Presidenti italian: BE do të jetë e kompletuar vetëm me pesë vendet e Ballkanit Perëndimor

21:21 | 22 Tetor 2021
L G

Presidenti italian, Sergio Mattarella deklaroi se mungojnë ende pesë vende në Bashkimin Evropian, i cili nuk mund të konsiderohet i plotë për shkak të historisë, kulturës dhe vlerës që ato përfaqësojnë dhe këto janë Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia nga Ballkani Perëndimor.

”Italia ka një vëmendje të veçantë ndaj tyre sepse stabiliteti i asaj zone na intereson shumë. Ne kemi një interes thelbësor në zhvillimin e marrëdhënieve përtej Adriatikut. Duhet të luftojmë për të konsoliduar marrëdhëniet miqësore, për të kapërcyer keqkuptimet historike dhe për të hedhur themelet për një bashkim më të gjerë”, tha presidenti italian, sipas gazetës italiane ”La Stampa”.

Kulmi i kësaj strategjie u arrit një vit më parë, kur presidenti italian dhe homologu i tij slloven Borut Pahor bashkuan duart përpara Foiba di Basovizza.

Frytet politike të atij gjesti vëllazëror, i cili donte të ndërtonte një kujtesë të përbashkët historike mbi rrënojat e së kaluarës, u mblodhën dje në Nova Gorica, ku të dy krerët e shteteve kremtuan shpalljen e qytetit slloven si Kryeqytetit Evropian të Kulturës për vitin 2025.

”Procesi i integrimit të kontinentit nuk do të jetë i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në gjendje të ndajnë të gjitha perspektivat tona”, shtoi presidenti.

”Italia dhe Sllovenia kanë një përgjegjësi të veçantë. Të mbështesim së bashku aspiratat e fqinjëve tanë dhe të shoqërojmë proceset reformuese që ata po ndjekin”, theksoi ai.

”Nuk ka asnjë justifikim për hezitim nga ana e 27-ve, por as edhe ndërrim kursi nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet të kthehemi kurrë pas”, theksoi presidenti italian, Sergio Mattarella./atsh/

Të ngjashme