Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonë se BE-ja duhet ta trajtojë Kosovën njësoj si vendet e tjera të rajonit. Reagimet nga Kosova pas publikimit të raportit nga KE.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonë se Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj të integrimit evropian dhe të trajtohet në mënyrë të njëjtë sikurse vendet e rajonit. Ky konstatim vjen pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian, pjesa për Kosovën, e cila për dallim nga vendet e tjera të rajonit duhet të presë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk duket i kënaqur me raportin. Megjithatë ai thotë se “Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”.
Thaçi: Të reflektojmë për përmbajtjen
“Tani, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara. Ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, thotë Presidenti Thaçi.
Sipas tij, Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE-së. “Përkushtimi i Kosovës për reformat, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në njërën anë dhe në anën tjetër rikonfirmimi i institucioneve të BE-së se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të ardhmen në BE, duhet që natyrshëm të kurorëzohet me hapin e radhës drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, pra marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim. Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit, shprehet Presidenti Thaçi, duke tërhequr vërejtjen se “mungesa e një perspektive të qartë për Kosovën, mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin”.
Qeveria e Kosovës në reagimin e saj duket pak më e përmbajtur, duke thënë se ky raport është raporti me pozitiv që ka pasur Kosova vitet e fundit. “Raporti në fjalë reflekton stadin e vendit tonë në raport me anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE. Në këtë kontekst, raporti është tregues se në tërësi Kosova ka tepër punë për të bërë deri tek anëtarësimi i plotë, kurse në veçanti reflekton punën e madhe dhe progresin e madh që është arritur në vitin e fundit. Ky raport është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në vitet e fundit, qoftë sa i përket të arriturave konkrete, e qoftë trendëve në funksion të avancimit të proceseve”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Qeveria e Kosovës megjithatë konstaton se në BE janë të ndarë sa i përket integrimit të Kosovës në familjen evropiane, duke vënë kontekstin edhe te liberalizimi i vizave. “Pavarësisht se raporti i progresit nuk është mekanizmi përkatës për vlerësim të plotësimit final të kritereve, vonesat në liberalizimin e vizave nuk munden më të arsyetohen me mos plotësim kriteresh. Kosova e ka kryer punën e vet. Me të drejtë Kosova pret që BE tash të njohë këtë progres dhe mekanizmat relevant të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet më tej në reagimin e qeverisë.
Reagimet e opozitës
Dy partitë më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosja, mbajnë përgjegjëse qeverinë e Kosovës për mosecje përpara të proceseve integruese. Kreu i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, thotë se “Raporti i BE-se për Kosovën, përshkruan saktësisht gjendjen në të cilën është Kosova”, ndërsa, kritikon siç thotë “gjuhën e ashpër të zyrtarëve të lartë shtetërorë ndaj raportit dhe BE-së”. “Vlerësoj se duhet urgjent të arrihet konsensus nacional për reformat që duhet të ndërmerren. Këto vërejtje të BE-së duhet të përbëjnë platformën nacionale të veprimit të të gjitha forcave politike në vend, duke lënë anash rivalitetin politik ditor. Ndryshe, qytetarët nuk do të na falin”, thotë Avdullah Hoti.
Kritik ndaj qeverisë shprehet edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili thotë shkurt se “nga raportet e Progresit mësojmë të kaluarën e afërt që s’e ndryshojmë dot, por edhe atë çka na pret nëse nuk ndryshojmë në të ardhmen”./DW
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...