Presidenti Thaçi: Albert Rohan një diplomat shembullor që bëri shumë për popullin e Kosovës

16:15 | 5 Qershor 2019
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është pikëlluar nga vdekja e ish-negociatorit për Kosovën, Albert Rohan.

Thaçi në një status në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se Rohan si negociator në dialogun për statusin e Kosovës dhe si diplomat austriak, kontribuoi shumë për vendosjen e paqes në rajonin tonë.

“Më pikëlloi vdekja e mikut tim dhe të Kosovës, ambasadorit Albert Rohan. Si negociator në dialogun për statusin e Kosovës dhe si diplomat austriak, Albert Rohan kontribuoi shumë për vendosjen e paqes në rajonin tonë. Do ta ruajmë kujtimin për të si një diplomat shembullor, që bëri shumë për popullin e Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Hashim Thaçi.

Ndryshe diplomati austriak dhe ish-negociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë, Rohan në vitet 1990, ka marrë pjesë në hartimin e politikës për Ballkanin, me qëllim të vendosjes së paqes dhe zhvillimit të një perspektive evropiane në këtë rajon.

Ai së bashku me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtissari, ka marrë pjesë në negociatat për statusin e Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme