Presidentja Osmani kërkohet të jetë më e përfshirë në dialogun me Serbinë

11:04 | 16 Korrik 2022
L G

Përfshirja e presidentes, Vjosa Osmani, në negociatat për marrëveshjen finale me Serbinë, po vlerësohet të jetë e një rëndësie të madhe, sikur edhe unifikimi i përgjithshëm politik në Kosovës karshi këtij dialogu, shkruan arbresh.info.

Analisti Fatmir Sheholli vlerëson se në marrëveshja me Serbinë kërkon unifikim të spektrit të gjerë politik duke përfshirë edhe Presidenten e Kosovës.

“Presidentja nuk ka qenë fare e përfshirë deri tani, kurse duhet të jetë e përfshirë aq sa është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, thotë Sheholli.

Sipas analistit, Mazllum Baraliu, jo vetëm Presidentja por të gjithë institucionet shtetërore duhet të jenë përshirë në mënyrën më konsensuale në dialogun me Serbinë.

“Presidentja si e para e shtetit e ka për detyrë të udhëheq dialogun, dhe duhet të jetë e para në mesin e të tjerëve madje nëse nuk munden të merren vesh partitë politike, t’i ftojë të ndërtojnë një strategji të përbashkët për dialogun”, vlerëson Baraliu.

Por, analistja, Ardiana Thaçi, vlerëson se fuqia politike e kryeministrit, Albin Kurtit, është më e madhe sesa e Presidentes dhe nuk e mendon që involvimi i Presidentes në këto bisedime do të ndodhë.

“Fuqia politike e kryeministrit Kurti aktualisht është më e madhe se sa e Presidentes. Kam përshtypjen se involvimi i saj në këto bisedime nuk do të ndodhë, të paktën jo në formë që ajo të jetë në krye të dialogut, por vetëm si mbështetëse e kryeministrit Kurti ose nëse një gjë e tillë kërkohet nga ndërkombëtarët”, thotë Thaçi.

Portali arbresh.info ka pyetur Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës për të marrë ndonjë qëndrim nëse presidentja Osmani do të jetë më e përfshirë në dialogun me Serbinë, por nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Ende nuk është konfirmuar ndonjë datë e takimit të nivelit të lartë, në Bruksel, pavarësisht se Bashkimi Evropian shpreson për një takim të mundshëm të palëve, para pushimeve të verës./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

 

Të ngjashme