Sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla e ka çuar në dhjetë numrin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve që ka regjistruar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) deri më tani këtë vit.
Organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe vetë gazetarët që ishin viktima të dhunës fizike, urojnë që sulmi ndaj Sylës të mos mbetet i pazbuluar siç ka ndodhur me rastet ku ata ishin viktimë.
Ani pse policia nisi hetimet menjëherë pas sulmit, personat që rrahën Sylën, për të cilët tha se ishin tre, nuk janë identifikuar ende nga organet e drejtësisë.
Xhemajl Rexha, udhëheqës i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) thotë se vërehet një trend i rritjes së rasteve të dhunës ndaj gazetarëve.
“Ky është një trend absolutisht shqetësues dhe alarmues për AGK-në”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.
Një ditë pas sulmit, Syla, në një postim në llogarinë e tij në Facebook shkroi se u sulmua nga tre persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, për siç dyshon ai, disa postimeve kritikuese të tij për disa udhëheqës fetarë.
Në reagimin e tij, ndër tjerash Syla tha se “fjala është e lirë” dhe se “të gjithë ata që predikojnë kundër lirive, nuk janë as për paqe e as për liri”.
Në vitin 2021, sipas AGK-së, janë regjistruar 29 raste të dhunës fizike dhe kërcënimeve të formave të ndryshme ndaj gazetarëve.
Një vit më pas, në vitin 2022, sipas kësaj organizate, janë regjistruar katër raste më shumë, gjithsej 33 ku gazetarët kanë qenë viktima të dhunës fizike, sulmeve apo kërcënimeve në forma të tjera.
“Besojmë se një prej arsyeve pse vazhdon të ketë raste të tilla të sulmeve ndaj gazetarëve janë pikërisht vendimet që i marrin organet e drejtësisë”, thekson Rexha, derisa nënvizoi mungesën e efikasitetit të organeve të drejtësisë në hetimin e dhunës dhe kërcënimit të gazetarëve.
Ai thotë se dënimet që shqiptojnë gjykatat për ushtruesit e dhunës apo kërcënuesit e gazetarëve janë zakonisht të ulëta dhe mund të paguhen lehtësisht.
Kjo, sipas tij, është vetëm inkurajim për të tjerët që të vazhdojnë kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.
Gazetari Syla ishte sulmuar fizikisht edhe në vitin 2020. Pas procesit gjyqësor, personi që ushtroi dhunë fizike mbi të, u dënua më 4.500 euro gjobë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në pritje të drejtësisë nga 25 shkurti i vitit 2021
Këtë datë, rreth mesnatës, derisa po kthehej në banesën e tij, gazetari Visar Duriqi u sulmua fizikisht.
Nga dita e sulmit e deri më sot kanë kaluar rreth 780 ditë dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë identifikuar asnjë nga tre sulmuesit.
Duriqi pësoi lëndime trupore dhe që nga ajo kohë nga institucionet e drejtësisë ka marrë vetëm konfirmimin se sulmuesit nuk janë identifikuar.
“Ata po arsyetohen me faktin që sulmuesit kanë qenë me maska, dyshohet që madje nuk kanë pasur as pajisje elektronike, siç është telefoni me vete”, thotë Duriqi.
Ai tregon se prokurorët i kanë thënë se kjo e ka vështirësuar tej mase identifikimin e sulmuesve.
“Unë besoj që edhe rasti im ka qenë neglizhencë, pasi që Prokuroria ka insistuar që këtë rast ta hetojë vetëm me njësitin për hetimin e krimeve të rënda në Policinë e Kosovës”, thotë ai duke shtuar se është përjashtuar mundësia e përfshirjes së institucioneve të tjera të sigurisë që do të mund të ndihmonin në zbardhjen e rastit.
“Deklarata dhamë, por askush s’na thirri”
Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, një ekip i televizionit Klan Kosova u sulmua me gurë në afërsi të Zubin Potokut.
Ekipi po raportonte për situatën e tensionuar në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lëndime të lehta në kokë pësoi gazetarja Qëndresa Bellagoshi e cila u godit me gurë nga një burrë.
Ajo thotë se nuk kanë asnjë informacion nëse për këtë rast organet e rendit kanë arrestuar apo identifikuar sulmuesit.
