Google ADS

Prishtinë| Çka ka n’pazar?

14:02 | 3 Korrik 2022
A Z

Në qytetin e Prishtinës, është një treg i cili daton që nga shekulli i pesëmbëdhjetë.  Ndonëse hapësirat e tij kohë pas kohe janë marrë dhe janë shfrytëzuar për nevoja të tjera, ky treg i ka rezistuar kohës, dhe vazhdon me qenë edhe sot, por vetëm në një rrugë të ngushtë me kalldrëme, shkruan arbresh.info.

Edhe pse të pakënaqur me fitimin e vendin e parregulluar, tregtarët vazhdojnë t’i shërbejnë qytetarëve.

“Sivjet është pak ma lodhët, nuk ka kërkesë, nuk ka blerës. Blerësit nuk kanë pare”, është shprehur një shitës në tregun e Prishtinës.

Ai për arbresh.info tha se kushtet për punë nuk janë të mira. “Kushtet janë tmerr”, përfundoi ai, duke treguar me dorë nga pjesa vendit që ai e kishte në shërbim.

Ndryshe, ky treg vizitohet shumë, edhe nga turistët. Ne kemi takuar dy argjentinas, që kishin blerë qershi, për të cilat thonë se nuk kanë parë e as ngrënë ndonjëherë. Ata shprehen të kënaqur, dhe shumë të befasuar, me njerëzit në Kosovë.

“Në Argjentinë kemi qëndruar me idenë që Kosova është ajo e viteve të 90ta, tani jemi duke i thënë të gjithëve se kjo është e mahnitshme. Kemi zbuluar që ky është vend qe nuk të bëjnë presion, kemi qenë në vende të ndryshme të Evropës Lindore, dhe kur shkoni në tregje të tilla njerëzit të ‘kërcejnë’,” tha një shtetas argjentinas.

Në këtë treg që është i lënë pas dore, mund të gjeni edhe veshje kombëtare, dhe nëse mendoni ta vishni fëmijën tuaj me këtë lloj veshje, për ndonjë festë, mund të gjeni nga më të ndryshmet në këtë vend.

Gratë që punojnë me dorë punime të shumta si për pajë të nuses, fustane e veshje të ndryshme, po ashtu nuk mungojnë.

E qytetarët janë shprehur të kënaqur, me produktet në treg. Ata thonë se në treg po gjejnë produktet më të lira dhe më të freskëta.

“Produktet këtu janë më të lira, shumë cilësore, dhe t’paqta”, është shprehur një blerës.

Fryma pozitive, dhe dëshira për të blerë ta rrisin dëshirën për të qëndruar në treg. Ne do të vazhdojmë të vizitojmë tregje të tjera, pasi duket se janë harruar nga institucionet, dhe pak apo fare nuk investohet për t’i ofruar tregtarëve kushte më të mira./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme