Të enjten më 18 gusht, udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Bruksel, mes shtimit të tensioneve dhe retorikës mes të dy vendeve. Ekspertët ndërkombëtarë nuk presin arritjen e ndonjë marrëveshjeje, ndonëse takimet shihen si zhvillim pozitiv për uljen e tensioneve në rajon.
Ekspertët i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian që të ndryshojnë politikat e zgjerimit pasi momentalisht ndikimi i bllokut evropian ka shënuar rënie.
Tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë nxitur Bashkimin Evropian dhe NATO-n të ftojë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin, Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 17 dhe 18 gusht.
Ky do të jetë takimi i tretë në Bruksel në mes tyre. Takimi i parë ishte në qershorin e vitit 2021 dhe i dyti pas një muaji, në korrik.
Asnjë nga këto takime nuk prodhoi rezultate.
Ekspertët nuk shprehen optimist as për takimin e tanishëm.
Ajo që nxit edhe më shumë mosbesim është retorika e ashpërsuar e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
“Do të ishte tërësisht e papërgjegjshme të përjashtojë mundësinë e tensioneve të reja dhe një konflikti të ri, me gjithë këto politika agresive të Beogradit. Eshtë e mundshme”, i tha kryeministri Kurti “Reuters” më 10 gusht.
“Mos vrisni njerëz. Dhe ne nuk duam të vrasim njeri, nuk e kemi ndërmend… Po ju them po përgatisin likuidimet e popullit tanë në veri”, tha presidenti serb, Vuçiq, një ditë më pas.
Pas këtyre deklaratave, Bashkimi Evropian i paralajmëroi ata se “politikanët e nivelit të lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për përshkallëzimin e situatës që çon deri te rritja e tensioneve dhe mundpësitë për dhunë në rajon”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ndonëse i shqetësuar për retorikat nxitëse shprehet më optimist për dialogun mes tyre.
“Personalisht, mendoj se kemi më shumë arsye për optimizëm sesa pesimizëm, por edhe se të gjitha palët duhet ta frenojnë pak retorikën e tyre, sepse pati disa fjalë të ashpra, që nuk i ndihmojnë shumë këtij procesi”, tha ambasadori Kristofer Hill gjatë intervistës me televizionin publik serb më 13 gusht.
Mirëpo, analistët janë më të zymtë në parashikimet e tyre.
“Ky proces është qesharak. Që në fillim nuk janë përcaktuar se cilat janë qëllimet e dialogut. Qëllim i qartë duhet të jetë njohja reciproke dhe sovraniteti për Kosovën dhe Serbinë. Nëse Serbia nuk është e përgatitur ta pranojë këtë, është humbje kohe të gërmojmë skajet e marrëveshjeve të vogla”, tha për Zërin e Amerikës, eksperti amerikan, David Phillips.
Ndërsa për zonjën Ivana Stradner nga Instituti amerikan “Enterprise”, rreziku i dështimit të BE-së në Ballkan rrezikon t’i humbasë bllokut evropian në tërsi besueshmërinë.
“Kam frikë se BE-ja nuk e ka një plan të qartë për Ballkanin. Ky është shqetësimi im kryesor pse nuk kam shumë shpresë për takimin e ardhshëm se do të zgjidhë të gjitha problemet që kanë ekzistuar për më shumë se një dekadë. Ky do të jetë një test serioz për BE-në, nëse ata do të jenë të gatshëm dhe në gjendje të zgjidhin këtë krizë përpara vjeshtës. Duhet sa më shpejtë të veprojnë, sepse kohët e fundit ata njoftuan zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe u dhanë vendeve të tjera si Moldavia mundësinë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Nëse ata nuk dërgojnë një sinjal të fortë në Ballkan atëherë pikëpyetja për vende si Ukraina dhe Moldavia, do të ishte nëse zotimi për zgjerim i BE-së është një premtim i rremë”, tha zonja Stradner për Zërin e Amerikës.
Dialogu në Bruksel ka filluar në marsin e vitit 2011, dy vitet e para vetëm teknik e më pas në nivelin e udhëheqësve politik.
Marrëveshja e parë në korrikun e vitit 2011 për lëvizje të lirë, ishte ajo që nxiti tensionet e fundit në Kosovë. Marrëveshja iu mundësonte qytetarëve të kalonin kufirin me një letërnjoftim dhe një dokument të shkruar “hyrje/dalje” që lëshohet në kufi. Serbia e nisi zbatimin e saj menjëherë, ndërsa Kosova jo, duke lejuar personat me dokumente të Serbisë të futeshin në Kosovë pa nevojën e një dokumenti shtesë.
Kryeministri Kurti vendosi të kërkojë zbatimin e saj, gjë që çoi në tensione dhe bllokimin e rrugëve në veri. Kosova gjithashtu vendosi të zbatojë pikën tjetër të marrëveshjes së para 11 vjetëve, që u kërkon banorëve serbë të Kosovës të përdorin targa të Kosovës. Aktualisht ata përdorin targa të Serbisë.
Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, nënshkruan një marrëveshje prej 15 pikësh për normalizimin e marrëdhënieve, ku ndër të tjera parashikohej edhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës.
Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet më 18 gusht.
Mirëpo fakti që mbi 30 marrëveshje të nënshkruara, një mori prej të cilave asnjëherë nuk është kuptuar nëse vërtetë zbatohen apo jo, nxit frikën për humbjen e besimit në aftësinë e BE-së për të shënuar sukses me këtë dialog.
Nuk i takon BE-së të imponojë zgjidhje ndaj partnerëve, veçanërisht tek ata partnerë që e kanë shprehur qartë se objektivi strategjik i tyre është t’i bashkohen BE-së.Rruga drejt BE-së është në fakt mjeti që BE-ja ka dhe natyrisht ne po e përdorim atë”, tha së fundi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Serbia asnjëherë nuk ka shkuar në Bruksel me vullnet të mirë, apo me dëshirë për të arritur ndonjë rezultat të vërtetë. Sigurisht që dialogu është i rëndësishëm dhe palët duhet të qëndrojnë në kontakt me njëra-tjetrën. Por, nuk ka arsye të mendohet se qasja e Serbisë kësaj radhe do të jetë ndryshe nga ajo që ishte në të kaluarën kur ajo shfaqet dhe përpiqet të turpërojë dhe tallet me delegacionin e Kosovës. Më 18 gusht do të shohim një përsëritje të asaj që e kemi parë më parë”, tha për Zërin e Amerikës zoti Phillips.
“Bashkimi Evropian ka bërë një mori gabimesh deri më tani pasi ka përdorur shumë më tepër karrotën se sa shkopin. Por, çështja tjetër është: pse BE-ja, sidomos pas deklaratës së para disa vjeteve të presidentit francez, Macron për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së nuk e bën të qartë nëse ky zgjerim është i vërtetë apo jo? + Unë mendoj se duhet të merremi edhe me udhëheqësit në Perëndim, ata duhet të jenë të sinqertë dhe ta bëjnë të qartë nëse vërtet i duan ata të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, sepse në përgjithësi korrupsioni në Ballkan është shumë i lartë dhe shumë vende momentalisht nuk janë demokraci të plota”, shton më tej zonja Stradner.
Mos dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën, shtyrjet e pafund të procesit për të gjitha vendet e Ballkanit vetëm sa e kanë dobësuar ndikimin e Brukselit në rajon, thotë zonja Stradner.
Me të pajtohet edhe Michael Leigh, ish drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian i cili i tha Zërit të Amerikës se niveli politik i BE-së ende nuk po pranon idetë e reja të akademikëve që thonë se procesi i anëtarësimit duhet të ndryshojë p.sh. duke i bërë pjesë e tregut të përbashkët të BE-së vendet e Ballkanit, edhe para se anëtarësimi të bëhet realisht i besueshëm.
“Disa organizata kanë dalë me ide të tjera më ambicioze, që i tërë procesi i zgjerimit të kryhet gradualisht, që vendet të bëhen në një farë mënyre “anëtare” hap pas hapi, dhe jo pasi të kenë plotësuar të gjitha kushtet. Këto ide nuk janë marrë në shqyrtim nga niveli politik ende,” tha për Zërin e Amerikës zoti Leigh.
Ai thotë se zotimet që së fundi i bëri BE-ja për Ukrainën dhe vendet e tjera të ish bllokut sovjetik për anëtarësim të përshpejtuar vetëm sa rrezikon dobësimin edhe më të madh të besimit që Ballkani e ka tek BE-ja. /voa/
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...
Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Pacolli udhëton drejt A...