Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për 20 Vjetorin e Masakrës së Likoshanit dhe Çirezit, e cila është organizuar nën patronatin e tij.
Presidenti Thaçi ka thënë se me nderimet më të larta shtetërore po kujtojmë 20 vjetorin e sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Çirezit, të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ky përvjetor po përkon me shënimin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Qytetarët tanë e festuan me dinjitet vitin jubilar të shtetit të tyre. Kjo e arritur historike e Kosovës nuk do të bëhej pa sakrificën, gjakun dhe flijimin e më të dashurve tuaj këtu e njëzet vjet më parë”, ka thënë ai.
Duke folur për periudhën e luftës, presidenti Thaçi ka theksuar se më 28 shkurt 1998, Kosova hyri në një fazë të re politike dhe ushtarake.
Ai ka thënë se nuk ishte i rastit as konstatimi i gazetarit britanik, Anthony Loyd, se te “Lisi Gjashtënjak” në Likoshan nisi faza e fundit e shembjes së Jugosllavisë me gjashtë ish-republikat e saj.
Presidenti Thaçi ka shtuar se pas masakrës në Likoshan dhe Çirez, nuk vonojë sulmi edhe mbi Prekaz, ku ndodhi Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
“Kosova po hynte në rrugën e pashmangshme të imponuar të luftës për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës rritej çdo ditë e më shumë. Dhuna e policisë dhe ushtrisë serbe nuk u ndal asnjë çast në vitet 1998-1999. Përkundrazi, u thellua edhe më shumë me masakrat e Abrisë, Reçakut, Izbicës, Rezallës, Krushës, Mejës, Qyshkut dhe shumë të tjerave”, ka thënë ai.
Kjo sakrificë, sipas presidentit Thaçi, bashkë me rezistencën e UÇK-së dhe të gjithë qytetarëve për liri dhe pavarësi, si dhe orientimi kah vlerat civilizuese perëndimore, bënë që Kosova ta fitojë përkrahjen e botës demokratike, të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.
“Kosova e lirë dhe e pavarur, ëndërr e shumë gjeneratave që sakrifikuan, u bë realitet. Si shtet i ri dhe demokraci po aq e re, e dimë se duhet të bëjmë shumë për mirëqenien e qytetarëve tanë, për forcimin e unitetit qytetar, për forcimin e institucioneve dhe pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka pohuar ai.
Presidenti ka thënë se dy dekada liri dhe një dekadë pavarësi janë periudhë e shkurtër kohore për ndryshime epokale historike.
Ai ka shtuar se Kosova ka ecur përpara, duke u konsoliduar si shtet i njohur nga 116 shtete dhe duke u bërë anëtare e qindra organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.
“Pavarësisht sfidave, Kosova e ka të qartë objektivin dhe opsionin e vetëm strategjik, integrimin euroatlantik në NATO, BE dhe OKB. Kosova nuk e harron asnjëherë të kaluarën e saj, sa të lavdishme dhe krenare, po aq edhe të dhimbshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Përkundër historisë së hidhur, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova si shtet i pavarur është bërë vend që prodhon paqe dhe stabilitet në rajon, por duke mos harruar faktin që ende nuk janë vënë para drejtësisë autorët e krimeve, masakrave dhe gjenocidit.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe qytetarët tanë kanë zhvilluar luftë të drejtë, mbrojtëse, në tokën e tyre, për liri, dinjitet dhe pavarësi. Sot, kushdo që përpiqet dhe pretendon ta njollos luftën e drejtë të UÇK-së, do të dështojë. Pastërtia e saj është pastërtia e idealit të lirisë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se misioni i saj ka qenë dhe do të mbetet një kapitull i ndritur i historisë sonë çlirimtare.
Duke shprehur ndjenjat e respektit më të thellë për dëshmorët dhe martirët e Likoshanit dhe Çirezit, presidenti Thaçi u ka thënë familjeve të tyre se bashkohet me dhembjen dhe krenarinë e tyre dhe se në tërë këtë dhembje ngushëllon fakti se fëmijët e tyre po rriten në Republikën e Kosovës së lirë dhe demokratike.
Për veprat e trimërisë, kontributin dhe sakrificën në luftën e UÇK-së, presidenti Thaçi në 20 vjetorin e rënies dekoroi me urdhrin “Hero i Kosovës” edhe dëshmorët Rexhep Ajet Rexhepi dhe Beqir Brahim Rexhepi.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...