Google ADS

Presidentja Osmani realizoi takime në Kongresin amerikan

19:56 | 10 Maj 2023
K.B

Në prag të vizitës në Universitetin e Harvardit në Boston, me ç’rast Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar të jetë folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare ‘Global Empowerment Meeting’, ajo ka realizuar një sërë takimesh në Kongresin amerikan.

Gjatë qëndrimit njëditor në Washington D.C. Osmani është takuar me senatorin Chuck Schumer, senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio, senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer, si dhe në vijim do të takojë kongresisten Dina Titus.

Në të gjitha këto takime, Presidentja  ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë.

Ajo ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej. A

jo ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kongresit për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se tashmë është krijuar një momentum i ri për zhvillime të reja në këtë drejtim.

Në frymën e raporteve historike të shkëlqyera me SHBA-të, Presidentja i ka falënderuar miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan, duke përcjellur edhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e tyre për vendin tonë ndër vite.

Në këtë drejtim, ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit me aleatin kryesor të Kosovës edhe përmes Dialogut Strategjik, iniciativë kjo e dorëzuar nga Presidentja në fillim të vitit të kaluar.

Në takime është folur po ashtu për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Osmani ka ritheksuar se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, ndërkaq ka potencuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces, duke shprehur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes nga ana e tyre./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme