Presidentja Osmani kritikon sistemin e drejtësisë për dështim në trajtimin e rasteve të dhunimit e krimit

11:32 | 24 Tetor 2022
A Z

Me organizimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, sot ka filluar Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit, ku morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovernier, u.d i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe kryetarë të Gjykatave dhe Prokurorive në vend.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u fokusua në rastet e shpeshta të dhunës seksuale në vend dhe kritikoi qasjen e institucioneve të drejtësisë në lidhje me parandalimin dhe luftimin e krimit dhe mbrojtjen e viktimave të tij.

“Ajo që e bëri akoma më të rëndë këtë situatë të dhunimeve të shumta seksuale që kanë ndodhur muajt e fundit në vendin tonë ishte mungesa e reagimit nga institucionet përgjegjëse.

Bëj thirrje për të gjithë këto institucione për më shumë angazhim në parandalimin, luftimin dhe mbrojtjen e këtyre rasteve të dhunimeve seksuale.

Institucionet e drejtësisë duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe ne të gjithë së bashku duhet të rrisim kapacitetet institucionale për parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të dhunës dhe abuzimeve seksuale. “ deklaroi Osmani.

Osmani theksoi se dënimet e ulëta për dhunuesit seksualë i shtyjnë ata që të vazhdojnë kryerjen e këtyre krimeve.

“Dënimet e ulëta për ata që dhunojnë seksualisht të miturit, i inkurajojnë ata që ta vazhdojnë edhe më tej krimin që e kanë bërë më herët.

Andaj institucionet e drejtësisë duhet të punojnë më shumë në dënimin maksimal të tyre, në mënyrë që t’i mbrojnë fëmijët tanë” – theksoi ajo.

E para e shtetit përmendi edhe vettingun, si proces i cili do të sillte më shumë drejtësi në trajtimin e këtyre rasteve. Ajo bëri thirrje për të gjithë institucionet e drejtësisë që të japin kontributin e tyre.

“Qytetarët e humbin besimin ne institucionet e drejtësisë kur ata nuk gjejnë përkrahje për ndëshkimin e këtyre rasteve.

Konsideroj që është e rëndësishme që të bëhet një proces i mirëfilltë i vettingut në drejtësi, dhe më pas, vetëm atëherë mund të presim drejtësi për qytetarët që përjetojnë këto krime të tmerrshme ndaj tyre.

Andaj, u bëj thirrje të gjithëve, duke filluar nga prokuroria, gjykata, ministria dje institucionet tjera përgjegjëse që të kontribuojmë që ky proces të jetë sa më profesional dhe apolitik.” deklaroi Osmani.

Ajo përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian, si institucion kryesor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Anëtarësimi i Kosovës në KiE është kauzë për drejtësi, te drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e tyre. Askush nuk mund t’i përkrahë të drejtat e njeriut dhe të jetë kundër që Kosova të mos anëtarësohet në këtë institucion për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. – përfundoi Osmani në fjalimin e saj në Javën për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit në Kosovë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme