Qyteti i Prizrenit është një nga qendrat kryesore të Kosovës dhe si qytet me vlera historike dhe kulturore, si dhe me mundësi shkollimi edhe në nivelin universitar, ofron mjaft mundësi për jetën e përditshme të të rinjve, vlerësojnë disa të rinj të këtij qyteti.
Në rubrikën e përjavshme për të rinjtë “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se i vlerësojnë mundësitë që i jep ky qytet për të rinjtë, por megjithatë, sipas tyre, perspektiva për ta në këtë qytet është e luhatshme.
Kaltrina Krasniqi, nxënëse e Shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”, thotë se qyteti i Prizrenit ofron mjaft për të rinjtë.
“Qyteti i Prizrenit është një qendër e mirë kulturore. Sidomos, jeta e natës, për mendimin tim është mjaft e mirë dhe ka çka ofron. Por, edhe ditën, normalisht. Sidomos rinia në Prizren është mjaft e madhe. Ka të punësuar, sepse ka mjaft hotele dhe ka mjaft lokale, mirëpo nuk është punë shumë stabile. Ka perspektivë, mirëpo, mendoj që ndoshta ka nevojë pak më shumë, sidomos për punësim dhe gjëra të tjera”, thotë Kaltrina.
Shenoll Qylangji, student i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prizrenit, shpreh mendimin se jeta e të rinjve në Prizren është e ngjashme me të bashkëmoshatarëve në qendrat tjera.
“Qyteti i Prizrenit ofron shkollimin së pari, por edhe punësimin e të rinjve. Është qendër turistike. E kemi mjaft të zhvilluar turizmin. Mund të gjejnë punë, nëse janë të interesuar, por është problem, sepse numri është i madh e ndoshta qyteti i vogël. Dikush punon, e dikush në shtëpi”, shprehet Shenolli.
Mendim të përafërt për atë që ofron Prizreni për të rinjtë, ka edhe Xhemajl Çoçaj, nxënës i shkollës së mesme:
“ E ke shkollimin, jetën e natës, të gjitha. Është mesatar, normalisht, si gjithkund në Kosovë. Nuk ka diçka që është më e shtrenjtë në Prizren se sa diku tjetër. Unë jam edhe në punë. Pse të mos punoj? Kam kohë për të punuar dhe për të mësuar”.
Alba Fejza, thotë se studion Menaxhmentin Ndërkombëtar në Universitetin e Prizrenit. Ajo vlerëson se të rinjtë në këtë universitet kanë ligjërues mjaft të mirë.
“Në Universitetin e Prizrenit kemi shumë profesorë që vërtetë janë të shquar dhe kanë bërë vendin për të qenë aty. Ka vend ku mund të gjej punë, por unë kam synime tjera, të dal jashtë Kosovës, të vazhdoj për master. Mendoj se mund të shkoj në Angli. Kam synim që patjetër të kthehem në Kosovë dhe të kontribuoj për Kosovën”, shprehet Alba.
Enver Bytyci, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prizrenit, thotë se qyteti i Prizrenit u ofron mjaft të rinjve, por, sipas tij, punësimi pas përfundimit të studimeve nuk është i sigurt:
“Qyteti i Prizrenit për të rinjtë ofron shumë gjëra, duke filluar që nga shkollimi. Për punësim është puna pak më keq, por megjithatë ka përmirësime. Kështu që, nuk është keq, por mund të jetë edhe më mirë. Po të ishte punësimi më në nivel, do të ishte gjithçka në rregull”.
Edita Hoxhaj, nxënëse e Shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”, thotë se qyteti i Prizrenit është qytet turistik, që bart vlera historike dhe kulturore. Si i tillë, tërheq mjaft vizitorë dhe rrjedhimisht edhe mundësi për punë për të rinjtë, ndonëse sipas saj, mundësitë e tilla nuk janë krejt të sigurta.
“Ofron gjithçka, qoftë për t’u vizituar nga të tjerët, por edhe ka punë. Ka këtu plot kafiteri, ku ne të rinjtë mund ta kalojmë kohën. E kemi edhe kalanë që është shumë e bukur për t’u vizituar edhe nga të tjerët dhe shumë vizitorë, gjatë stinës së verës por edhe gjatë stinëve të tjera, vijnë këtu për ta vizituar. Nuk janë mundësitë më të mirat, por me këto që i kemi, po përpiqemi ta bëjmë një zgjidhje”, thotë Edita.
Të rinjtë në Prizren shprehin mendimin se ky qytet, për shkak të trashëgimisë së tij historike dhe kulturore, popullsisë shumetnike, por edhe vetë pamjes së qytetit, vazhdon të jetë qyteti më i bukur në Kosovë.
Makina del nga rruga, humb jetën shoferi në Kurbin
Kroacia synon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak ...
Kurti uron Krishtlindjet: Kujdesi dhe dashuria për tjetrin n...
Rusia nis një tjetër sulm në shkallë të gjerë ndaj infrastru...
Makina del nga rruga, humb jetën shoferi në Kurbin
Fenerbahce e gatshme të paguajë shifrën dyshifrore për trans...