Pritet të ndryshojë forma e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave

08:10 | 14 Janar 2019
Arbresh.info

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është duke tentuar që ta ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave.

Për këtë, më 20 nëntor të vitit të kaluar, MASHT-i ka formuar një grup punues të përbërë prej 10 anëtarësh, i cili pritet të hartojë dhe rishikojë dy udhëzime administrative që e rregullojnë procedurën e përzgjedhjes së drejtorëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Grupi do ta ndryshojë udhëzimin administrativ për procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar, si dhe udhëzimin për detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit, zëvendësdrejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar.

Bazuar në udhëzimet administrative në fuqi, procesi i zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të shkollave koordinohet dhe drejtohet nga një komision i themeluar nga drejtoritë komunale. Burime të gazetës brenda MASHT-it kanë thënë se kjo ministri po synon që t’i marrë vetë kompetencat në zgjedhjen e drejtorëve dhe, po ashtu, rol vendimmarrës të ketë edhe Këshilli i prindërve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme