Princi Leka Zogu për 28 nëntorin: Është e pamundur të festojmë sot, kur shumë familje humbën papritur njerëzit e dashur

21:36 | 28 Nëntor 2019
L G

Në 107 vjetorin e  Pavarësisë së Shqipërisë , Princi Leka Zogu  ka shkruar një mesazh me rastin e kësaj dite.

Zogu,  thotë se këtë vit  kjo ditë e madhe për gjithë shqiptarët e gjeti flamurin kuq e zi  në gjysmë shtizë, pas humbjes së 46 jetëve nga tërmeti që preku shtetin shqiptar.

“Urimi i ngritjes së flamurit tonë kuq e zi, këtë vit na gjen me flamur të ulur në gjysmë shtizë…Vendi ynë vajton sot viktimat e tragjedisë së tërmetit që tronditi dhe dëshpëroi çdo shqiptar. Është e pamundur të festojmë sot, kur shumë familje humbën papritur njerëzit e dashur. Zoti u dhëntë forcë e vullnet për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar Zogu.

Ai, thotë se sfidat me të cilat përballet sot  populli shqiptar, duhet të na japin kurajo dhe te na bëjnë të reflektojmë.

“Në ditë të vështira si këto, kujtojmë sakrificën e etërve të kombit të cilët më 28 nëntor 1912 materializuan ëndrrën shekullore të pavarësisë”, thuhet në mesazhin e princit Leka Zogu për nder të festës së 28 nëntorit./arbresh.info

Më poshtë keni të plotë mesazhin e Leka Zogut:

MESAZH ME RASTIN E 28 NËNTORIT

Urimi i ngritjes së flamurit tonë kuq e zi, këtë vit na gjen me flamur të ulur në gjysmë shtizë…Vendi ynë vajton sot viktimat e tragjedisë së tërmetit që tronditi dhe dëshpëroi çdo shqiptar. Është e pamundur të festojmë sot, kur shumë familje humbën papritur njerëzit e dashur. Zoti u dhëntë forcë e vullnet për ta përballuar këtë dhimbje të madhe!

Sfidat me të cilat përballemi sot duhet të na japin kurajo dhe te na bëjnë të reflektojmë. Në ditë të vështira si këto, kujtojmë sakrificën e etërve të kombit të cilët më 28 nëntor 1912 materializuan ëndrrën shekullore të pavarësisë.

Si sot, 107 vjet më parë, kombi ynë, me vullnetin, zërin dhe forcën e përfaqësuesve nga të gjitha trevat etnike shqiptare, shpalli mëvetësinë dhe lirinë, duke e bërë Shqipërinë të barabartë në fronin e kombeve të tjera moderne.

Me gjithë përpjekjet e palëkundura të patriotëve dhe baballarëve të kombit tonë, kombinacionet gjeopolitike të asaj kohe e tkurrën Shqipërinë natyrale. Për vite me radhë shqiptarët që padrejtësisht mbetën jashtë kufijve të imponuar, me sakrifica arritën të ruajnë të shenjtë gjuhën, traditat dhe Flamurin kuq e zi.

Për vite me rradhë, populli ynë i vuajtur nga luftrat e brendshme dhe të jashtme, është përpjekur për një jetë me dinjitet dhe integrimin e munguar në familjen europiane. Vit pas viti janë bërë përparime dhe janë arritur disa suksese, por janë bërë edhe hapa pas…

Viti 2019 shënoi disa zhvillime të rëndësishme në mbarë trojet shqiptare.

Në Malin e Zi, krahas Ulqinit, tashmë kemi edhe komunën e Tuzit me qeverisje shqiptare. Kjo fitore në zgjedhjet e para si komunë në vehte (3 mars 2019) u arrit në saj të bashkimit të gjithë faktorëve politik shqiptarë, duke dhënë shembullin më të vyer në çështjen kombëtare.

Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët sikurse janë faktor kyç në qeverisje dhe gjithë kompozimin kushtetues dhe qëndrueshmërinë e atij shteti, ishin vendimtarë edhe në zgjidhjen politike të problemit të emërtimit të ri shtetëror dhe rrjedhimisht, për orientimin dhe pëfshirjen e atij shteti në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike.

Kosova, gjatë vitit 2019, u bë pjesë e një axhende më intensive të BE-së, NATO-s, SHBA-së, gjë që natyrshëm do sjellë zhvillime në të mirë të interesit kombëtar. Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ishin një shembull i pjekurisë politike, përfaqësimit gjithpërfshirës, transparencës, respektimit të votës së lirë dhe njohjes së rezultatit nga të gjitha partitë pjesëmarrese në votime.

Një plagë në zemrën e çdo shqiptari mbetet Çamëria, për të cilen nuk po bëhet asnjë përpjekje, asnjë kompensim apo respektim i të drejtës së pronës.

Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, gjithashtu mbeten të neglizhuara dhe të përjashtuara nga investimet që do të rrisnin mirqënien e qytetarëve, ndërsa politikat e ditës po i keqpërdorin si një gur shahu në axhenda okulte.

Ne ndjehemi shumë krenar për diasporën shqiptare, pasi shumë prej bashkatdhetareve tane kanë shkëlqyer në të gjitha fushat, kudo ku jetojnë. Në momente vendimtare ata i kanë shërbyer kombit me patriotizëm dhe këmbëngulje.

Shteti shqiptar duhet ti përfshijë natyrshëm këto personalitete në çështjen kombëtare, si dhe të ftojë këtë potencial të lartë intelektual në institucionet shtetërore pasi ata lartësojnë emrin dhe prestigjin e kombit dhe shtetit shqiptar.

Gjatë këtij viti, Shqipëria është përballur me vështirësi të shumta që kanë ardhur edhe nga situatat e brendshme politike në vend, si djegia e mandateve të deputetëve nga ana e opozitës, zhvillimi i zgjedhjeve të 30 qershorit vetëm me pjesmarrjen e mazhorancës aktuale, konflikti institucional Presidencë – Qeveri, etj. Sigurisht, këto ndikuan që edhe këtë vit, Këshilli Europian (18.10. 2019) nuk mori vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Qytetarët janë të zhgënjyer me mënyrën sesi funksionon demokracia jonë. Duket sikur grupimet politike më shumë luftojnë për pushtetin si qëllim në vetvete sesa në funksion të vënies në jetë të një vizioni për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Punësimi, arsimi, shëndetësia dhe liria e sipërmarrjes duhet të jenë në qëndër të debateve të ditës. Eshtë e një rëndësie jetike vëmendja imediate drejt rinisë shqiptare që po e kërkon shpresën jashtë kufijve të vendit amë. Sado një vend tjetër të ti hapë krahët dhe zemrën, atdhe nuk bëhet kurrë. I bëjmë thirrje ndërgjegjes së vendimmarrësve për ti dhënë gjithë vëmendjen kthimit të shpresës së munguar! Mos e largoni rininë nga atdheu pasi pa ta nuk ka të ardhme!

Mungesa e moralit, mentaliteti i korrupsionit dhe kompromiset në tavolinë të pushtetit larg vullnetit të qytetarëve përbëjnë një rrezik real. Nëse Shqipëria do të përparojë, do të duhet që politikanët e zgjedhur të reflektojnë vullnetin e votuesve, dhe të përgjigjen përpara elektoratit për veprimet e tyre.

Ne, ashtu si shumica e shqiptarëve, mbështesim ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në zhbërjen e korrupsionit, në sistemin tonë gjyqësor, dhe presim hapat e mëtejshëm të Strukturës së Posaçme të Anti Korrupsionit. Ndërkohë ne gjithashtu kuptojmë përgjegjësinë që kjo strukturë ka mbi vete. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbajë krahë duke qënë pjesë e axhendave politike, por të mbështetet në një etikë të lartë profesionale dhe në neutralitet.

Fatkeqësisht, Shqipëria ka humbur disa gjenerata në pritje të përfitimeve nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Klasa politike duhet të lerë mënjanë interesat partiake dhe të bashkohet për çështje të mëdha strategjike kombëtare.

Besojmë dhe shpresojmë se Shqipëria do të paraqitet me një zë dhe me kushte të plotësuara në mënyrë që edhe institucionalisht të bëhemi pjesë e standarteve dhe familjes europiane së cilës i përkasim natyrshëm.

Politika e Jashtme duhet të ketë kredibilitet dhe vazhdimësi. Ajo kurdoherë duhet të bazohet mbi tre parime: Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, vënien në shërbim të plotë të integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike duke mbështetur fuqimisht plotësimin e standarteve integruese, rritjen e rolit të Shqipërisë në rajon duke synuar forcimin e paqes dhe stabilitetit.

Eshtë me rëndësi që Shqipëria të ketë bashkëpunim me vendet e rajonit, por përpjekjet për ta tërhequr atë në konceptin e një mini shengeni pa Kosovën dhe pa një strategji të qartë ekonomike, do të ishin një hap i pamatur që bie ndesh me vëllazërinë dhe çështjen kombëtare. Ndërkohë duhet stimuluar integrimi mes shqiptarëve me një vizion të përbashkët, “dy shtete-një Komb” brënda Europës! Hapat drejt një diplomacie të përbashkët, një platforme ekonomike, arsimore dhe kulturore janë të domosdoshëm. Të gjitha këto përpjekje duhet të kenë vetëm një synim, mirqënien e qytetarëve!

Në 75 vjetorin e përfundimit të luftës po hapen plagët e së shkuarës, mjerisht. Në Tiranë po ndihen reminishenca të regjimit të kaluar totalitar. Vuajtjet dhe torturat e parrëfyeshme po mohoen dhe heshtja po lë në harresë mijëra viktima të Komunizmit. Në datën artificiale të 29 nëntorit, që përkon me çlirimin e Yugoslavisë, politika po promovon përçarje mes Shqiptarëve pa asnjë mëshirë.

Fatkeqësisht ajo po ua heq meritat atyre që realisht kanë luftuar në mbrojtje të atdheut, duke përzier në historinë e rezistencës “heronjtë e Partisë së kuqe”. Ende sot nuk përmenden 160 ushtarë të Mbretërisë Shqiptare, dëshmorë të Kombit, besnikë të shtetit legjitim, që ranë në mbrojte të Atdheut më 7 Prill 1939!

Shqipëria ka një histori europiane, në epiqendër të së cilës një kulturë të vyer Ilire. Ne nuk kemi nevojë të promovojmë një histori të trishtë të bunkerizimit të vendit tonë nga një mentalitet izolues dhe antinjerëzor. Për gjysmë shekulli 3 milion Shqiptarë kanë qënë të gjithë viktima. Disa e dinin, të tjerë jo…Pasojat e atij regjimi janë pengesa kryesore për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit.

Shqiptarët janë qytetarë të denjë europian, dhe qytetarinë e dëshmuan edhe njëherë me forcë në solidaritetin e jashtëzakonshëm e aq mbreslënës që treguan dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj njëri tjetrit në ditët e fundit. Shqiptarët treguan empati, maturi, pergjegjësi dhe dashuri për njëri tjetrin. Dhanë shembullin më të mirë sesi duhet të kujdesemi për Shqipërinë tonë të shtrenjtë e të përbashkët.

Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë

Rroftë Dita e Flamurit Kombëtar

Familja Mbretërore Shqiptare

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme