Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e 109 vjetorit të Kuvendit të Junikut

15:16 | 21 Maj 2021
L G

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në shënimin e 109-vjetorit të Kuvendit të Junikut.

Në një fjalë rasti, Presidentja Osmani ka theksuar se Kuvendi i Junikut paraqet platformë të pastër nacionale politike dhe ushtarake të luftës së armatosur për çlirim kombëtar dhe pavarësisë së Shqipërisë.

“Kuvendi i Junikut paraqet platformë të fuqishme politike, ushtarake dhe kulturore për jetësimin e shtetit të mosvarmë shqiptar”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas saj, ky Kuvend artikuloi qartë kërkesat legjitime të shqiptarëve për pavarësimin e vendit, si vulosi edhe orientimin e shqiptarëve për aleancën tradicionale me perëndimin.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se duhet të kujdesemi që trashëgimia politike e kuvendit, maturia dhe vendosmëria e prijësve të tij për ta marrë në duar fatin e vendit dhe për ta jetësuar vullnetin për liri, të jetë një lloj udhërrëfyesi i vazhdueshëm.

“Si presidente e vendit do të kujdesem fort që shtyllat e shtetësisë të forcohen, që kujtesa historike të ruhet e të kultivohet dhe që ngjarje të tilla, si Kuvendi i Junikut, të marrin trajtimin e duhur shkencor e kulturor”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës ka bërë homazhe pranë lapidarit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të Junikut./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme