Më 19 nëntor, pritet që në 19 komuna të Kosovës të organizohet rrethi i dytë i votimeve për kryetarët e rinj.
Gara më interesante, sipas analistëve politikë, pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj e Prizreni.
Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë, se fokusi i të gjitha partive politike që janë në balotazh është në komunat e mëdha dhe sipas tij, do të ketë një garë të fortë ndërmjet kandidatëve dhe partive politike.
“Secila nga këto komunat e mëdha, nënkupton se do të ketë garë të fortë, duke filluar me Prishtinën. Te Prishtina, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë rast për të dyja partitë në garë; për Lëvizjen Vetëvendosje që të vazhdojë edhe një mandat, ndërkaq për Lidhjen Demokratike të Kosovës do të ishte suksesi më i madhe i zgjedhjeve nëse ia del që ta kthej Prishtinën”.
“Në anën tjetër, kemi 3 komuna jetike për PDK-në, Mitrovicën, Ferizajn dhe Prizrenin, por njëkohësisht Mitrovica është jetike edhe për AKR-në, për shkak se është komuna e vetme në të cilën ka gjasa që ta mbajë pushtetin, sikurse edhe AAK-ja që e ka shumë të rëndësishme rikthimin në Gjakovë”, tha Mushkolaj.
Kurse, politologu Ramush Tahiri, mendon se konkurrenca më e madhe në balotazh do të jetë në Prishtinë.
“Lufta më e madhe për pushtet është në Prishtinë, për shkak të rëndësisë edhe për shkak të koncepteve të dy partive kryesore, dhe për shkak të lidhshmërisë me njërën apo tjetrën, sepse po humbi Vetëvendosje, faktikisht paraqet ndërprerje të ngritjes dhe është një rënie e theksuar. E nëse, fiton LDK-ja është tendenca e rritjes dhe jep entuziazëm për zgjedhje, që këta llogarisin të shkohet kah pranvera, pas rrëzimit të Qeverisë, duke e mbajtur intencën e partitë së parë”, tha Tahiri.
Ajo që ka qenë në qendër të debatit këto ditë, ishte fillimi i takimeve të krerëve të parive politike për koalicionet për fazën e balotazhit në komuna të caktuar. Një marrëveshje e tillë është arritur të mërkurën mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës Kosova e Re në Prishtinë.
Njohësit e çështjeve politike, mendojnë se çfarëdo marrëveshje politike që mund të arrihet ndërmjet partive politike për balotazh, nuk mund të jetë e natyrshme derisa, si në nivel qendror, po ashtu edhe në atë lokal, subjektet politike janë të përçara.
Për shkak të koalicioneve, thotë tutje politologu Ramush Tahiri, nuk pritet fushatë parazgjedhore e madhe e as fjalor i ashpër politik.
“Fjalor i ashpër nuk pritet sepse koalicionet nuk janë parimore, nuk ka marrëveshje që ta zëmë se dy parti do të përcjellin koalicionin në çdo vend, pasi që interesat janë të ndryshme në secilën komunë. Përndryshe [fjalori politik] ka nisur të kultivohet sepse elektorati po i dënon ata që kanë fjalor të ashpër dhe me gabime”, tha Tahiri.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve LDK garon në 12 komuna, PDK në 9, Vetëvendosje në 6 komuna, AAK në 5 komuna , kurse AKR, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga 1 komunë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po i bën përgatitjet finale për mbajtjen e balotazhit për organet vetëqeverisëse lokale, që do të mbahen në 19 komunat e Kosovës.
Pas shikimit të video-incizimeve, avokati i Andi Pajazitit t...
Kurti në Llap tregohet kreativ: PO, DUJE VV
Tragjedi në tryezën e Krishtlindjeve në Brazil/ Tre të vdeku...
“15 minuta për 15 jetë”: Studentët në Serbi kërkojnë llogari...
SPAK-u kërkon që Sali Berisha të kthehet në arrest shtëpie
De Jong drejt transferimit në Arabinë Saudite? Agjenti i tij...