Google ADS

Pritja solemne për Krishtlindje, Osmani: T’i rikujtojmë vlerat tona që i shëmbëllen aq mirë e aq thellë, Gonxhja jonë

22:57 | 24 Dhjetor 2024
E.H

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani mori pjesë në pritjen solemne me rastin e festës së Krishtlindjes.

Osmani në fjalën e saj të rastit uroi besimtarët e krishterë ndërsa rikujtoi karakterin e vërtetë të Krishtlindjes, vuajtjet e Krishtit për njerëzimin, flijimin e ringjalljen e tij.

“T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të. Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë”, u shpreh e para e shtetit.

“Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha, ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”, u shpreh tutje Osmani

“Prandaj, sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi fort sonte e në gjithë motin që vjen për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani, teksa u shpreh se “Krishtlindja është moment për të treguar mirësi e kujdes ndaj tyre, duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë, një gjest dashurie, le ta ndriçojmë botën e tyre”, tha Presidentja Osmani.

Në fund të fjalimit të saj, Osmani pati edhe një mesazh për qytetarët.

“Le të qeshim, të festojmë e të krijojmë kujtime që do të zgjasin një jetë të tërë! Le t’i kujtojmë ata që nuk mund të jenë me ne dhe t’i mbajmë afër në zemrat tona! Le t’i kujtojmë po ashtu, siç e thashë, edhe ata që kanë më së shumti nevojë dhe më e rëndësishmja, le ta mbajmë me vete frymën e Krishtlindjes shumë kohë, edhe pasi dekorimet të jenë larguar”, tha Osmani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme