Google ADS

Prishtina zyrtare s’mund t’i ikë kushtit të Demarkacionit

00:00 | 25 Prill 2017
Trina Galanxhi

Gazetarja e njohur, Gjeraqina Tuhina, e cila tash e dy dekada raporton për zhvillimet në Bruksel, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se kushti i Demarkacionit është i pashmangshëm për Kosovën në rrugën drejt liberalizimit të vizave.

Ajo, duke komentuar udhëtimin e kryeministrit, Isa Mustafa, në Bruksel, për të parë mundësinë e anashkalimit, të paktën të përkohshëm, të Demarkacionit dhe liberalizimin e vizave pa këtë kusht, ka thënë se dicka e tillë është tepër vështirë e realizueshme, njofton Klan Kosova.

“Në aspektin ligjor nuk mund të përjashtohet kushti për Demarkacionin. Kërkesa e Mustafës ndoshta në aspektin teknik mund të anashkalohet, por është shumë e komplikuar. Pasi çështja e Demarkacionit është përmendur shumë dhe është çuar pluhur shumë rreth kësaj çështje. Prishtina zyrtare s’mund t’i ikë kushtit të Demarkacionit”, ka thënë Tuhina.

Por, ajo shtoi, se megjithatë nuk ekziston vetëm kushti i Demarkacionit, por edhe ai i luftimit të korrupsionit.

“Kemi të bëjmë me dy kushte, jo vetëm me një kusht – edhe me kushtin që është lufta kundër korrupsionit. Për liberalizmin e vizave vendosin ministrat e shteteve anëtare dhe ata janë të pamëshirshëm, merren me statistika dhe s’çajnë kokën për situatën politike. Nëse Demarkacioni kalon qysh nesër, prapë vizat mund të liberalizohen tek afër vitit të ri. Kushti i dytë, ai i luftës kundër korrupsionit, është shumë më i ndërlikuar, aty nevojiten statistika dhe duhet të bindën ministrat e shteteve anëtare të BE-së”.

Gazetarja veterane tha se Bashkimi Europian e ka kuptuar se ka lënë anash Ballkanin dhe kjo u ka mundësuar shteteve si Rusia e Turqia të bëhen faktorë në rajon.

“Ballkani Perëndimor ka qenë jashtë fokusit të Bashkimit Europian dhe kjo ka krijuar situatë të re dhe prandaj kanë luajtur rol të rëndësishëm faktorë të tjerë të jashtëm – e kam fjalën për Rusinë dhe Turqinë. BE ka frikë se faktorët e jashtëm kanë ndikim në Ballkanin Perëndimor si Rusia dhe Turqia dhe kjo Brukselit nuk i pëlqen”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme