Prezantohen të gjeturat e studimeve mbi pemët e perimet në Kosovë

11:32 | 24 Shtator 2019
Arbresh.info

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e përpunuesve të pemëve dhe perimeve kanë prezantuar të gjeturat e studimeve mbi industrinë e ushqimit, respektivisht sektorin e pemëve dhe perimeve në Kosovë.

Kryetari i OEK-ut,  Rukiqi, në hapje tha që nga studimet është vërejtur që kompanitë kanë potencial për eksport, por që ekzistojnë një numër i barrierave të cilat duhet adresuar, siç është konkurrueshmëria e çmimeve, qasja në rrjetet e shitjes, qasja në financa dhe sasitë e limitura. 57% kërkojnë më shumë njohuri për tregjet dhe 40% për rregullat specifike doganore të BE-së, financimin e eksportit (33%) dhe planin e biznesit/eksportit/marketingut (32%)- tha Rukiqi.

Olivera Ceni Bardiqi, Drejtoreshë në Departamentin për Analiza Ekonomike dhe Politika në OEK, në prezantim të të gjeturave ndër të tjera theksoi, që studimi ka përfshirë gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor (Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën) me një mostër prej 144 kompanive.

Mbi të gjeturat për Kosovë, sektori i pemëve dhe perimeve në vend krysesisht punëson fuqi punëtore në mes 1 dhe 5 punëtorë (49%) dhe ka qarkullim mes 10.000 dhe 49.999 Euro (42%). Tutje, qasja në financa në nivel rajonal vazhdon të mbetet barrierë për bizneset e këtij sektori. Bizneset e Malit të Zi kanë raportuar në përqindje më të lartë barrierën në fjalë (60%), pasuar nga Maqedonia e Veriut (47%), Bosnja dhe Hercegovina (38%), Serbia (36%), Kosova (26%) dhe Shqipëria (7%).  Përderisa vendet e rajonit nuk i konsiderojnë problematike certifikimet e sigurisë së ushqimit, Kosova ka raportuar atë ndër problemet kryesore për rreth 37% të kompanive.

51% e kompanive në rajon janë të certifikuara me HACCP (Maqedoni 95%, Kosovë 23%), 23% me GAP Global; 15% në nivel rajonal nuk kanë asnjë çertifikim (19% në Kosovë)- theksoi  Ceni Bardiqi.

Hartim Gashi, udhëheqës i Shoqatës së përpunuesëve të pemëve dhe perimeve, në prezantim të të gjeturave rreth implikimit të pakos fiskale 2.0, theksoi që në përgjithësi pakoja ka ndikuar pozitivisht në fuqizimin e sekorit, mirëpo ka pasur disa vështirësi të cilat janë pengesa për zhvillim të mëtejmë, andaj edhe rekomandohet:

  • Zgjerimi i mëtejshëm i listës së agroinputeve të lirua nga TVSH-ja;
  • Zbatimi më i shpejt i pakos së dytë fiskale (lirimi nga TVSH –ja për lëndët e para të importuara për prodhim);
  • Përjashtimi i akcizës në lëndë djegëse në prodhim;
  • Përjashtimi i TVSH-së në ambalazh nga qelqi;
  • Përjashtimi nga të gjitha taksat për tapat e shisheve nga qelqi;
  • Subvencionimi i çmimit të energjisë dhe ujit për industri;
  • Lirimi nga tatimi në fitim dhe subvencionimi për pjesën e produkteve që eksportohet;
  • Lirim nga TVSH-ja i lëndës së parë të blerë nga Qendra Grumbulluese dhe kompanitë e tjera brenda Kosovës (Pako 2.0 diskriminuese në këtë drejtim, pasi që TVSH-ja e lëndës së parë është 0% nga importi, ndërsa 8% nga Qendra Grumbulluese)- përfundoi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme