Presidenti flet me ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së për zhvillimet në Kosovë

14:18 | 15 Prill 2020
Arbresh.info

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë, për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë.

Në këtë takim ku të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, presidenti Thaçi i ka falënderuar të gjitha shtetet për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në përballje me pandeminë e virusit COVID19 dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat në çdo shtet.

“Të gjithë së bashku jemi duke e luftuar pandeminë dhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në Kosovë, në rajon dhe në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit foli edhe për zhvillimet politike dhe kërkesat që ia ka drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar për të propozuar një kandidat për Kryeministër të Kosovës, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Qytetarët e Kosovës kërkojnë dhe kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të shkaktuara nga pandemia”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se çdo hap që do të ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

Të ngjashme