Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani ku po qëndron me ftesë të presidentit Frank-Walter Steinmeier është pritur me nderimet më të larta shtetërore.
Në takim me homologun Steinmeier, presidentja Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme dhe është angazhuar për thellimin e marrëdhënieve.
Më tej, Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.
Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, është shprehur Osmani në takim me presidentin gjerman.
Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal – në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas saj, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.
Në takim me presidentin Steinmeier, Presidentja Osmani ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman.
Më tej, Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.
Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova./arbresh.info/
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora
Kë do të largonte Leo nga shtëpia po të kthente Lelën?, ja c...