Ardhja e kancelarit gjerman Olaf Scholz, si dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, dhe mesazhet e tyre për angazhim në dialogun Kosovë-Serbi, po shihen si presion për të gjetur një zgjidhje, në kohën kur janë rritur shqetësimet në Bashkimin Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrezikun e ndonjë destabilizimi në Ballkanin Perëndimor, shkruan arbresh.info.
Ardhjet në Kosovë, si presion i sheh edhe profesori universitar Milazim Krasniqi, ndonëse theksoi se ky presion është më shumë për Serbinë.
Ai tha se ndikimi që Rusia mund të ketë në Ballkan kanë ndikuar që edhe Kosova të ketë presion nga ndërkombëtarët.
“Në të vërtetë është duke u rritë shqetësimi në Bashkimin Evropian, në NATO, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrezikun e ndonjë destabilizim në Ballkan, për shkak të lojërave ruse që janë duke bërë me Serbinë, dhe prandaj presionin në të vërtet më shumë është duke shku drejt Serbisë, që t’i vendosë sanksione Rusisë.
Dhe, në anën tjetër po ashtu element presioni janë edhe këto vizita, edhe me rezolutat që po përgatiten në Parlamentin Evropian për njohjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të procesit, pra këto janë presione ndaj Serbisë.
Po sigurisht në pako janë edhe ndaj Kosovës, në mënyrë që t’i shtyjnë palët ndaj një marrëveshje e cila do ta mbyllte konfliktin e ngrirë që si i tillë paraqet gjithmonë rrezik për eskalim nën ndonjë ngacmim, që mund të vijë nga Rusia”, deklaroi Krasniqi për arbresh.info.
Analisti, Ridvan Berisha, vlerësoi se miqtë ndërkombëtar të Kosovës, po japin një mbështetje direkte, që Kosova të mos mbetet në statusquo.
“Është interes jetik për Kosovën që të mbyllë një konflikt të ngrirë me Serbinë, veçanërisht tani kur miqtë tanë po na sugjerojnë ta marrin seriozisht këtë proces.
Nuk e shoh si presion ndërkombëtarë, e shoh si mbështetje direkte që të mos e lënë Kosovën me status quo, një rrezik ky padyshim që prodhon potencial për paqëndrueshmëri politike të brendshme e të jashtme”, deklaroi Berisha për arbresh.info.
Scholz dhe Michel përcollën mesazhe të qarta gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor se angazhimi në negociatat Kosovë-Serbi është i domosdoshëm.
Sipas tyre, dialogu është rruga e cila i hapë Kosovës edhe perspektivën e mëtejme evropiane.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ata theksuan se një marrëveshje politike midis dy vendeve është kusht i rëndësishëm për investimet dhe vende pune dhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë./arbresh.info/