Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni solemne në prag të ndërrimit të mot-moteve ka ndarë dekorata dhe medalje të meritave për personalitete të shquara dhe institucione të rëndësishme nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Arbreshët.
Sipas Osmanit këto personalitete me angazhimin e tyre të palodhur kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë, kulturën, sportin dhe fushat e tjera të jetës sonë.
“Ky është një akt i domosdoshëm për ta shprehur mirënjohjen tonë si komb ndaj atyre që me veprimtarinë e tyre jetësore dhe përkushtimin e pafund ndaj profesionit të tyre në fusha të ndryshme janë shndërruar në shembuj të shkëlqimit dhe frymëzimit të vazhdueshëm për brezat e rinj. Ata janë shembuj të asaj se çfarë mund të arrihet me përkushtim dhe talent”, ka theksuar Osmani në adresimin e tij para ndarjes së dekoratave.
Ajo tha se “sot i nderojmë dhe nuk do të rreshtim së nderuari gjithsecilin që ka dhënë kontribut që Kosova dhe kombi shqiptar të jetë aty ku janë sot”.
“Ne jemi përkujdesur të bëjmë një përzgjedhje që përkon edhe me momentin e ndarjes së medaljeve, rikujtim të trashëgimisë dhe të kaluarës sonë si dhe ata që po hapin shtigje të reja për të ardhmen tonë”, ka vijuar presidentja.
Ajo ka thënë se këto çmime janë vlerësim i punës dhe angazhimit të suksesshëm në zgjerimin e kapaciteteve të vendit tonë dhe rezultateve kulmore në fusha të ndryshme.
“Institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës do t’u jenë përherë mirënjohës personaliteteve të dekoruara sot, atyre që janë dekoruar më herët dhe atyre që do të dekorohen në datat e rëndësishme historike, përfshirë më 17 shkurt dhe 12 qershor, sepse ata e mbajnë gjallë kulturën, artin, letërsinë, dijen, ndjenjën tonë atdhetare dhe mbi të gjitha humanizmin tonë”, ka shtuar Osmani.
E para e shtetit tutje ka thënë se në ditë të shënuara shtetërore e kombëtare do t’ua shprehim mirënjohjen tonë të gjithë atyre që kanë kontribuuar e vazhdojnë të kontribuojnë për vendin e tyre.
“Ata na kanë nderuar dhe e kanë bërë krenar vendin tonë dhe ne sot kemi mundësinë që sadopak t’ua kthejmë këtë të mirë në emër të qytetarëve të Kosovës”, ka nënvizuar presidentja
Ndër të dekoruarit të parë ishin rock-grupet e viteve të 80-ta dhe 90-ta, të cilat kanë qenë pjesë e ‘bumit’ kulturor të Kosovës në kohën kur ajo po shtypej e kultura po mohohej. Grupet ‘Trix’, ‘Minatori’, ‘Mak’, ‘TNT’, ‘Fontana’, ‘Elita 5’, ‘403’,’Ilirët’, ‘Fisnikët’, ‘Gjurmët’, ‘Telex’ dhe ‘Oda’. Sipas presidentes këto grupe kanë shpërfaqur energjinë e frymën e një periudhe të veçantë në historinë kulturore.
“Këta pionierë të muzikës nuk ishin vetëm interpretues, ata ishin katalizatorë të ndryshimeve tona shoqërore. Rock-grupet e asaj kohe i bënin jehonë aspiratave tona, zhgënjimeve dhe ëndrrave të një brezi të etur për ndryshim, të një brezi që sfidonte ‘status-quo’-n dhe që kërkonte barazi dhe që nuk rreshti asnjë kohë për emancipim shoqëror”, ka theksuar presidentja
Ajo tutje theksoi se me dekorata do të nderohen edhe rapsodët tanë, të cilët me pasionin dhe talentin e tyre kanë mbajtur gjallë folklorin tonë sikurse edhe frymën epike, legjendare e historike, pastaj krijues dhe artistë të shumtë nga më të hershmit, siç është Jeronim De Rada e poeti i shquar arbreshë, Zef Serembe, deri te Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, si dhe poetët e shquar të kohëve të reja si Xhevdet Bajraj. Me medalje presidenciale u nderuan edhe Ansambli ‘Kastriotët’, Fatmire Breçani, Shpresa Gashi, “Bijtë e Sefës”, Feriz Krasniqi, Astrit Mustafa nga festivali “Kosovarja Këndon”, Sali Krasniqi, Riza Bllaca, Salih Mani, Grupi ‘Shqiponjat’, Melihate Qena, Muzeu i Kosovës, Instituti Arkeologjik i Kosovës, Seminari i Gjuhës Shqipe, Mark Tirta, Drita Rudi, Hajro Ulçinaku, Beqir Musliu, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Xhevdet Bajraj, dr. Mentor Petrela, SOS Fshati, Resmije Juniku, Masar Nixha, Mithat Belegu, Mexhid Devaja, Eugen Saraçini, Beqir Buçinca, Bedri Sadiku. Nderim të veçantë iu bë gjeneratës së artë të FC Prishtina: Ajet Shosholli, Ramadan Cimili, Ramiz Krasniqi, Jusuf Tortoshi, Gani Llapashtica, Arbnor Morina, Afrim Tovërlani, Sunaj Keqi, Shukri Paqarada, Sahit Kelmendi, Skender Shengyli, Mensur Nexhipi, Muharrem Sahiti, Abdyl Bellopoja, Isa Sadriu, Rafet Prekazi, Rexhep Gaxholli, Behajdin Gjinali, Erdogan Celina, Fadil Berisha, Faruk Domi, Genc Hoxha, Zoran Batroviq dhe Nazmi Rama.
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin
Vrasja e Martin Canit, nxënës, mësues dhe prindër me marshim...
Tubim në Gjirokastër, Kumbaro: Kënaqësi të bisedosh me gjiro...
Joe Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën
Kurti për suksesin e Telekomit: I vetmi vend në rajon që nuk...