“Pak orë pas sulmit, të gjithë ne [ekipi i Klan Kosovës] kemi dhënë deklarata në polici, me të gjitha detajet, e po ashtu siç edhe janë publikuar, ne kemi pamjet ku shihen personat që kanë qenë të përfshirë në sulm, dhe të cilat kemi shpresuar dhe besuar që do të ndihmojnë në gjetjen e tyre”, thotë Bellagoshi.
Nga ajo ditë, ajo thotë se nuk kanë pasur ndonjë thirrje, apo ftesë nga Policia e as Prokuroria në lidhje me hetimet për sulmin.
“Drejtësia dështon qysh në fillim”
Labinot Leposhtica, koordinator i Monitorimit të Gjykatave dhe udhëheqës i Zyrës Ligjore të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë (BIRN), thotë se hetimi i rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dështon qysh në fillim.
Ai konsideron se rasti i fundit ndaj gazetarit Valon Syla e dëshmon këtë fakt pasi siç thotë ai, prokuroria e ka cilësuar rastin si “lëndim i lehtë” trupor.
“Nëse prokurori që në fazën fillestare e zhvesh rastin prej motivit dhe e orienton vetëm te lëndim i lehtë, pa e zbuluar motivin, konsideroj se kjo asnjëherë nuk do t’i shërbejë vendosjes në mënyrë meritore të atij rasti”, vlerëson Leposhtica.
Leposhtica thotë se në shumicën e rasteve nuk ka hetim efikas dhe dënimet që shqiptojnë gjykatat janë tejet të ulëta.
Kjo, sipas tij, ndodh për shkak se gjyqtarët nuk i kanë motivet e rastit në aktakuzën e dorëzuar nga prokuroria.
“Ai person që e ka kryer një sulm ndaj gazetarit kur të shkojë në gjykatë, gjyqtari nuk do ta ketë parasysh krejt motivin e tij, nga i ka ardhur frymëzimi ta kryejë një sulm të caktuar”, thotë ai.
Sipas tij, shpeshherë personat që kryejnë sulme ndaj gazetarëve janë vetëm vegël e dikujt tjetër.
Prokuroria: Rastet e gazetarëve i trajtojmë me prioritet
Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se gjatë vitit 2022, ka pranuar gjithsej 12 raste, ku të dëmtuar kanë qenë gazetarë.
“Prokurori i Shtetit ka ngritur shtatë aktakuza ndaj të pandehurve dhe ato i ka deleguar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë, derisa katër prej tyre janë në procedurë të hetimit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Ky institucion thotë se trajton me prioritet të gjitha rastet dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve duke theksuar vendimin e vitit 2017, për emërimin e prokurorëve përgjegjës për rastet e gazetarëve në çdo prokurori themelore në Kosovë.
Në anën tjetër, kritika të shumta vazhdimisht ka në drejtim të gjykatave, të cilat sipas organizatave që mbrojnë gazetarët, shqiptojnë dënime të ulëta.
Por, në një përgjigje të mëparshme, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kishte thënë se ky institucion nuk ka statistika të veçanta për rastet e gazetarëve pasi përpunimin e të dhënave e bëjnë “në bazë të nenit [Kodit Penal] e jo në bazë të profesionit”.
Sipas një hulumtimi të publikuar vitin e kaluar nga BIRN-i, nga viti 2016 deri në vitin 2020, Prokuroria kishte ngritur gjithsej 18 aktakuza për vepra penale ndaj gazetarëve.
Prokuroria kishte zbardhur gjithsej 21 lëndë nga 45 raste, ndërkohë që ishte bërë vetëm një kërkesë për paraburgim. Sipas hulumtimit, në këtë periudhë kohore, gjykatat kishin zgjidhur vetëm tri nga 18 lëndë ku sulmuesit e gazetarëve në dy raste kishin marrë urdhër ndëshkimor dhe vetëm një rasti i ishte shqiptuar një dënim.
Pas sulmit fizik ndaj gazetarit Syla, hetim të shpejtë të rastit kërkuan organizata të ndryshme që mbrojnë të drejtat e gazetarëve përfshirë Federatën Evropianë të Gazetarëve.
Për këtë rast, hetim të shpejtë kërkoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Njëjtë edhe Avokati i Popullit që sulmin ndaj Sylës e cilësoi cenim të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit