Komuna e Prishtinës mbetet e vetmja që po kryen testime serologjike falas për qytetarët e saj. Këto teste bëhen përmes gjakut dhe tregojnë nëse personi ka qenë i infektuar me koronavirus.
Testimet serologjike pritet të kryhen edhe në disa komuna tjera. Gjakova tashmë është gati dhe brenda kësaj jave pritet që të nisë punën.
Në Prizren e Vushtri thonë se i kanë aparaturat e nevojshme por u mungojnë profesionistët.
Në Komunën e Prishtinës që nga 21 korriku kanë filluar që të bëhen testet serologjike për banorët e saj.
Deri më sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë testuar falas 4 mijë e 200 qytetarë.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Rrezart Halili ka treguar për Gazetën Express se janë kryer 8400 teste.
“Deri më sot në QKMF janë testuar falas me teste serolgjike (igg dhe igm) afërsisht 4200 qytetarë të Komunës së Prishtinës. Do të thotë janë realizuar 8400 teste (4200 igg dhe 4200 igm), thotë drejtori.
Por, deri tani asnjë komunë tjetër në Kosovë ende nuk ka arritur që të bëjë teste serologjike falas për qytetarët e saj.
Me aparaturë për fillimin e testeve serologjike është edhe Komuna e Gjakovës. Sipas Drejtorit për Shëndetësi në këtë komunë, Ferdinand Kolaj, deri në fund të javës pritet që Gjakova të fillojë me teste serologjike, duke shënuar kështu komunën e dytë në Kosovë e cila nisë punët me testet që bëhen përmes gjakut dhe tregojnë nëse personi është dhe ka qenë i infektuar me koronavirus.
Furnizimin me aparatura dhe testet serologjike komuna e Gjakovës e ka bërë me buxhet të saj.
“Realisht ne sot kemi pasur që të fillojmë me punën për kryerjen e testeve serologjike. Por, disa aparatura ende nuk kanë ardhur dhe presim që deri në fund të javës të nisë puna. I kemi nda nga buxheti i komunës 100 mijë euro për teste. Planifikojmë që t’i kryejmë 4500 teste serologjike IGG dhe IGM”, ka deklaruar Kolaj.
Por gati për teste serologjike është edhe komuna e Prizrenit. Nga atje thotë se e kanë siguruar aparaturën nevojshme. Vetëm se duhen mjete shtesë për të blerë teste për ta testuar popullatën.
“Ne në komunën tonë i kemi dy pajisje që mundemi me i realizua testet serologjike. Ne planifikojmë që ti kemi 120 mijë euro për t’i testuar 4 mijë pacientë.
120 mijë euro për 4 mijë pacientë. Dhe jemi në procedurë prokuruese. Më 28 Korrik kryetari ka marrë vendim për furiznim me reagenca” shpjegon për Express, Visar Shehu nënkryetar i komunës së Prizrenit.
Ai ka folur edhe për gjendjen e pacientëve në komunën ku ai e drejton dikasterin e shëndetësisë. Thotë se janë 150 raste aktive me Covid 19 në Prizren. Ndërkohë 39 persona të tjerë e kanë humbur jetën.
Situatë e njëjtë është edhe në Vushtrri. Drejtori për Shëndetësi atje, Sylejman Meholli i tha gazetës se kanë aparaturë, mirëpo nuk kanë resurse humane.
“Ne ekspertët e komunës na kanë thënë se kemi aparatura në të cilat mund të kryhen testimet serologjike në Vushtrri. Mirëpo nuk kemi staf adekuat për t’i kryer ato testime”, thuhet në deklaratën e Mehollit.
Por ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë janë duke pritur edhe komuna e Pejës si dhe Ferizaj.
Të dy këto komuna nuk kanë aparatura për të kryer teste serologjike. Thonë se po e presin Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ne jemi duke e pritur Ministrinë e Shëndetësisë mos po na furnizojnë. Këto ditë është dashur që të shpallet tenderi për pajisje. Nëse vendosin që të na furnizojnë. Në të kundërtën do të duhet që zgjedhjen ta gjejmë vet”, ka deklaruar për Express, Petrit Loci, drejtor për Shëndetësi në Pejë.
As Ferizaj nuk ka pajisje për testime Covid. Thonë se as nuk kanë kërkuar nga MSH madje një gjë të tillë.
Buxhet të mjaftueshëm për të blerë aparatura, Bekim Ademi, drejtor për Shëndetësi në Ferizaj, thotë se nuk kanë.
E testet serologjike pasqyrojnë imunitetin e popullatës dhe rrjedhimisht, do të ndikonin edhe në lehtësimin e masave kufizuese të një vendi.
Më 18 gusht, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nënshkroi udhëzimi administrativ që u lejonte komunave që të kryenin teste serologjike dhe PCR.
Por, deri më tani është vetëm Komuna e Prishtinës e cila që nga muaji korrik, ka nisur testimin e qytetarëve të saj përmes testeve serologjike.
Derisa testimi serologjik ka nisur në mbi 100 laboratorë privatë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
E me anë të testimit serologjik, mund të rritet numri i personave të identifikuar të infektuar, por që janë asimptomatikë, e që besohet se është një përqindje e madhe.
Sipas profesionistëve shëndetësorë kjo me automatizëm do të ndikonte në parandalim të infeksionit pasi që rastet do të izoloheshin dhe do të pengohej përhapja në komunitet. Andaj, kjo edhe është arsyeja që shumë shtete e kanë aplikuar që nga fillimi i pandemisë testin serologjik.
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës