Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe ministri i Sportit, Hajrulla Çeku me bashkëpunëtorë, janë pritur sot në Shtëpinë e Futbollit në Cyrih, nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe drejtori i FIFA-s për federatat anëtare të Evropës, Elkhan Mammadov.
Në një atmosferë tejet të ngrohtë dhe miqësore, i pari i FIFA-s fillimisht e ka falënderuar edhe një herë kryetarin Ademi dhe institucionet e Kosovës për pritjen e përzemërt në fillim të vjeshtës së kaluar. Ai shprehu mirënjohjen e tij për progresin që ka bërë futbolli i Kosovës pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, teksa u shpreh i bindur se rrugëtimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ashtu sikurse në takimin e djeshëm me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, edhe në takimin me të parin e futbollit botëror, u shpalos plani 5-vjeçar i investimeve të ekzekutivit kosovar në infrastrukturën e futbollit në Kosovë. Ky plan investiv, i cili bëhet në bashkëpunim me MKRS-në, FFK-në dhe Komunat, parasheh përmbylljen e projekteve aktuale të renovimit të stadiumeve, si dhe ndërtimin e stadiumeve të reja me standardet e UEFA-s e FIFA-s.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e përkrahjes financiare nga FIFA si dhe periudha kohore e përmbylljes së punimeve në stadiumet që janë prioritet nga plani i ministrisë.
Presidenti Infantino u shpreh i lumtur me shpalosjen e këtij plani dhe lavdëroi seriozitetin e këtij projekti, teksa theksoi se ndjehet i lumtur që Qeveria dhe Komunat janë afër FFK-së, pasi sipas tij kjo ndihmon që projeket e tilla madhore të realizohen më lehtë. Infantino lavdëroi shtetin e Kosovës që e ka vendosur si prioritet përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në vend, teksa tha se Kosova ka talente të shumta në futboll, prandaj edhe e meritojnë që t’u krijohen kushtet sa më të mira për ta zhvilluar talentin e tyre.
Ai, gjithashtu u shpreh i sigurt se Kosova në ndeshjet e ardhshme do të ketë sukses. Gjatë këtij takimi u dakordua që përmes FFK-së të vazhdojnë kontaktet tripalëshe në realizimin e projekteve, derisa Infantino edhe një herë përgëzoi krerët e FFK-së për punën e bërë dhe ua bëri prapë me dije që dera e FIFA-s është gjithmonë e hapur për ta, pasi ata janë pjesë e familjes së madhe të futbollit botëror dhe se siç theksoi Kosova për të është një vend i veçantë. /arbresh.info/
OBSH: Izraeli synon sistemin shëndetësor në Gaza
Në Shqipëri konfirmohen raste me Murtajën Afrikane të Derrav...
ATK-ja mblodhi gati 1 miliard euro të hyra sivjet, kontribuu...
Përurohen sportelet digjitale në Klinikën e Kirurgjisë në QK...
Enis Bardhi po i bashkohet gjigantit kroat
Hovenier: Kosovë, gjithmonë do të kesh një vend të veçantë n...