Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u bëri thirrje të premtën partive politike që të tejkalojnë siç tha ngërçin institucional dhe të miratojnë një platformë të përbashkët shtetërore për bisedimet me Serbinë, ndërsa hodhi poshtë pohimet se në manifestimin e përvjetorit të 100-të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Francë do të bisedohet me Serbinë.
Ai i bëri këto komente një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës bëri kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme dhe miratimin e një rezolute e cila kërkon që çështja e kufijve të Kosovës të mos diskutohet me Serbinë në bisedimet e Brukselit.
Opozita ka ngritur dyshimin që presidenti Thaçi në Francë do të diskutojë për kufijtë e Kosovës, ku pritet të marr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Por, presidenti Thaçi tha se në Francë po shkon për të promovuar vendin dhe siguruar njohje.
“Udhëheqësit aty janë të ftuar prej presidentit francez Macron dhe të gjithë ata që janë aty do të kenë mundësi të shihen me njëri tjetrin, por një gjë e them, atje nuk do të ketë bisedime Kosovë-Serbi, por do të jetë një mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës. Edhe pjesëmarrja e presidentit të Serbisë është nën autoritetin e presidentit francez dhe jo të Kosovës. Serbia mund të ketë vërejtje në këtë drejtim, por është punë e tyre”,tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ndërkaq u bëri thirrje partive parlamentare që të lëvizin përpara drejt krijimit të një platforme të përbashkët për bisedimet me Serbinë.
“Sa i përket bisedimeve, besoj se parlamenti duhet t’i kryej punët e veta, duhet të tejkalohet dhe ftoj spektrin politik të Kosovës, pa dallim, ata që janë në Qeveri dhe ata në opozitë, ta tejkalojnë këtë ngërç politik dhe institucional dhe t’i hapin perspektivë vendit. Presidenti do t’i kryej punët e veta ndërsa ftoj spektrin politik t’i marrë përgjegjësitë e veta që i takojnë, që të ofrohen sa më tepër, të kenë një platformë të përbashkët shtetërore”,tha ai.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u bëri thirrje opozitës që të bashkohen për të formuar një delegacion që do ta përfaqësojë vendin në bisedimet me Serbinë. Ai tha se nuk do të ketë prekje të kufijve e cila sipas tij është një maskim për ndarjen e vendit.
“Po, marrëveshje ligjore dhe detyruese për njohje reciproke me Serbinë, jo marrëveshje bazuar as në territory dhe as në kufij ato janë vetëm kamuflazh për ndarje të Kosovës, jo Kosova është ajo e 17 shkurtit (2008) dhe jemi të interesuar për pajtim dhe të mbyllen çështjet e mbetura të hapura në rajon”,tha ai.
Edhe qeveria edhe opozita janë vënë në përpjekje për të hartuar një platformë për bisedime me Serbinë, ku përjashtohen negociatat për ndryshim të kufijve. Por mungesa e votave të mjaftueshme në parlament ka bërë që këto platforma të mos miratohen.
Të dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.
Idetë e tilla nxitën reagime të shumta brenda Kosovës por edhe në skenën ndërkombëtare.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kush për integrimet në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë një marrëveshje që siguron atë normalizim dhe çfarë janë mundësitë për arritjen e shpejtë të saj. Edhe në Beograd edhe në Prishtinë, bartësit e këtyre bisedimeve thonë se kanë pak shpresë për të, por të dyja palët po përballen me trysni për një marrëveshje më të shpejtë, për shkak të zgjedhjeve brenda Bashkimit Evropian në pranverën e vitit të ardhshëm./Voa
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...