Prania e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si asnjëherë më parë duhet të jetë evidente në Ballkan, përfshirë këtu edhe Kosovën, dhe e gjithë kjo për shkak të rritjes së influencës së Rusisë në Ballkan, shkruan arbresh.info.
Që ShBA duhet të vendos prani të vazhdueshme të ushtrisë në Evropën Juglindore ceket edhe në njërën nga pikat e raportit të Këshillit të Atlantikut për strategjinë e re amerikane për Ballkanin, i cili është publikuar në nëntor të këtij viti.
Në këtë raport thuhet që baza ushtarake Bondstil është ideale për këtë gjë.
Sipas raportit prezenca e bazës ushtarake Bondstill dërgon sinjal të qartë se ShBA është e përkushtuar në parandalimin e ndryshimit të kufijve ekzistues, në atë çfarë inkurajon aventurizmi rus.
Për njohësit e sigurisë në vend prezenca e ShBA-së, është në interes nacional të Kosovës por edhe në interes të sigurisë së rajonit.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë Burim Ramadani, thotë për arbresh.info se nuk sheh asnjë pengesë nëse ShBA-të, shtojnë prezencën e ushtrisë në Evropën Juglindore përfshirë këtu edhe Kosovën.
“Mendoj se prezenca e përhershme amerikane në Kosovë, si ajo diplomatike edhe ajo ushtarake, është garanci për sigurinë e Kosovës dhe sigurinë rajonale. Nuk besoj se modelet e shekujve të kaluar mund të shërbejnë si zgjidhje e situatave tash. Pra prezenca e ShBA-së, është në interes nacional të Kosovës, por edhe në interes të sigurisë së rajonit. Nuk shoh pengesa që kjo të ndodhë”, ka thënë Ramadani për arbresh.info.
Kurse, sa i përket vizatimit të disa hartave ditë më parë nga presidenti i Republikës Srbska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Millorad Dodik në të cilën cakton kufijtë e ri, Ramadani ka pohuar se logjika e tillë e ka dërguar Serbinë në humnerë gjatë viteve të 90-ta.
“Sa i përket hartave “të reja” nga Serbia apo Dodiku, besoj se kjo logjikë politike e ka dërguar Serbinë në humnerë gjatë viteve 1990-ta”, ka thënë ai.
Kurse, njohësi i sigurisë Avni Islami thotë për arbresh.info se vet kërkesa për shtimin e ushtrisë së SHBA-së, në Evropën Juglindore tregon qartë dobësimin e pozicionit të perëndimit karshi Rusisë.
“Po vërehet një dobësim i pozicionit të perëndimit karshi Rusisë dhe si rrjedhojë e kësaj Raporti i Këshillit të Atlantikut ka dhënë disa rekomandime ku thotë se duhet të arrihet prania e ShBA-ve dhe konsideroj se prania e ShBA-së, si kurrë më parë është e nevojshme në Ballkan për shkak të rritjes së influencës së Rusisë me anë të formave të ndryshme “, ka thënë ai.
Islami ka folur edhe për prezencën e bazës ushtarake Bondstill duke thënë se këta të fundit duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë. Sipas tij, Bondstilli është një ndër pikat gjeostrategjike dhe gjeoushtarake më e forta në rajonin e Ballkanit.
“Bondstilli e ka rëndësinë e vet në Kosovë dhe në rajon dhe mendoj që baza e Bondstillit duhet të jetë një “Aviano”, e Italisë dhe Kosova të jetë pikë strategjike dhe ushtarake që përmes saj ta kontrollon jo vetëm Kosovën por edhe Ballkanin”, ka thënë ai.
Sipas tij, Bondstilli duhet përgjithmonë të jetë bazë ushtarake e KFOR-it, në Kosovë.
“Jo vetëm për një kohë të caktuar por unë besoj meqë Kosova është radhitur dhe është përkushtuar që të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike jo vetëm për një periudhë të caktuar por unë besoj fuqishëm se përderisa të ekzistojë Aleanca Veriatlantike dhe përderisa ne jemi të rreshtuar krahas vendeve demokratike dhe perëndimore Bondstilli duhet përgjithmonë apo përjetësisht të jetë bazë ushtarake e KFOR-it”, ka pohuar ai./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...