Google ADS

Pritet ashpërsimi i gjuhës politike në fushatën e zgjedhjeve lokale

09:05 | 21 Shtator 2017
Arbresh.info

Sot zyrtarisht ka nisur fushata për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Partitë politike kanë kohë t’i shpalosin programet 30 ditë rresht që nga data 21 shtator.

Bashkimi Evropian dhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka u kanë bërë thirrje publike subjekteve politike që të mos përdorin gjuhë ofenduese në fushatë.

Ndërsa analistë në vend mendojnë se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale mund të pritet edhe gjuha ofenduese.

Analisti politik në vend Ramush Tahiri në një pronocim për portalin “Arbresh.info” tha se nuk do të duhej të ketë gjuhë ofenduese në zgjedhjet lokale dhe nuk ka nevojë të këtë animozitete.

“Nuk do të duhej të kishte gjuhë ofenduese në zgjedhjet lokale sepse janë të vogla dhe njërzit njihen ndërmjet vete dhe nuk ka nevojë animozitetet të qendrës të barten në zgjedhejt lokale dhe nuk ka arsye që liderët e partive të shkojnë nëpër komuna dhe ta përhapin gjuhën që e kanë pasur në zgjedhjet qendrore”, u shpreh Tahiri.

Sipas Tahirit një gjuhë fyese do të kishte kundërefekt në nivel lokal dhe nuk është e arsyeshme të bartet konflikti qendror nëpër komuna.

“Mendoj se do të kishte kundërefekt nëse ashpërsohet gjuha në nivelin lokal, ndërsa në fazën e dytë nëse shkojmë në balotazh për kryetarë të komunave atëherë edhe mund të ketë ndonjë ashpërsi të gjuhës, por nuk shoh arsye të bartet konflikti nga qendra në komuna”, përfundoi Tahiri.

Ndërsa analisti Bajrush Morina në një pronocim për portalin “Arbresh.info” ka thënë se duke i njohur kanditatët, nuk pret ndonjë gjuhë të kulturuar as në këto zgjedhje.

“Duke i njohur pothuajse të gjithë kandidatët me emër e mbiemër, duke ua njohur “nanën parti” të tyre, nuk pres ndonjë gjuhë të kulturuar as në këto zgjedhje. Madje reflektimet politike pas 11 Qershorit dhe ndryshimet e barometrit politik pas këtyre zgjedhjeve, unë pres që kandidatët mes vete të kacafyten edhe më shumë me fjalë,e bile nuk e përjashtoj edhe ndonjë sharje e fyerje çfarë i kemi dëgjuar edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha Morina.

Ai më tej shtoi se gara për zgjedhjet e 22 tetorit do të jetë më e ashpër për shkak se, siç tha, kandidatët aktualë nuk kanë çka të ofrojnë më shumë për qytetarët e komunave të tyre.

“Aq më tepër gara për zgjedhjet e 22 tetorit do të jetë më e ashpër për shkak se kandidatët aktualë nuk kanë çka të ofrojnë më shumë për qytetarët e komunave të tyre, pra janë harxhuar deri në centin e fundit edhe me buxhet edhe me kapacitete menaxhuese ndërkaq edhe kundërkandidatët që pretendojnë të marrin postin e të parit të komunës nuk kanë çka të ofrojnë më shumë se sa që kanë ofruar këta, pra rrugica me asfalt që prishet për 6 muaj, kanalizime që ju vjen era ende pa u përfunduar projekti, shkolla të lëna përgjysmë dhe certifikata të lindjes që presin në rend gjithë ditën”, u shpreh Morina.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor ndërkohë që garës për komuna i kanë hyrë 91 subjekte politike të certifikuara nga KQZ-ja./B.Agushi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme