Google ADS

Presidenca nuk sqaron se për kë e kishte fjalën Thaçi kur foli për dhunën

15:29 | 24 Korrik 2017
Arbresh.info

Mbetet e paqartë deklarata e presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se njerëzit që kanë përdorur dhunë nuk do të jenë bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Presidenti i vendit, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se ua mohon këtë të drejtë për qeverisje atyre që ushtruan dhunë.

“Duhet ta potencoj se në kuadër të këtyre parimeve mbizotëruese, një prej parimeve kryesore do të jetë në kuadër të diskrecionit edhe timin, se njerëzit që kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Koha.net ka kontaktuar Ardian Arifajn, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i cili në lidhje me këtë ka thënë se “presidenti Thaçi ka qëndrimin e tij për parimet mbizotëruese për cilëndo qeveri”, por se nuk e ka sqaruar deklaratën e presidentit, se cilës parti i është drejtuar me atë rast.

“Fjalimi i presidentit Thaçi gjatë ditës së sotme në takimin konsultativ me përfaqësuesit e subjekteve politike, e bënë të ditur edhe një gjë të tillë”, ka thënë Arifaj.

Por edhe nga fjalimi i sotëm i Thaçit, pasi ka kryer takimin me krerë të partive parlamentare të thirrur nga ai, mbetet e paqartë se për kë konkretisht e ka pas fjalën ai kur ka përmendur dhunën.

Në këtë takim konsultativ, presidenti Thaçi ka theksuar parimet mbizotëruese mbi të cilat do të themelohet qeveria e re, e cila duhet të jetë qartë me parime euroatlantike.

“Promovimi dhe mbrojtja e frymës dhe rendit kushtetues duhet të jetë themel i qeverisë së ardhshme”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.

Në rast se presidenti i vendit, me fjalën “dhunë”, potencon gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend, atëherë dihet se gaz lotsjellës kanë hedhur partitë si Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së AAK-së, njëherësh zëdhënës i këtij subjekti politik, Muharrem Nitaj, ka thënë shkurt për Koha.net, se “mbetet përgjegjësi e presidentit Thaçi të japë përgjigje për këtë”.

Deputetja nga Vetëvendosje, Shqipe Pantina, mbrëmë në një prononcim për Koha.net, ka thënë se nuk dihet se kujt i është referuar Thaçi, por se nuk është detyrë e tij të bëjë vlerësime se kush ta bëjë qeverisjen e ardhshme.

“Presidenti, pozitë të cilën tani pa meritë e mban Thaçi duhet të respektoj Kushtetutën e vendit dhe vullnetin e qytetareve e nuk është detyrë e tij të bëjë vlerësime se kush duhet të qeverisë sepse këtë e përcaktojnë qytetarët me votën e tyre” ka thënë Pantina.

Nga ana tjetër, analistët konsiderojnë se nuk është në mandatin e presidentit të tregojë se kush mundet e kush jo ta bëjë qeverinë.

Dashnim Ismajli, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, ka thënë për Koha.net se konsideron që presidenti Thaçi ka ngatërruar kompetencat e tij që ia garanton Kushtetuta.

“Deklarimet e tilla nuk i shërbejnë unitetit politik dhe tejkalon kompetencat e Presidentit. Presidenti nuk është për të mohuar të drejtat kushtetuese për grupet politike që nuk janë në linjë me të, dhe në bazë të rolit dhe funksionit që ka ai është për të garantuar unitetin politik dhe funksionimin e institucioneve në vend”, ka thënë Ismajli.

Tutje ai ka shtuar se deklarimet e tilla përbëjnë provokim të situatës politike dhe nxisin ashpërsimin e gjuhës ndërmjet grupeve politike.

“Unë nuk mendoj se presidenti duhet të bëjë interpretime partiake, dhe po ashtu nuk është në kompetencë të presidentit të përcaktojë shkallën e dhunës apo protestave që kanë ndodhur në qeverinë e kaluar. Presidenti duhet ta ketë parasysh se proceset politike në të kaluarën kanë qenë jo shpeshherë në favor të Kosovës dhe kanë rezultuar shpeshherë edhe me protesta të përshkallëzuara me dhunë, kështu duke lënduar procesin demokratik, mirëpo ne duhet ta dimë se kemi po ashtu edhe një president, që është i zgjedhur në bazë të imponimeve presioneve kundrejt vullnetit të deputetëve”.

Donjeta Demolli, në një opinion të publikuar edhe në Koha.net ndër të tjera ka shkruar edhe disa pyetje.

“Ndonëse është naive të pretendohet që nuk dihet për kë e ka fjalën z. President, pyetja që shtrohet pashmangshëm është: kush janë këta njerëz? A po i drejtohet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe veprimeve të vitit që shkoi të kandidatit për kryeministër nga ana e PAN? Këto veprime Haradinaj i bëri në bashkërendim me Lëvizjen Vetëvendosje. Kështu që, a është Lëvizja subjekti i nënkuptuar?”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, nuk është fare spekulative të thuhet se presidenti kishte në mendje Lëvizjen Vetëvendosje, dhe vetëm ai e din se me cilën logjikë e ndanë AAK-në nga Lëvizja në këtë nënkuptim.

“S’është si të jetë ndryshe, meqë nëse ta zëmë e ka fjalën për përjashtim të këtyre dy opsioneve, atëherë po i bie që AKR të jetë bartëse e institucioneve. Labinot Tahiri Kryeministër”.

Ndonëse kjo mbetet e paqartë, presidenti i vendit Hashim Thaçi – sot pas takimit konsultativ që pati me përfaqësuesit e subjekteve politike, ku qenë të pranishëm vetëm ata të koalicionit PAN dhe përfaqësuesit e pakicave joserbe, e që munguan përfaqësuesit e subjekteve tjera politike – megjithatë caktoi datën e Mbledhjes së parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit më 3 gusht.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme