Google ADS

Pritje të shkurtra të bashkatdhetarëve nëpër kufi

18:30 | 9 Korrik 2017
Arbresh.info

Korriku dhe gushti janë muajt kur Kosova vërshohet nga bashkatdhetarët që vijnë për t’i kaluar pushimet në vendlindje.

Për shkak të fluksit të madh dhe të procedurave nëpër kufi, bashkatdhetarëve shpeshherë u ka rënë të presin me orë të tëra nëpër pikat kufitare qoftë në Serbi apo në Kosovë.

Sivjet në pikën kryesore ku ka fluks më të madh të atyre që hyjnë në Kosovë janë edhe duke u kryer punime në infrastrukturë. Mirëpo të dielën bashkatdhetarët të cilën kanë folur për Kosovapress kanë deklaruar se nuk kanë pritur në këtë vendkalim.

Sami Halili i cili jeton dhe punon në Gjermani tha se duke ardhur në Merdar nuk ka hasur në kolonë të veturave.

“Këtu kemi kaluar shumë mirë. Nuk kishte pasur kolonë fare, as 10 minuta nuk na ka rënë të presim”, u shpreh ai.

Njëjtë shprehjet edhe Osman Guri sipas të cilit në të hyrë të Kosovës nuk u ka rënë të presin përveç në Suboticë.

“Vetëm pak në Serbi duke hyrë kemi pritur rreth 4 orë”, tha ai.

Por Valdrin Aliu thotë se pritjet e gjata nëpër kufi janë të cdovitshme.

Ai tha se pritjet bëhen edhe më të mërzitshme kur të kieht parasyush se temperaturat janë të larta.

“Kolonat e gjata… dhe temperaturat e larta më së shumti”, u shpreh ai.

Përveç pritjeve dhe vapës, mërgimtarët e kanë edhe një hall tjetër. Isa Berisha i cili jeton në qytetin Hamburg të Gjermanisë tha se po kanë problem me valuta në shtetet që nuk e kanë euron valutë të tyre.

“Nëpër rrugë zakonisht kur ndalemi nëpër shtetet që nuk e kanë euron e kemi problem të marrim naftë se përndryshe sikur në Hungari dhe në Çeki, ata kur po e llogarisin atë euron me valutën e tyre, ata gjithmonë po mundohen me një fjalë me na e lëshuar, por edhe ne po mundohemi pak më ndryshe që me ua kthyer siç po na bëjnë ata neve”, u shpreh ai.

Ndërsa Bashkim Maloku nga Podujeva thotë se sigurimi i veturave, mbetet problem kryesor i mërgimtarëve në Merdare, përderisa shprehet se kanë vërejtur përmirësime në pikën kufitare në Kosovë.

Ai tha për KosovaPress se çështja e sigurimit të veturave nuk ka të bëjë me pagesën që duhet të bëjnë ata, por siç tha ai, kartoni i gjelbër duhet të njihet edhe në Kosovë sikur në gjithë vendet e tjera evropiane.

Rrugën nga Gjermania për në Kosovë nuk e sheh aq problematike Sabit Cakiqi. Ai është pensionist i Gjermanisë dhe thotë se në shtetin gjerman shkon gati çdo dy javë.

Sipas tij gjatë rrugës në Serbi ndonjëherë hasin në ndonjë vështirësi por që siç tha ai, me nga një kafe tejkalohen ato.

“Mirë. Kapak po na ngucin veç nga një kafe. Cilindo që e takon duhet t’i japësh diçka”, tha ai përderisa shtoi se në Kosovë kalon shumë mirë.

Për hyrje dhe daljet e qytetarëve nëpër pikat kufitare të Kosovës raporton çdo ditë Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Sipas raportimit të kësaj Qendre të dielën deri në orën 14:00 hyrje me më shumë njerëz ka pasur në Merdarë, Vërmicë, Han të Elezit dhe te pika Dheu i Bardhë.

Vetëm në Merdarë sipas QKMK-së ka pasur kolona prej 150 deri në 180 metra. Ndërkaq, në Vërmicë sipas këtij raporti, janë evidentuar kolona prej 100 deri në 150 metra.

Janë pikat kufitare si në Qafë të Morinës, Mutivodë, Bërnjak e Muçibabë që kanë fluks më të vogël të mërgimtarëve që sot ia kanë mësy Kosovës.

Ditë më parë Ministria e Diasporës nëpërmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se pasi që tash është koha e pushimeve, kur bashkatdhetarët vijnë në atdhe, u rekomandon që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare të menaxhimit kuftare, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes.

“Duke konsultuar këtë faqe, bashkatdhetarët do të kenë mundësi të kalojnë aty ku e kanë më lehtë dhe ku nuk krijohet kolonë e gjatë pritjeje. Për çfarëdo problemi ose halli që mund t’u paraqitet gjatë rrugës, bashkatdhetarët menjëherë duhet të njoftojnë Policinë e Kosovës dhe Zyrën e Kosovës në Beograd”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri.

Sipas statistikave, të dielën nuk ka pasur pritje më shumë se 10 minuta dhe gjendja në pikat kufitare duket të jetë e qetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme