Presidenca paralajmëron denoncim ndaj Gjergj Dedaj

22:23 | 17 Janar 2022
Përparim Bublaku

Këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ambasadorit, Gjergj Dedaj ku tha se “klani i Osmanit” po e linçon dhe se ai do të përdorë “Kanunin për t’u mbrojtur”.

Kupina ka thënë se Dedaj ka kërcënuar Presidenten dhe familjen e saj me ato deklarata.

“Një person totalisht i papërgjegjshëm që për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit. Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit.”, ka thënë ai.

“Kërcënimi i Dedajt është çështje që duhet të trajtohet nga organet e rendit dhe të drejtësisë. Nuk arsyetohet në asnjë mënyrë dhënia e hapësirës mediale një personi, recidivist i keqpërdorimit të historisë familjare në funksion të përfitimeve personale. Mediat nuk janë klinika për shërimin e komplekseve, prandaj të tillë persona duhet shmangen nga prezantimi publik në funksion të ruajtjes së higjienës në sferën e komunikimit me publikun.”, ka shtuar ai.

Dedaj në Frontal të T7 tha se është njeri i ligjit, por tutje theksoi se përveç ligjit, te ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave”, tha Dedaj.

Ai ka thënë se nëse dikush e shkel ose e vret, do ta vret edhe ai.

“Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, ka thënë Dedaj.

Dedaj thotë se është i rrezikuar nga “klani i Osmanit”, përmend edhe Kanunin si veprim

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme