdukurit, njohja e Kosovës, siç janë e pesë shteteve evropiane. Prandaj mund edhe kjo të shtrohet në Bruksel, mirëpo që do të kemi shumë telashe, sepse ata e lypin vijën elektorale ku ekzistojnë serbet ta sjellin kufirin dhe kjo është diçka që duhet kundërshtuar fuqishëm nga qytetarët por dhe nga Qeveria e Kosovës”, theksoi Lekaj.
Frikë nëse kjo çështje shtrohet në Bruksel, ka edhe profesori i gjeografisë dhe deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, sipas të cilit Kosova mund të humbas edhe në këtë çështje, sikurse ka humbur në të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri me tani në dialogun e Brukselit.
“Po që se pala jonë përgatitet dhe përmes udhëzuesve që punët të cilat duhet të kryhen, në qoftë se do të mbështetet në materialet faktografike nuk mund të jetë problematike edhe nëse negocimi bëhet në Bruksel. Mirëpo nga përvojat që kemi deri sot me Brukselin, Kosova për fat të keq në çdo marrëveshje të deritanishme që është bërë në Bruksel është hyrë në grupin e humbësve. Dhe kam frikën që në rast se diçka e tillë ndodh në Bruksel mund të ndodh që edhe me çështjen e demarkimit të kufirit me Serbinë do të na ndodh diçka e tillë. Dhe ju e dini që Brukseli kur është në pyetje Serbia sa dorë-shlirë është për t’ia plotësuar apetitet për ta zbutur çështjen e Serbisë në raport me Kosovën”, tha Bulliqi.
Profesori Bulliqi, i cili është njeri ndër njerëzit me të zëshëm kundër demarkacionit me Malin e Zi, pasi konsideron se Kosova po humbë territor, thotë se duhet sqaruar disa probleme, para se të vihet deri të ky proces.
“Problemi numër një, është çështja e dokumentacionit kadastral. Ju e dini që dokumentacioni kadastral i yni ndodhet në Serbi dhe ne kemi vetëm kopje të atyre dokumenteve që mendoj për Kosovën do të jetë një hendikep shumë i madh në këtë aspekt. E dyta….për fat të keq kadastrat tonë nga gjeoportalet tona dhe të Serbisë, në disa segmente të kësaj vije kufitare haset në disa probleme të ndryshme të cilat në njërën anë kadastrat tonë na tregojnë që janë pjesë e territorit të Kosovës, ndërsa kadastrat serbe tregojnë se janë pjesë e territorit të Serbisë. Dhe problemi tjetër që është aktual edhe sot e kësaj dite dhe me vështirësi po e anashkalojnë banorët e fshatrat e Kamenicë, Karaqeva është linjë kufitare që Serbia ka arritur ta mashtroj edhe KFOR-in duke i ofruar harta në marrëveshje të Kumanovës, që ka krijuar një problem praktik në teren ku me ç’rast nga analizat që ne kemi bërë diku 170 parcela të qytetarëve të Kosovës faktikisht na mbetën jashtë territorit të Kosovës në atë pjesë”, thotë ai.
Sipas tij, problem tjetër që lidhet me pjesën më veriore me Majën e Panqiqit, ku një pjesë e territorit e cila në aspektin kadastral i takon Kosovës, por nga pamjet që kanë arritur të verifikojnë dhe nga analiza e pjesës hapësinore të asaj pjese, Serbia veç ka filluar dhe ka shtrirë aktivitetin në atë zonë.
Profesori Bulliqi thotë se nëse institucionet e vendit do të shkojnë të përgatitur, atëherë nuk do të ketë probleme, porse nëse shkohet me duar në xhepa në bisedime, atëherë do të ketë probleme.
Edhe profesori i të drejtës ndërkombëtare Vigan Qorrolli, thotë se për të dyja vendet është problem ndarja e kufirit, meqë Serbia nuk e njeh ende Kosovën, prandaj sipas tij, do të ketë nevojë për ndërmjetësim në këtë proces.
“Në këtë fazë politike pa një marrëveshje ndërkombëtare sido që të quhet qoftë traktat paqe, qoftë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, atëherë nuk është realiste të pritet të ketë shënim të kufirit mes Kosovës e Serbisë. Sepse metodologjia e përcaktimit të kufirit do të bëhet vetëm mbi premisa të shtetësisë së saj, të Kosovës, përderisa Serbia nuk e njeh. Tani sigurisht që do të ketë nevojë për një ndërmjetësim të Brukselit zyrtar në fazën kur Kosova e Serbia do ta nënshkruajnë me ndihmën e Brukselit një marrëveshje ndërkombëtare për paqen, pastaj të lejohet shënimi i kufirit vetëm në momentin kur Serbia edhe de jure do të duhej ta njihte Kosovën”, tha Qorrolli.
Ai shtoi se diskutimi për këtë çështje me ndërmjetësues do të jetë e vështirë, sepse çdo negociatë ka koncesionet e veta.
“Në tryezën e negociatave në diplomaci dhe në përgjithësi në marrëdhëniet ndërkombëtare njihen teoritë e dy fituesve dhe në këtë rast të dy palët duhet të jenë fituese….Koncesionimi i palëve është i domosdoshëm në diplomaci, sepse ne tash po e shohim rezultatin e koncesionimeve nga të dyja palëve nuk mund ta fajësojmë as Beogradin as Prishtinën sepse në momentin që nënshkruan një marrëveshje si shtet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare ti me patjetër e ki obligim sipas konventave ndërkombëtare me i apliku ato.
Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati thotë se nëse palët do të kenë pajtueshmëri, atëherë nuk ka nevojë të diskutohet në Bruksel por nëse nuk ka, atëherë do të duhet patjetër.
“Në rast se kalohet nëpër një proces pajtueshmërie atëherë nuk ka nevojë ajo të jetë temë e dialogut, porse do të punojnë ekipet profesionale edhe aspekti teknik i demarkimit do të shkoj, por nëse ka konteste normalisht do të kërkoj atë fasilitatorin, pra subjektin që do ta ndihmoj, pra në mes të Kosovës dhe Serbisë do të futet BE-ja, SHBA-ja për ta lehtësuar dialogun nëse ka papajtueshmëri. Megjithatë, ajo ditë do të vije, por unë mendoj që ajo është herët që ne të mund me saktësi të themi nëse do të pajtohet apo jo Serbia dhe si do të shkoj si proces. Më e rëndësishmja është ajo që në fund të dialogut do të diskutohet për demarkimin e kufirit por edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, thekson Ferati.
Deputeti Ferati nuk thotë nëse mund të ketë probleme gjatë shënimit të vijës kufitare me Serbinë, sikurse ka aktualisht me Malin e Zi, por thekson se koha do të tregojë nëse me Malin e Zi ishte vërtetë problem, apo e bënë vet problem çështjen e demarkimit.
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...